foto nga CMG
Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime me presidentin e Shteteve të Federuara të Mikronezisë Wesley W. Simina në Pekin të martën.
Xi vuri në dukje se ky vit shënon 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Mikronezisë. Të dy vendet e kanë respektuar gjithmonë njëri-tjetrin, e kanë trajtuar njëri-tjetrin si të barabartë dhe janë angazhuar në bashkëpunim miqësor dhe me përfitime të ndërsjella, gjë që ka rritur mirëqenien e dy popujve. Kina mbështet Mikronezinë në ruajtjen e sovranitetit dhe pavarësisë kombëtare, duke ndjekur një rrugë zhvillimi që është në përputhje me kushtet e saj kombëtare, duke rigjallëruar ekonominë dhe duke përmirësuar jetesën e njerëzve. Kina është e gatshme të punojë me palën mikroneziane për ta marrë 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve si një pikënisje të re, për të ruajtur shkëmbimet e dialogun në të gjitha nivelet, për të forcuar bashkëpunimin me përfitim reciprok në të gjitha fushat dhe për t'i ngritur marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në një nivel të ri. Të dyja palët duhet t'i përmbahen pozicionimit politik të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës midis dy vendeve e bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë dhe zhvillimit të përbashkët, të përshpejtojnë bashkëpunimin në ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë", të forcojnë bashkëpunimin në infrastrukturë, të ndërthurin projektet dhe të intensifikojnë bashkëpunimin në kulturë, shëndetësi, arsim, organet e pushtetit vendor dhe shkencat humane. Më shumë të rinj nga Shtetet e Federuara të Mikronezisë janë të mirëpritur të vijnë në Kinë për studime të mëtejshme. Kina është e gatshme t'i ofrojë Mikronezisë ndihmë në trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe të kryejë trajnime për forcimin e kapaciteteve në kuadër të bashkëpunimit Jug-Jug. Të dyja palët duhet të forcojnë koordinimin e bashkëpunimin brenda kornizave shumëpalëshe si OKB-ja dhe Forumi i Vendeve Ishullore të Paqësorit, të praktikojnë së bashku multilateralizmin dhe të ruajnë drejtësinë.
Xi Jinping-u vuri në dukje se Kina dhe vendet ishullore të Paqësorit kanë një histori të gjatë shkëmbimesh, miqësi të thellë njerëzore dhe nevoja të përbashkëta zhvillimi. Zhvillimi i marrëdhënieve të Kinës me vendet ishullore bazohet në ndihmën e ndërsjellë në kuadrin e bashkëpunimit Jug-Jug, nuk synon palët e treta dhe nuk duhet të ndërhyhet në të nga palët e treta. Kina pohon se gjatë zhvillimit të marrëdhënieve me vendet ishullore të Paqësorit, të gjitha vendet duhet t'i përmbahen pavarësisë së vendeve ishullore, të vënë në plan të parë zhvillimin dhe t'i përmbahen hapjes e gjithëpërfshirjes. Vendet ishullore kanë të drejtë të zgjedhin një rrugë zhvillimi që u përshtatet kushteve të tyre kombëtare dhe të kryejnë bashkëpunim miqësor me të gjithë partnerët e zhvillimit. Kina është e gatshme të vazhdojë të ofrojë mbështetje për zhvillimin e vendeve ishullore në mënyrën më të mirë brenda aftësive të saj dhe të kryejë bashkëpunim trepalësh ose shumëpalësh.
foto nga CMG
Presidenti Simina tha se që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Federuara të Mikronezisë dhe Kinës, të dy vendet kanë respektuar gjithmonë parimet bazë të respektit të ndërsjellë, trajtimit të barabartë dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë arritur zhvillim të konsiderueshëm. Shtetet e Federuara të Mikronezisë i përmbahen në mënyrë të vendosur parimit të "Një Kine" dhe beson se ka vetëm një Kinë në botë, qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri legjitime që përfaqëson të gjithë Kinën dhe Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës. Mikronezia mbështet fuqimisht përpjekjet e Kinës në çështjet që lidhen me Tajvanin dhe Hong-Kongun. Nisma e Zhvillimit Global, Nisma e Sigurisë Globale dhe Nisma e Qytetërimit Global të propozuara nga presidenti Xi Jinping janë të një rëndësie të madhe për të ndihmuar vendet në zhvillim të arrijnë zhvillimin e përbashkët dhe të promovojnë paqen, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin botëror. "Falënderojmë Kinën për ofrimin afatgjatë të ndihmës së saj të vlefshme për zhvillimin ekonomik dhe social të Shteteve të Federuara të Mikronezisë dhe vendeve të tjera ishullore të Paqësorit. Ne jemi të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin në bujqësi, peshkim, ekonomi dhe tregti, investime, turizëm, ekonominë digjitale dhe fusha të tjera në kuadër të kornizës së nismës 'Një brez, një rrugë' për t'iu përgjigjur së bashku ndryshimeve klimatike. Bashkëpunimi i Kinës me vendet ishullore të Paqësorit është i favorshëm për paqen dhe zhvillimin rajonal, dhe Mikronezia do të vazhdojë të promovojë në mënyrë aktive bashkëpunimin midis vendeve ishullore dhe Kinës”, theksoi presidenti Simina.
Pas bisedimeve, të dy krerët e shtetit bashkërisht dëshmuan nënshkrimin e një sërë dokumentesh bashkëpunimi dypalësh për ndërtimin e përbashkët të nismës "Një brez, një rrugë" mbi zhvillimin e gjelbër, bujqësinë, mjekësinë dhe shëndetësinë, infrastrukturën, bashkëpunimin zhvillimor dhe fusha të tjera.
Të dy palët do të publikojnë një "Deklaratë të përbashkët midis Republikës Popullore të Kinës dhe Shteteve të Federuara të Mikronezisë".
foto nga CMG
Para bisedimeve, presidenti Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan mbajtën një ceremoni mirëseardhjeje për presidentin Simina e bashkëshorten e saj në sheshin jashtë portës lindore të Pallatit të Madh të Popullit.
Kur presidenti Simina mbërriti, Roja e Nderit u rreshtua për ta përshëndetur. Dy krerët e shtetit u ngjitën në tribunë dhe banda frymore ushtarake luajti himnet kombëtare të të vendeve, duke përshëndetur me 21 të shtëna armësh në sheshin "Tiananmen". I shoqëruar nga Xi Jinping, Simina kaloi në revistë Rojën e Nderit të Ushtrisë Popullore Çlirimtare Kineze.
Po atë mbrëmje, Xi Jinping dhe Peng Liyuan shtruan një banket mirëseardhjeje për presidentin Simina dhe bashkëshorten e tij në Sallën e Artë të Pallatit të Madh të Popullit.
Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi ishte i pranishëm në këto aktivitete. (Fang Xiaoyu/Artan)