Ekonomia Shqiptare: në rritje të dukshme në muajt e parë të 2024-s
2024-04-09 09:58:20

Këshilli Ekonomik Kombëtar (Foto Abcnews)

Këshilli Ekonomik Kombëtar (Foto Abcnews)

Më 28 mars 2024 u mblodh Këshilli Kombëtar Ekonomik, nën kryesimin e kryeministrit Edi Rama, ku u diskutua mbi politikat që po ndërmerren aktualisht për të mbështetur më tej ekonominë e vendit dhe bizneset, në një fazë tejet pozitive të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, të çertifikuar së fundmi edhe nga agjencia ndërkombëtare “Standard & Poor’s”, në lidhje me nivelin e qendrueshmërisë së financave publike të Shqipërisë dhe uljen e mëtejshme të borxhit të saj publik.

Ekonomia e Shqipërisë ka njohur një performancë të mirë gjatë vitit 2023 dhe kjo ecuri po vijon edhe në muajt e parë të vitit 2024. Ndjesia ekonomike, perceptimi i biznesit dhe konsumatorit, kanë arritur nivele të larta historike. Gjithashtu, tregues të tjerë të konsumit dhe investimeve dëshmojnë për një rritje të përshpejtuar.

Ecuria e mirë e ekonomisë është reflektuar edhe në tregun e punës. Punësimi gjatë vitit 2023 shënoi rritje, ndërsa shkalla e papunësisë në fund të këtij viti zbriti në 10.7 përqind, një nga normat më të ulëta historike.

Edhe inflacioni ka qenë më i ulët se në vendet e rajonit apo nga mesatarja e Bashkimit Europian, duke zbritur në muajin shkurt 2024 në nivelin 2.6 përqind, në baza vjetore.

Në vitin 2023, ekonomia e vendit ka regjistruar për herë të parë një sufiçit të llogarisë korente dhe pritshmëritë janë për një përmirësim të konsiderueshëm, krahasuar me nivelet historike. Kjo u ndikua edhe nga rritja e jashtëzakonshme e turizmit, si dhe nga shtimi i ndjeshën i investimeve të huaja direkte.

Konsolidimi fiskal shënoi një tjetër moment pozitiv. Borxhi publik, një tregues kyç i qëndrueshmërisë së financave publike, ra poshtë nivelit 60 perqind të prodhimit kombetar, niveli më i ulët që nga viti 2010. Ky përmirësim, përveçse ul koston e huamarrjes, rrit sigurinë e vendit për përballimin e goditjeve të mundshme në të ardhmen.

Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Këshillit (Foto Balkanweb)

Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Këshillit (Foto Balkanweb)

Përmirësim të ndjeshëm shënoi edhe skema e pensioneve, ku të ardhurat e kontribuesve në vitin 2023 arritën në 134 miliardë lekë, ose 1.29 miliardë euro, sa dyfishi i nivelit nga fillimi i reformës në vitin 2015. Defiçiti i skemës së pensioneve është ulur në 0.8 përqind të prodhimit kombetar (PBB-së) në vitin 2023, ose niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, nga 1.93 përqind e PBB-së që ishte në vitin 2015, kur nisi reforma e pensioneve.

Rezultatet zemërdhënëse ekonomike po vijojne edhe në muajt e parë të vitit 2024, ku për periudhën janar-shkurt 2024, të ardhurat totale buxhetore arritën në rreth 104 miliardë lekë, ose 1 miliardë euro, apo 4.9 përqind mbi planin. Krahasuar me dymujorin një viti më parë, të ardhurat u rritën me 6.85 miliardë lekë ose 7.1 përqind më shumë.

Përmes Aktit Normativ të marsit 2024, qeveria rishikoi në rritje të ardhurat buxhetore për vitin 2024, duke arritur në 28.2 përqind të prodhimit kombëtar, gjë që përbën nivelin më të lartë historik të të ardhurave publike, mbi prodhimin kombëtar.

Pjesë e rëndësishme e këtij Akti Normativ është mbështetja përmes Instrumentit të Garancisë Shtetërore, në vlerë prej 4 miliardë lekë ose 39 milionë euro, për bizneset e sektorit të industrisë përpunuese fason, një nga sektorët kryesorë të eksportit të mallrave të Shqipërisë.

Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Ekonomik më 28 mars 2024,  kryeministrit Edi Rama theksoi se “Mblidhemi në një kontekst  shumë inkurajues për ekonominë tonë, në kushtet kur nga njëra anë Shqipëria ka marrë një vlerësim të ri nga Standard & Poor’s me “BB ” . Është hera e parë që Shqipëria ngjitet në këtë nivel në klasifikimin e vendeve dhe nga ana tjetër kur kemi një të dhënë të fundit të Bankës së Shqipërisë, për një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja të cilat për herë të parë kanë hipur ndjeshëm mbi shifrën e stabilizuar në vitet e fundit prej 1 miliard eurosh, në 1.5 miliard euro.

Vizioni ynë i Shqipërisë 2030 shkon shumë përtej këtyre të dhënave të aktualitetit. Pa diskutim që ne kemi një potencial për një rritje të mëtejshme të investimeve të huaja dhe synimi ynë është të ngjitemi në 2, 2.5, në 3, në 4 miliardë euro në vit.

Pa diskutim që ne i kemi të gjitha mundësitë që në një kohë jo të gjatë, të kemi një tjetër vlerësim pozitiv me përmirësim, nga Standard & Poor’s dhe sot nëse shohim të dhënat dhe nëse shohim trendet, nuk është aspak e shfrenuar imagjinata që në një kohë të arsyeshme të kalojmë në “BB +”. Turizmi rritet, kërkesa për Shqipërinë rritet në mënyrë eksponenciale.

Sot ne shohim që sipërmarrja në turizëm nuk shtron më problemin e pagave. Është gati të paguajë dhe të paguajë shumë mirë si nuk do të imagjinohej deri disa vite më përpara, por shtron problemin që të ketë kë të paguajë dhe të ketë me kë t’i mbulojë të gjitha rolet dhe funksionet e një infrastrukture mikpritjeje.

Nga ana tjetër, për ne është shumë e rëndësishme që të kemi qartësi dhe të kemi sa më shumë kontribut nga të gjithë faktorët e tjerë ekonomikë dhe socialë, si dhe akademik, në mënyrën se si ne duhet të formësojmë një politikë të re për aftësimin profesional, jo vetëm në nivel të shkollës, por edhe për ri aftësimin në funksion të tregut edhe në moshat që nuk janë më mosha shkolle.

Ekonomia shqiptare gjatë 2023 (Foto Instagram)

Ekonomia shqiptare gjatë 2023 (Foto Instagram)

Sigurisht që ne kemi disa ide, por duam që të bashkojmë forcat dhe të krijojmë një qasje sa më të qartë dhe sa më konkrete për çka duhet të bëjmë”.

Buxheti i Shtetit për vitin 2024 do të vijojë mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave ne shtet, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur, për një nivel page mesatare në administratën shtetërore, prej 900 euro në muaj.

Po ashtu, në buxhetin 2024 do të realizohet indeksimi i mëtejshëm i pensioneve, si dhe shpërndarja e bonusit të fundvitit për 717 mijë pensionistë.

Nga ana tjetër, sektorët e Arsimit dhe Shëndetësisë publike do të vijojnë të financohen në nivelin mbi 3 përqind të prodhimit kombetar (PBB-së).

Vlerësimi “BB-“ i Standard&Poor’s është reflektim edhe i shifrave të fundit të investimeve të huaja në Shqipëri, që praktikisht janë shifra rekord. Ato, kombinuar edhe me shifrat pozitive dhe në rritje të turizmit në vend, japin besimin që ky trend pozitiv dhe ky konsolidim i financave tona publike do të vazhdojnë në të ardhmen e afërt dhe afatmesme.

Për qeverinë është kryesore që këtë moment të mirë ekonomik ta përkthejë në një mbështetje të shtuar për sektorët më prodhues të vendit, si dhe nga ana tjetër, edhe në një mbështetje për shtresa të caktuara të popullsisë, me te ardhura modeste ose nën nivelin e varfërisë, me logjikën e një rritjeje ekonomike sa më gjithëpërfshirëse.

Qeveria po synon që së bashku me Bankën e Shqipërisë të dalë me një plan të përbashkët për nxitjen e kreditimit,  me qëllim që bashkërisht qeveri, bankë qendrore dhe sektor bankar, të marrim masa për nxitjen e kreditimit në ekonomi.

Rritja e pagave në administratën shtetërore, që qeveria synon ta realizojë në qershor 2024, ndihmon që këtë moment të mirë ekonomik ta përkthejmë në më tepër mirëqenie dhe mbështetje për qytetarët, sidomos ata me të ardhura modeste. Qeveria beson se rritja e pagave në sektorin publik do të jetë shtysë edhe për sektorin privat. Për këtë, ajo mendon të bëjë edhe disa lehtësime fiskale.

Fatos Çoçoli