Dita Nderkombetrae e Librit per Femije - foto Qendra e Librit
Libër mbi ngulimet e sotme arbëreshe - foto ATSH
Në Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit u ndanë vlerësimet për fituesit e këtij viti të Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj. Juria vlerësoi mes 9 dorëshkrimeve veprat: “Purple 2”, “Laku i Plakut” dhe “Vëllim me poezi”.
Shkrimtari Ermal Lala u shpall fitues për romanin “Purple 2”, botuar nga shtëpia botuese “Albas” me motivacionin: “Për rrjedhshmërinë e një rrëfimi që përfshin problematika shoqërore të brezit të ri”.
Andris Lleskai për librin me poezi “Laku i Plakut”, nga shtëpia botuese “Emal” me motivacionin: “Për poezi që synojnë gjetjen e shtigjeve të reja në figuracion dhe për imazhet që ndërton përmes vargjeve”.
Ndërsa Bujar Hoxhaj për librin me poezi “Vëllim me poezi”, nga shtëpia botuese “Dudaj” me motivacionin: “Për poezi që prekin tematika të ndjeshme të bashkëkohësisë dhe për një varg të ndërtuar mbi themele të letërsisë dhe kulturës botërore”.
Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj çdo vit, u jep mundësinë 3 autorëve të rinj të botojnë veprat e tyre të para. Juria e këtij viti kryesohej nga Dom Gjergj Meta, me anëtarë Blendi Salaj e Brajan Sukaj.
Tre fituesit e Fondit te Krijimtraise per te rinj
Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë
Përmes aktiviteteve të ndryshme, u përkujtua në vendin tonë Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë. Në këtë ditë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, përcolli një mesazh mirënjohjeje ndaj autorëve shqiptarë që lëvruan letërsinë për fëmijë, veprat e të cilëve kanë edukuar dhe formësuar breza të ndryshëm.
Në këtë ditë në Qendrën e Librit u zhvillua një takim i bukur me fëmijët mbi vlerat e leximit. U kujtuan shkrimtarët, Tasim Gjokutaj në 80 - vjetorin e lindjes dhe Bedri Dedja në 20 - vjetorin e vdekjes. Të pranishmit lexuan pjesë nga letërsia e tyre artistike, duke nderuar edhe një herë kontributin e dhënë në zhvillimin e kulturës në tërësi dhe atë të artit letrar për fëmijë.
Pati të ftuar edhe shkrimtarë të tjerë të letërsisë për fëmijë, si: Teuta Kasoruho, Anila Mullahi dhe bashkëshortja e shkrimtarit të ndjerë, Shkëlzen Zalli. Fëmijët e pranishëm, lexuan pjesë të ndryshme dhe patën mundësi të pyesnin të ftuarit për shkrimtarët e preferuar, teknikat e të shkruarit, fillimet e tyre në krijimtari, etj.
Konferencë shkencore në 200-vjetorin e ndarjes nga jeta të Bajronit
Akademia e Shkencave njoftoi se së shpejti do të organizojë një konferencë shkencore kushtuar “bajronizmit në botën shqiptare”, si një nga dukuritë më të hershme të mitit të traditës, të evokimit të “Motit të Madh”, të romantizmit gjuhësor dhe të romantizmit ideologjik e letrar, të mitit të origjinës dhe të hyjnizimit të etnisë.
Në konferencë do të trajtohen çështje të periudhës më të hershme të romantizmit; të fillimeve të idesë shqiptare; të “utopisë kombëtare” të Rilindjes; të lidhjeve të poetëve romantikë shqiptarë me më të shquarit e kohës në Europë; të projekteve për një “Shqipëri zonjë”; të qasjes romantike europiane në letërsi e dije; të veprave të krijuara në klimën e “Child Harold”, etj.
Bajroni dhe Ali Pashai ne pikture - foto ATSH
Do të jenë të ftuar studiues shqiptarë nga gjithë hapësira historike (Kosovë, Maqedoni e Veriut, arbëreshë e arvanitë, nga Mali i Zi) etj. Në konferencë do të diskutohet mbi çështje nga fusha të ndryshme të albanologjisë: studime letrare, historiografi e antropologji.
ASHSH bën me dije se konferenca do të zhvillohet në muajt e ardhshëm dhe kalendari do të bëhet i njohur së shpejti.
Libër mbi ngulimet e sotme arbëreshe
Për herë të parë, informacioni mbi ngulimet arbëreshe vjen i strukturuar në librin “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe”, i autorëve Antonio Bellusci dhe Ornela Radovicka.
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët shkruan se libri sjell një “skanim” të plotë të të gjitha ngulimeve të sotme arbëreshe, duke prezantuar veçoritë e secilës krahinë, arkitekturën, vendet, monumentet kulturore e fetare, traditat dhe personalitetet kryesore që u përkasin këtyre ngulimeve.
Sipas QSPA, teksti nuk ka thjesht trajtën e informacionit të aktualizuar mbi këtë komunitet të diasporës historike shqiptare, por ka edhe trajtë enciklopedike, sepse secilin prej ngulimeve e trajton në rrafshin sinkronik dhe në atë diakronik.
Pasioni shkencor i autorëve për të shkelur në terren, për të parë nga afër dhe për të dokumentuar gjithçka arbëreshe në Itali ka sjellë një guidë të çmuar orientuese për gjendjen e kësaj vatre arbërore në Itali.
Ekspozite dhe tryeze shkencore per studiuesin Ali Aliu- foto Atsh
Ekspozitë dhe tryezë shkencore kushtuar prof. Ali Aliut, në 90-vjetorin e lindjes
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Ali Aliu, çeli një ekspozitë e cila solli në vëmendje të publikut gjithë kontributin e tij si kritik dhe studiues i letërsisë.
Letërsia shqipe e traditës dhe sidomos letërsia bashkëkohore janë fusha kryesore të punës së prof. Ali Aliu.
Ali Aliu është autor i librave me kritika, ese e studime: “Kërkime” (1971), “Shqyrtime” (1974), “Rrjedhave të letërsisë” (1977), “Kritika” (1980), “Teoria e letërsisë” (1986), “Don Kishoti te Shqiptarët” (1996, 2005), “Reflekse letrare” (1999), “Magjia e fjalës” (2003) etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së. Ndërkohë Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizoi edhe një tryezë shkencore kushtuar jubileut të lindjes së tij, organizuar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës.
Në këtë tryezë morën pjesë e referuan nga Tirana shkrimtari Zija Çela, dr. Arian Leka (përgjegjës i sektorit të enciklopedisë në QBEA), akad. Shaban Sinani. Pjesëmarrës në linjë ishte edhe akad. Matteo Mandalà, anëtar i jashtëm i ASHSH.
Akademik Ali Aliu lindi më 1 prill të vitit 1934 në Prespë. Ai është autor i 65 studimeve monografike dhe përmbledhjeve me studime. Ka mbi 130 artikuj shkencorë të botuar dhe mbi 100 recensione; përkthyes nga shqipja në gjuhë të fqinjëve i 25 veprave dhe redaktor shkencor e përgatitës botimesh për rreth 50 tituj.
Përgatiti: N. Kraja