I dërguari:Kina ushtron të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të mbështetur drejtësinë ndërkombëtare
2024-04-09 10:28:48

Foto nga VCG

Një i dërguar kinez shtjelloi të hënën qëndrimin e vendosur të Kinës, për përdorimin e të drejtës së vetos, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, veçanërisht në lidhje me një projekt-rezolutë më 22 mars, duke theksuar synimin për të mbështetur drejtësinë ndërkombëtare. 

Duke iu drejtuar mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku debatohet për përdorimin e të drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit, Dai Bing, i ngarkuari me punë i misionit të përhershëm të Kinës në Kombet e Bashkuara, shpjegoi pse Kina, sëbashku me Algjerinë dhe Rusinë, kundërshtuan me vendosmëri më 22 mars, Projekt-rezolutën e propozuar nga SHBA për Gazën. Ai theksoi domosdoshmërinë e "ruajtjes së drejtësisë ndërkombëtare, qëllimeve dhe dinjitetit të Kartës së OKB-së dhe përgjegjësisë dhe autoritetit të Këshillit të Sigurimit".

Dai përcolli aspiratën kolektive për paqe, që kishte bërë jehonë në të gjithë komunitetin ndërkombëtar, që nga fillimi i konfliktit të Gazës. 

"Që nga shpërthimi i konfliktit të Gazës, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje, me shumicë dërrmuese, për një armëpushim dhe për t'i dhënë fund luftimeve, duke pritur urgjentisht që Këshilli i Sigurimit të ndërmarrë veprime konkrete," tha ai. 

Ai kritikoi Shtetet e Bashkuara për pengesat e vazhdueshme ndaj një armëpushimi, si edhe për projekt-rezolutën e saj, e cila tha se ishte evazive për çështjen e armëpushimit, dhe u përpoq të manipulonte Këshillin e Sigurimit, për të miratuar politikat e gabuara të Uashingtonit, duke vendosur parakushte për një armëpushim.

"Projekt-rezoluta e SHBA-së devijon nga konsensusi i anëtarëve të këshillit, dhe bie ndesh me pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare. Nëse miratohet, do të thotë se vrasjet në Gaza do të vazhdojnë. Do të thotë se akti i egër i shkeljes së ligjit ndërkombëtar dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare do të vazhdojë”, theksoi ambasadori. 

Ushtrimi i palëkundur i të drejtës së vetos së Kinës, u portretizua nga Dai, si një qëndrim parimor për drejtësinë, duke i detyruar Shtetet e Bashkuara të njohin paaftësinë e tyre, për të penguar më tej përparimin e këshillit drejt paqes. "Kina nuk ka asnjë hezitim në ushtrimin e vetos kundër një projekt-rezolute, që do të ketë pasoja kaq të rënda. Si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Kina ka mbajtur mbi supe përgjegjësitë e saj, dhe ka fituar mbështetjen e gjerë të komunitetit ndërkombëtar."

"Faktet kanë vërtetuar se për shkak të respektimit të parimeve, drejtësisë dhe ushtrimit të vendosur të vetos nga ana e Kinës dhe vendeve përkatëse, Shtetet e Bashkuara e kanë kuptuar përfundimisht, se nuk mund dhe nuk janë më në gjendje të vazhdojnë të ndalojnë Këshillin e Sigurimit, të lëvizë në drejtimin e duhur dhe marrjen e hapave vendimtarë”, theksoi ai. 

Dai nënvizoi miratimin e mëvonshëm të rezolutës 2728, e cila kërkonte një armëpushim të menjëhershëm, si një moment kyç i mundësuar nga qëndrimi i vendosur i Kinës. (Elona)