Kasti i aktorëve (Foto Teatri Metropol)
Shfaqja “Para perëndimit” në premierë në Teatrin “Metropol” në Tiranë ka ngjitur në skenë mbi 20 artistë, duke u mirëpritur nga publiku. Vepër e nobelistit gjerman Gerhart Hauptmann, shfaqja trajtoi një katastrofë familjare në sfondin e një bote të trazuar. Drama e Gerhart Hauptmann, na jep një mundësi për të shqyrtuar vendin e individit në botën bashkëkohore. A janë zgjedhjet e tij të lira apo të kontrolluara?
Pamje nga shfaqja(Foto Teatri Metropol)
“Para Perëndimit” përqendrohet në dramën e “mungesës së lirisë” me të cilën përballet 70-vjeçari Matthais Clausen. Tre vite pas vdekjes së gruas së tij, ai bie në dashuri me një vajzë të re që quhet Inken, por që pengohet nga të gjithë ata që e rrethojnë, mbi të gjitha edhe nga familja e tij, e cila e sheh këtë histori dashurie si kërcënim të trashëgimisë financiare dhe shpirtërore të familjes.
Fundi i shfaqjes (Foto Teatri Metropol)
Në një prononcim për mediat, aktori Genc Fuga është shprehur për këtë rikthim pas sfidës që kaloi me shëndetin: “Në kthimin e tanishëm, besoj shumë tek mrekullitë që i kam patur me një ritëm shumë të lartë në këtë fazë, ishte qershia mbi tortë propozimi i Indrit Çobanit dhe Andia Xhungës, për të interpretuar në këtë shfaqje, me një pjesë farë të vogël në këë produksion. Gjatë kohës së mungesës më kishte marrë shumë malli, jo për atë errësirën e thellë që zakonisht ndjejnë të sëmurët, por atë errësirën tek spektatorët, duartrokitjet e tyre, frymëmarrjet e tyre dhe reagimet e tyre”.
Foto nga shfaqja Para perëndimit Teatri Metropol)
Drama “Para perëndimit” me regji nga Andia Xhunga dhe Indrit Çobani, u vu në skenë më 5 prill, por do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit “Metropol” në datat 11,12,13 prill në orën 19.00. Në kastin e aktorëve janë Genc Fuga, pas rikuperimit të tij shëndetësor, si dhe aktorë të tjerë të njohur Alfred Trebicka, Ilirda Bejleri, Elia Zaharia, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Alex Seitaj, Luli Bitri, Alert Çeloaliaj, Pjerin Vlashi, Vasjan Lami, Klesta Shero, Roerd Toçe, Ligoraq Riza, Elona Hyseni, Kastriot Ramollari, Artur Vera, Laura Hoxha, Megi Duka, Maringlen Domi, Xhoni Spahi, Adela Gjyla. Skenografia e dramës është realizuar nga Genc Shkodrani, kostumografia nga Edlira Qyshka, ndërsa kompozitori i shfaqjes është Endri Sina.
Sava Lena