foto nga VCG
Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe presidenti kinez Xi Jinping, dhe Luiz Inacio Lula da Silva, kryetar nderi i Partisë së Punëtorëve të Brazilit dhe president i Brazilit, dërguan letra të veçanta urimi për seminarin e 7-të teorik të PKK-së dhe Partisë së Punëtorëve të Brazilit të martën.
Xi Jinping-u tha në letrën e tij të urimit se në tetor të vitit 2022, Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës sqaroi se detyra kryesore e Partisë Komuniste të Kinës është të bashkojë e të udhëheqë njerëzit e të gjitha kombësive në vend për të ndërtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse një vend socialist modern e të fuqishëm dhe për të arritur objektivin e njëqindvjetorit të dytë, dhe nëpërmjet modernizimit të stilit kinez të promovojë në mënyrë të gjithanshme ndërtimin e një vendi të fortë dhe përtëritjen e madhe të kombit kinez. Pasi Partia e Punëtorëve të Brazilit erdhi sërish në pushtet në janar të vitit 2023, ajo promovoi fuqishëm strategjitë e zhvillimit, si "Plani i rritjes së përshpejtuar" dhe "Plani i ri industrial" dhe është e angazhuar për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Diskutimi teorik midis dy partive përkatëse të Kinës dhe Brazilit me temën "Forcimi i ndërtimit të Partisë në pushtet dhe eksplorimi i rrugës drejt modernizimit" është në kohë dhe ka një rëndësi të madhe për forcimin e kapaciteteve të partive në pushtet dhe eksplorimin e një rruge modernizimi që u përshtatet kushteve të veta kombëtare.
Xi Jinping-u theksoi se ky vit shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Brazilit dhe 40-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve ndërmjet Partisë Komuniste të Kinës dhe Partisë së Punëtorëve të Brazilit. Duke qëndruar në një pikënisje të re historike, Partia Komuniste e Kinës është e gatshme të thellojë shkëmbimet dhe të mësuarit reciprok të përvojës në qeverisjen e shtetit me Partinë e Punëtorëve të Brazilit, si dhe të promovojë forcimin e secilës parti dhe zhvillimin e përparimin kombëtar, në mënyrë që të udhëheqë zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve Kinë-Brazil në epokën e re dhe të bëjë më shumë përpjekje për të krijuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët të njerëzimit.
Lula në letrën e vet të urimit tha se këtë vit Brazili dhe Kina do të festojnë 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Këta janë 50 vjet shkëmbimesh e bashkëpunimi dhe thellimi të miqësisë mes dy palëve drejt synimit të ndërtimit të një komuniteti me të ardhme të përbashkët. "Vitin e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm Xi Jinping dhe unë së bashku promovuam ngritjen e partneritetit strategjik gjithëpërfshirës midis dy vendeve në një nivel të ri. Marrëdhëniet Brazil-Kinë janë të rëndësishme jo vetëm për të dy vendet, por edhe për botën. Ne do të konsolidojmë mekanizmat tradicionalë të qeverisjes globale si Kombet e Bashkuara nëpërmjet bashkëpunimit, duke forcuar mekanizmat kyçë të bashkëpunimit Jug-Jug, si Grupi i 77 Vendeve plus Kina, BRICS dhe Forumi Kinë-CELAC dhe vendet BASIC”, shtoi presidenti Lula. (Fang Xiaoyu/Artan)