Shkëmbimet kulturore Kinë-Francë promovojnë artin modern e turizmin
2024-04-10 14:26:03

Takimi mes artit të bizhuterisë nga Parisi dhe Kullës “Perla Orientale” të Shangait i ka ofruar një mundësi publikut, për të ndjekur pasionin e tyre për bizhuterinë, historinë e zejtarinë franceze. Shangai i Kinës është qyteti i tretë në botë, përvec Parisit e Hong-Kongut ku vendoset Shkolla “L'ÉCOLE”e Artit të Bizhuterisë, e themeluar nga argjendari i njohur francez Van Cleef&Arpels.

"Nga fillestarët deri specialistët ose thjesht kureshtarët apo të rinjtë, Shkolla L'ÉCOLE’ofron një program të pasur kursesh, seminarësh online e offline, si dhe ekspozita, botime, projekte kërkimore etj. Të gjitha ekspozitat janë falas për publikun. Kjo është një shkollë fillestare, e hapur për të gjithë, pa kërkesa të veçanta. Që nga fillimi i saj, L'ÉCOLE ka mirëpritur auditorë të qarqeve të ndryshme kineze, nga fëmijët deri të rriturit, madje të moshuarit," tha Giulietta Yu, menaxherja e L'ÉCOLE Kinë".

Shkolla do të organizojë gjithashtu seminarë dhe kurse me tema si, zhvillimi i bizhuterive në qytetërime dhe epoka të ndryshme, për të promovuar shkëmbimet e artit dhe kulturës midis Kinës e Francës.

Shangai i Kinës është kthyer në një destinacion arti bashkëkohor, që ka tërhequr bashkëpunimin kulturor të nivelit më të lartë nga Muzeu Pompidou i Parisit.

Viti 2024 shënon 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës e Francës. Gjithashtu është Viti i Kulturës e Turizmit Kinë-Francë. Këtë vit, dy vendet do të zhvillojnë një sërë aktivitete e shkëmbime në të gjitha fushat.

Prej vitit 2019, Muzeu Pompidou ka nisur bashkëpunimin me Muzeun“Bregu Perëndimor”të Shangait, duke nënshkruar një marrëveshje për vazhdimin e marrëdhënieve të partneritetit në 5 vitet e ardhshme. 

Paul Frèches është përfaqësues i Qendrës Pompidou në Kinë. Ai tha se ky bashkëpunim ka filluar disa dekada më parë. "Në vitet 80' ne organizuam një ekspozitë të madhe me emrin "Magjistarët e Tokës", e cila ishte ekspozita e parë e artistëve bashkëkohorë kinezë, e organizuar nga një institucion perëndimor. Ai ishte gjithashtu projekti i parë i bashkëpunimit me Kinën," tha Paul Frèches.

Franca është një nga vendet, që përfitojnë nga politika e udhëtimit pa viza në Kinë. "Për një qytetar francez që dëshiron të udhëtojë në Kinë, kjo është padyshim e mrekullueshme. Gjatë vitit ne kemi një grup kolegësh, që vijnë nga Parisi. Falë politikës kineze të udhëtimit pa viza, ata do të kënaqen të vijnë në Shangai, jo vetëm për të punuar, por edhe për të eksploruar," shtoi Paul Frèches. (Fani)