Në varrezat publike Tianqiao në Lanzhou, kryeqendra e provincës Gansu të Kinës veriperëndimore, dielli përshkon selvitë anës rrugës, duke hedhur dritë mbi krizantemat që rrethojnë varret.
Foto:VCG
E gjithë varreza është e mbështjellë në një qetësi solemne, e ndërprerë vetëm nga murmuritjet e herëpashershme të vizitorëve.
Në Kinë, Festivali Qingming, i cili u kremtua të enjten e kaluar ka tradita të vjetra të pastrimit të varreve dhe adhurimit të paraardhësve. Nga ekuinoksi pranveror deri në Qingming çdo vit, pastrimi i varreve arrin kulmin në varreza, të cilat presin deri në 6000 vizitorë çdo ditë.
Pavarësisht fluksit të këtij viti, varrezat mbeten të qeta dhe të rregullta, shumë larg nga ajo që ishte në të kaluarën, kur ajri shpesh ishte plot me tym të rëndë dhe pluhur nga djegia e parave prej letre.
Shumë kinezë besojnë se djegia e parave prej letre mund të sigurojë një jetë të begatë të përtejme për të dashurit e tyre të vdekur.
"Ne tani përdorim lule të freskëta në vend të ofertave tradicionale të letrës për pastrimin e varreve, pasi është më miqësore me mjedisin dhe më e sigurt," tha Wang Wei, i cili punon në varrezat Tianqiao.
Wang tha se ritet tradicionale kanë shkaktuar shpesh here zjarre pasi varrezat zakonisht ndodhen pranë zonave pyjore.
Vitet e fundit, qeveria kineze ka promovuar mbrojtjen e mjedisit, duke inkurajuar ndryshime në disa zakone varrimi dhe rituale, duke optimizuar shërbimet funerale në internet dhe offline dhe duke nxitur aktivitete më moderne përkujtimore.
Lule në vend të parave prej letre, shirita për të shprehur ngushëllimet, shkrimi i letrave dhe pastrimi i varreve janë ndër mënyrat për të nderuar të vdekurit që po fitojnë popullaritet në të gjithë vendin.
Wang, i cili ka punuar në varrezat e Tianqiao për 16 vjet, ia atribuon pranimin e përhapur të ritualeve me përmbajtje të ulët karboni dhe të thjeshtuar, ndryshimit të perceptimit të publikut për jetën dhe vdekjen.
Foto:VCG
"Gjithnjë e më shumë njerëz kanë filluar të kuptojnë se thelbi i adhurimit të paraardhësve dhe përkujtimit të të dashurve të tyre është kujtimi i tyre i përzemërt" tha Wang.
Sipas Liu Wansheng, pronari i një agjencie funerali në Lanzhou, një numër në rritje i njerëzve që jetojnë larg vendlindjeve po i kthehen adhurimit dhe pastrimit të varreve me përfaqësues, si dhe shërbimeve përkujtimore në internet.
Deri në fund të marsit, agjencia funerale kishte kryer më shumë se 1200 shërbime përkujtimore në internet dhe kishte hapur mbi 300 salla përkujtimore në internet.
Këtë vit, 36-vjeçari Wang Fangfang, një anëtare e stafit të agjencisë së funeralit në Lanzhou, filloi të ofrojë shërbime profesionale të këshillimit të funeralit.
"Disa njerëz ndihen të mbingarkuar kur përballen me vdekjen e një personi të dashur dhe ata mund të na thërrasin për ndihmë," tha ajo, duke vënë në dukje se ka vërejtur se gjithnjë e më shumë njerëz po i shohin funeralet në mënyrë racionale, vetëm duke shpresuar se ata janë të denjë dhe plot respekt.
Në vend që të ngrenë gurë varresh, disa po zgjedhin alternativa miqësore me mjedisin, si varrosjet në mur, pemë ose lëndinë.
"Këto lloje të reja varresh zënë vetëm rreth 0.8 metra katrorë, afërsisht gjysmën e hapësirës së varreve tradicionale," tha Yang Xiaoping, drejtori i varrezave Tianqiao.
Sipas Ministrisë së Çështjeve Civile të Kinës, pranimi publik i metodave ekologjike të varrimit ka qenë në rritje vitet e fundit. Gjatë tre viteve të fundit, përqindja e njerëzve që zgjedhin varrosje miqësore me mjedisin është rritur në 3.2 përqind në Kinë.
"Për një kohë të gjatë, të folurit për vdekjen ka qenë një tabu për kinezët, dhe disa në sektorin e shërbimeve funerale madje u është dashur të shmangin përmendjen e profesionit të tyre tek të tjerët, ose shtrëngimin e dorës me njerëzit e tjerë.
Disave madje u është dashur të shmangin pjesëmarrjen në dasma dhe festime të tjera”, tha Liang Wei, kreu i departamentit të menaxhimit gjithëpërfshirës të agjencisë funerale në Lanzhou.
Foto:VCG
"Megjithatë, gjërat kanë ndryshuar. Publiku, veçanërisht të rinjtë, po bëhen më mendjehapur dhe na konsiderojnë thjesht si njerëz që punojnë në sektorin e shërbimeve," tha Liang.
Prandaj, një numër në rritje i të rinjve janë të gatshëm të bashkohen me industrinë e funeralit, sipas Liu. Rekrutimi në agjencinë e funeralit nuk është aq sfidues sa ishte më parë dhe anëtarët e stafit nën moshën 40 vjeç përbëjnë rreth gjysmën e totalit aktual të tij.
"Vdekja është pjesë e jetës dhe funeralet janë ceremonitë e fundit të lamtumirës për të ndjerin. Të kuptuarit e vdekjes mund të çojë gjithashtu në respekt më të mirë për jetën," shtoi Liu.