Xi Jinping-u takon ministrin e Jashtëm rus Lavrov
2024-04-09 21:15:52

foto nga CMG

foto nga CMG

Të martën, presidenti i Kinës Xi Jinping u takua me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov në Pekin.

Xi Jinping-u i kërkoi Lavrovit që t'i përcjellë përshëndetjet e tij të sinqerta presidentit Putin. Presidenti Xi vuri në dukje se ky vit shënon 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Rusisë. Kina dhe Rusia kanë bashkuar duart për të krijuar një rrugë të re të bashkëjetesës harmonike dhe bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë midis vendeve të mëdha dhe vendeve fqinje, e cila ka sjellë përfitime për të dy vendet e popujt e tyre dhe ka kontribuar me mençuri dhe forcë për drejtësinë ndërkombëtare. "Presidenti Putin dhe unë ramë dakord të vazhdojmë të mbajmë shkëmbime të ngushta për të siguruar që marrëdhëniet Kinë-Rusi të zhvillohen gjithmonë pa probleme dhe në mënyrë të qëndrueshme. Të dyja palët duhet të shfrytëzojnë rastin për të festuar 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe mbajtjen e Vitit Kulturor Kinë-Rusi për të zbatuar plotësisht një seri konsensusesh të rëndësishme të arritura nga presidenti Putin dhe unë”, u shpreh presidenti Xi. 

foto nga CMG

foto nga CMG

Presidenti Xi theksoi se Kina mbështet popullin rus në ndjekjen e një rruge zhvillimi që i përshtatet kushteve të veta kombëtare dhe mbështet Rusinë në luftimin e terrorizmit dhe ruajtjen e sigurisë dhe qëndrushmërisë shoqërore. Kina i ka kushtuar gjithmonë një rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve kino-ruse dhe është e gatshme të punojë me Rusinë për të intensifikuar komunikimin dypalësh, për të forcuar bashkëpunimin strategjik shumëpalësh në kuadër të BRICS, Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe mekanizmave të tjera, për të treguar më shumë përgjegjësi dhe për t'u bashkuar me vendet e Jugut Global në frymën e barazisë, hapjes, transparencës dhe gjithëpërfshirjes, duke promovuar reformën e sistemit të qeverisjes globale dhe duke udhëhequr efektivisht ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

foto nga CMG

foto nga CMG

Lavrovi i përcolli presidentit Xi përshëndetjet e përzemërta dhe urimet më të mira të presidentit Putin. Ai tha se, nën udhëheqjen e fortë të presidentit Xi, Kina ka pasur arritje të njohura botërisht dhe ka ofruar mundësi të rëndësishme për vendet e tjera për të arritur një zhvillim të përbashkët. Rusia e admiron thellësisht këtë. Prioriteti i politikës së jashtme të Rusisë është konsolidimi dhe përmirësimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve me Kinën. Rizgjedhja e suksesshme e presidentit Putin siguroi vazhdimësinë e marrëdhënieve Rusi-Kinë. Marrëdhëniet Rusi-Kinë bazohen në barazinë dhe përfitimin reciprok, duke tejkaluar aleancat e Luftës së Ftohtë dhe duke treguar qëndrueshmëri të fortë. Rusia është e gatshme të punojë me Kinën për të zbatuar me ndërgjegje konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shtetit, për të forcuar bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh dhe për të punuar me vendet e tjera të Jugut Global për të forcuar unitetin e bashkëpunimin dhe për të kontribuuar në formimin e një rendi ndërkombëtar më të drejtë.  (Fang Xiaoyu/Artan)