Grejsi Lita me Xhulbeten e cila mbrohet nga UNESCO ( Fot Personale)
Grejsi Lita, ndonëse vetëm 13 vjeç nuk është vetëm një artiste, por edhe shembull frymëzimi për të rinjtë. Me ndihmën e mësuesve dhe mbështetjen e familjes, ajo ka arritur të shfaqë talentin e saj në konkurse, evente dhe ekspozita të ndryshme. Grejsi shprehet për dëshirën e saj për të ndjekur karrierën si stiliste në të ardhmen, duke u fokusuar në realizimin e ëndrrave të saj dhe në kultivimin e pasionit për artin dhe dizajnin.
Me talentin dhe përkushtimin për të arritur sukses, Grejsi Lita është një shembull frymëzimi për të gjithë ata që ndjekin pasionet e tyre dhe kërkojnë të shkëlqejnë në botën e artit dhe dizajnit. Përves muzikës, aktrimit apo sfilatave të cilat ajo i ka ndjekur që në moshën 4-vjeçarë, ka pak kohë që ka ndryshuar qasje drejt një rrugëtimi shumë unik si ai i prodhimit apo stilimit të veshjeve, duke marrë vlerësime në kompeticione të ndryshme për mënyrën se si ajo realizon një projekt.
Grejsi Lita dhe punimet e saj ( foto personale)
CMG: Grejs nga intervista e fundit që kemi pasur bashkë, çfarë ka ndryshuar në jetën tënde?
Grejsi Lita: Jam ende e motivuar me të njëjtin pasion dhe dëshirë për të arritur sukses. Megjithatë, është e vërtetë që në këtë rrugëtim kam përjetuar rritje dhe pjekuri. Kam filluar të marr më seriozisht ëndrrat e mia dhe kam krijuar më shumë mundësi për të fituar eksperiencë. Gjatë kësaj kohe, kam pasur mbështetjen e mësuesve dhe prindërve të mi, të cilët kanë qenë pranë meje në çdo hap.
CMG: Sapo ke reflektuar një pasion të rrallë për fëmijët që është kostumografia dhe art and craft, a mund të na flasësh për këtë pasion dhe punimet e tua?
Grejsi Lita: Nëse ke pasione, dëshira dhe ëndrra, duhet t'i shprehësh ato dhe t'i realizosh në praktikë. Kjo është mënyra si mua më kanë edukuar, dhe unë ende ndjek këtë parim me qëllim që të shprehë suksesin tim. Jam e lumtur që në shumë mënyra, kam arritur të materializoj ëndrrat e mia edhe në moshën time të re. Për shembull, në një ekspozitë për festat e nëntorit, e cila u organizua në bazë të filmit "Nëntori i Dytë" dhe u paraqit në miniaturë, unë bëra një pjesë ku Marigoja po qëndronte pranë flamurit. Një punë tjetër që e dedikova ishte krijimi i një veshjeje "Çame" me fije ari. Përveç kësaj, në një koncert të organizuar nga Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, ku u përfshi edhe kostumografia, unë prezantova një xhubletë në një stil modern. Një tjetër moment ishte në një ekspozitë në galerinë e arteve, ku prezantuam kostumografinë e personazheve të rëndësishëm dhe unë kisha përgatitur veshjen e Ismail Qemalit.
Përveç kësaj, kam punuar në projekte të ndryshme, duke përfshirë kartolina dhe punime artistike që shfaqin imagjinatën tonë. Puna ime e fundit është "Art Craft", një punë që e quaj shtëpia e ëndrrave të mia, ku kam projektuar një shtëpi me duart e mia, për të shfaqur se si e shoh jetën dhe botën përreth meje. Secila punë që kam krijuar është unike në mënyrën e saj dhe ka qëllimin e vet të caktuar.
Grejsi Lita dhe punimi i saj per figuren e Ismail Qemalit ( foto personale)
CMG:Kush të ka ndjekur dhe suportuar në këtë rrugëtim kaq të bukur?
Grejsi Lita: Familja ime ka qenë një burim i madh i mbështetjes për mua. Nëse nuk do të kisha këtë mbështetje, nuk do të isha në gjendje të realizoja shumë prej aktiviteteve që kam arritur të bëj. Gjithashtu, mësuesit e mi kanë qenë një burim i rëndësishëm i inkurajimit dhe mbështetjes për pasionet dhe talentin tim. Më bën shumë të lumtur që mund të kontribuoj në mënyrë pozitive me aftësitë e mia. Megjithatë, për artin tim, vlerësimi më i rëndësishëm vjen nga të tjerët.
Grejsi Lita dhe punimet e saj ( foto personale)
CMG: Cilat janë komentet më të shpeshta që ke dëgjuar për veten, pasi i ke dhënë dorën e fundit një punimi tejet të gjatë?
Grejsi Lita: Ka pasur shumë opinione në lidhje me punët e mia. Megjithatë, gjëja që më ka pëlqyer shumë është fakti që kam frymëzuar shumë të rinj që të ndjekin pasionin për kostumografinë, si unë, dhe të ndjekin ëndrrat e tyre.
CMG: A është e vështirë që të gjesh materiale realizuese?
Grejsi Lita: Kjo është një pyetje e rëndësishme dhe frymëzuese. Nëse keni një dëshirë të fortë për të krijuar një punë personale, ka shumë mundësi dhe materiale në dispozicion për t'u përdorur. Materialet e nevojshme janë shpesh kudo rreth nesh ose në afërsi. Mund të shfrytëzojmë edhe materiale të riciklueshme si tapat e shisheve, kartonat dhe shumë të tjera, sipas kreativitetit tonë dhe mundësive që kemi në dispozicion.
Grejsi Lita dhe punimet e saj ( foto personale)
CMG: Idetë besojmë se janë gjëja më e veshtirë. Kush t’i ushqen idetë që ti më pas i vë në praktikë?
Grejsi Lita: Mësuesja ime e kostumografisë dhe skenografisë është burimi im i parë i ideve. Fillimisht, ajo më ofron sugjerime dhe udhëzime. Më pas, ne si nxënës propozojmë idetë tona dhe i realizojmë ato në praktikë. Kjo punë kërkon shumë imagjinatë dhe kreativitet.
Grejsi Lita dhe punimet e saj ( foto personale)
CMG: A është kostumografia ëndrra jote për t’u bërë në të ardhmen një stiliste e zonja?
Grejsi Lita: Mendoj se po, pasi jam përfshirë dhe shumë e apasionuar për aktrimin, unë po ndërtoj një vizion për të ardhmen time si një artiste që mund të përfaqësojë të dy pasionet në një kohë. Kjo më jep mundësinë të krijoj një figurë artistike të integruar. Si një vajzë me shumë ëndrra, shpresoj që një ditë këto ëndrra do të realizohen.
Intervistoi :Megi Latifi