Ekspertët përkrahin propozimin per pension jo më pak se 300 euro
2024-04-08 09:50:33

Pensionistët(Foto Ballkanweb)

Pensionistët(Foto Ballkanweb)

Ekspertja e ekonomise Zana Guxholli ka komentuar zhvillimet më të fundit për sa i përket çështjeve të pensioneve. Në një interviste televizive ajo ka folur për skemën e pensioneve dhe mundësitë që ka qeveria për ta rritur masën pa cenuar buxhetin. Së fundmi me firmën e Gazment Bardhit, Rithemelimi ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, projektligjin për rritjen e pensioneve. Sipas deputetëve, duhet që të ketë një trajtim dinjitoz për pensionistët, teksa shtojnë se qeveria i ka mundësitë për këtë financim. Ata kërkojnë që mos të ketë pensionin nën 300 euro deri në vitin 2029. Por a është kjo diçka e arritshme? Ekspertja e ekonomisë, Guxholli thotë se po të marrim parasysh shtrirjen në kohë, është e mundur.

“Mënyra se si është bërë propozimi është shtrirë pak në kohë, kjo shkon deri në vitin 2029 gjë që është lehtësisht e mundshme, sepse në përgjithësi skema është e tillë jo vetëm këtu por edhe në vende të tjera, sidomos në vende të pazhvilluara. Pensionet janë një fond i veçantë që krijohet në mënyrë të detyrueshme nga shteti, pra paratë që ne fitojmë na detyrojnë që në momentin kur fillojmë realizojmë të ardhurat, t’i derdhim në një cep të caktuar, një vend të caktuar, që në këtë rast është buxheti i shtetit këtu tek ne, sepse e tillë është skema. Pastaj këto para përdoren për t’i dhënë pensione njerëzve, të cilët në një moment të caktuar të jetës së tyre nuk mund të punojnë dhe duan të mbajnë një standard të caktuar jetese. Kjo është bërë me detyrim sepse në momentin kur fillojnë dhe punojnë as nuk u shkon në mëndje për një të ardhme të largët siç është ajo e pensionit. Këto para shteti i hedh në një xhep të madh, dhe pastaj nuk është se përdor këtë fond siç është skema në vendet e ekonomive të zhvilluara me kapitalizëm të zhvilluar, por merr nga taksat tona, paratë të cilat i shpërndan për pensionet dhe nga të cilat pjesërisht janë të derdhura nga ne që punojmë dhe pjesa tjetër nga taksat përsëri që ne paguajmë.”

Një hap i tillë, sipas Guxhollit bën që të rritet standardi i jetesës së pensionistëve pasi aktualisht pensionet janë në nivel të papërballueshëm, duke marrë parasysh kostot.

Ekspeertja Zana Guxholli (Foto Universiteti M. Barleti)

Ekspeertja Zana Guxholli (Foto Universiteti M. Barleti)

“Duke qenë të tilla kjo skemë e ka të mundshëm faktin që të ndryshojë mënyrën se si shpërndan të ardhurat që mbledh në buxhet. Deri tani skema e sotme dhe 48 % e ka me financim nga buxheti i shtetit nga taksat, pjesa tjetër janë kontributet që derdhim ne. Me të mirat dhe të këqijat e saj që ka kjo skemë, duke qenë se buxheti ka një fjalë të madhe me të pra taksat tona, dhe duke qenë se pensionistët janë një numër i madh të cilët jetojnë me një kufi pothuajse varfërie sepse pensionet tona janë qesharake. Duhet menduar për t’i rritur atyre standardin e jetesës, për t’i kthyer në jetë normale, në kushte minimale njerëzore, njëkohësisht për t’i dhënë pak dinjitet dhe kjo mund të bëhet. Po t’i referohemi si trajtohet pjesa që derdhet në buxhetin e shtetit në të gjithë vendet e zhvilluara si Anglia apo Amerika apo vende të tjera, ato indeksojnë pensionet dhe çdo vit, indeksimi nuk është 1 % apo 0.5%, por është 8 apo 7 apo 10 % pra merret masa e inflacionit plus rritje e vogël që mund t’i bëhet si rezultat i kontributit që ka atje shteti.”

Në intervistën për Klan News, ekspertja jep  edhe orientime se si mundet të bëhët një rritje e masës së pensionit nga qeveria, pa vënë në vështirësi buxhetin.

“Mua më duket që deri në vitin 2029 me një mirëmenaxhim të ri të shpërndarjes të taksave tona dhe duke mënjanuar pagesat e kota të koncesioneve të PPP apo edhe të infrastrukturës që janë të domosdoshme mund të arrihet kjo. Pse është kjo kaq e domosdoshme?  Pensionet nuk janë vetëm një barrë siç i shohim ne, një shpenzim që duhet bërë për ata që nuk mund të punojnë. Nëse skema e pensioneve dhe masa e tyre është e ekuilibruar ata janë kontribuues në ekonomi dhe në rritjen ekonomike sepse pensionet dinjitoze, pensionet e mira, rrisin shpenzimet e familjeve.”

Në finale një rritje pensioni sipas ekspertëve përkthehet në rritje konsumi.

“Leku qarkullon, ata rrisin kërkesën gjithashtu dhe bizneset kanë mundësi të ofrojnë më tepër dhe veç kësaj paratë që janë të derdhura për pensionet dinjitoze, pra me të 3 shtyllat, merren nga fondet e pensioneve që dhe këto janë të detyruara, shteti ka pushtetin dhe investon, në këtë mënyrë injekton para në ekonomi. Pra ky është një problem jo i thjeshtë me aritmetikë të thjeshtë që kam derdhur kaq dhe do marr aq, por duhet parë si një agregat, si një skemë makroekonomike, e menduar afat shkurtër, afat mesë, dhe afat gjatë. Kjo duhet konsideruar”.

Duke çuar pensionin minimal në të paktën 300 euro, kjo do të ketë efekt zinxhir rritës edhe tek nivelet e tjera të pensionit në vend.

“Patjetër që ndikon në rritjen dhe ndryshimin e të gjithë treguesve, guri fillestar duhet të jetë minimumi jetik, e drejta kushtetuese.”

Pensione 300 euro ( Foto Ekonomi)

Pensione 300 euro ( Foto Ekonomi)

Guxholli shpjegon se përse vendoset më pak minimumi jetik  se sa pensioni.

“Ka ndryshim, minimumi jetik është më i vogël se pensioni dhe se rrogat. Janë të mirat dhe shërbimet minimale, bazë që i jepen një individi apo një familjeje, varet si e sheh, për të garantuar jetesën dhe mbijetesën. Në vende të ndryshme është ndryshe. Është si shprehja popullore, që ne themi punon për një copë bukë, po ta përkthesh nga anglishtja ata për një copë bukë, gjalpë dhe djathë.”

Grupi Parlamentar i Partise Demokratike ka ndërmarre një nisme ligjore që synon rritjen e pensioneve minimale, veçanërisht pensionistëve në zonat rurale, duke vendosur një standard minimal të masës së përfitimit, pavarësisht llojit të pensionit, si dhe duke zhbëre ato parashikime ligjore që e kufizojnë të drejtën e përfitimit të pensionit me tërheqjen ose jo të tij gjatë tre viteve të fundit. Në gjendjen civile të Shqipërisë aktualisht janë të regjistruar 713 mijë pensionistë.