Altin Zogaj
Boksieri shqiptar Altin Zogaj jeton prej 26 vitesh me familjen në Gjermani. Fillimi i karrierës së tij në boks është i veçantë, pasi në të kaluarën Zogaj ishte pjesë e sportit më të popullarizuar në botë, futbollit, ku nuk pati karrierë të gjatë. Ai e la futbollin për shkak të obligimeve personale, por më pas falë vëllait të tij Milotit, i cili po ashtu është boksier, jeta e një futbollist mori rrugëtim tjetër. Boksieri shqiptar me prejardhje nga Drenica është shpallur kampion i Gjermaisë në kategorinë gjysmë të rëndë dhe në qershor të vitit të kaluar është shpallur kampion i Europës në peshat e lehta, IBO. ku triumfoi ndaj boksierit italian, Richardo Valentino në ndeshjen e zhvilluar në Shtutgart të Gjermanisë.
Në një intervistë për Radio Ejani Altini flet për arritjet në boks si dhe synimet për t’u bërë kampion bote.
Boksieri Altin Zogaj gjate nje ndeshje
CMG: Si lindi pasioni për boksin dhe rrugëtimi në këtë sport?
Altin Zogaj: Unë fillimisht e kam nisur si boksier amator, më vonë më ka ecur shumë mirë ky sport dhe kam vendosur të bëhem profesionist. Në maj të vitit 2018 kam kaluar te profesionistët.
CMG: Kur ka qenë ndeshja e parë që ke zhvilluar si boksier profesionist?
Altin Zogaj: Ndeshja e parë që kam bërë si profesionist ka qenë në 5 maj të vitit 2018.
CMG: Si e kujtoni ndeshjen tënde të parë si profesionist?
Altin Zogaj: Kam kujtime të bukura, sepse herën e parë kam qenë shumë i emocionuar, por jam ndjerë dhe shumë krenar kur u bëra profesionist.
CMG: Cilat kanë qenë rezultatet më të larta që ke arritur me boksin?
Altin Zogaj: Rezultati më i lartë ka qenë fitorja që arrita kur u shpalla kampion i Europës, verën e vitit të kaluar. Gjithashtu edhe kur fitova brezin për kampion të Gjermanisë ka qenë një rezultat shumë i mirë për mua.
CMG: Mbani titullin kampion I Europës në boksin profesionist. Çfarë do të thotë për ju ky titull?
Altin Zogaj: Ky është një titull shumë i mirë dhe krenohem me këtë sukses. Mendoj se është vetëm fillimi, sepse unë kam ambicje të tjera për t’u shpallur kampion bote. Dëshiroj që të gjithë shqiptarët të ndjehen krenar kur i përfaqësova si kampion i Europës. Jam vërtetë shumë krenar për këto arritje.
CMG: Prej sa kohësh jetoni në Gjermnai dhe si është jeta juaj në këtë vend?
Altin Zogaj: Unë jetoj në Gjermani që prej vitit 1998 kur emigruam me familjen. Prej atij viti jetoj këtu dhe kaloj shumë mirë.
Altin Zogaj gjate pushimeve ne Dubai
CMG: Cili ka qenë momenti më i vështirë dhe ai më i mirë gjatë karrierës sportive?
Altin Zogaj: Mendoj se çdo fitore e arritur është momenti më i mirë. Normal që veçoj si moment të mirë kur u shpalla kampion i Europës. Çdo fitore të bën krenar dhe gëzohem kur fitoj. Ndërsa momente të këqija ka në çdo sport, ku edhe pse gjërat mund të shkojnë mirë, ka disa gjëra të tjera që nuk ecin ashtu si i mendon. Këto mund të jenë momentet më të dobëta dhe më të këqija.
CMG: Përveç boksit a keni pasione të tjera?
Altin Zogaj: Mua më pëlqejnë të gjitha sportet, më herët kam luajtur edhe futboll para karrierës së boksit. Futbolli më pëlqen shumë, por gjithashtu më pëlqen të kaloj kohë me shoqërinë dhe familjen time, që janë persona shumë të rëndësishëm për mua.
CMG: Para pak ditësh ishit me pushime në Dubai. Si ishte si eksperiencë Dubai?
Altin Zogaj: Kalova shumë mirë dhe ishte hera e parë që shkoja atje. Unë zakonisht pas çdo meçi bëj një pushim, për t’u rifreskuar për pregatitjet e radhës. Kësaj here zgjodha Dubain, ishte shumë eksperiencë e mirë dhe kalova shumë mirë. Ndërkohë që pas pushimeve mendoj se jam 100 për qind i fokusuar në përgatitjen e radhës.
CMG: Sa orë në ditë stërviteni?
Altin Zogaj: Unë stërvitem dy herë në ditë nga 1 orë e gjysëm. Pra tre orë stërvitje në ditë mesatarisht.
CMG: Kush ju ka mbështetur më shumë në rrugën sportive?
Altin Zogaj: Kam disa persona që më kanë mbështetur në çdo kohë dhe çdokush ka vendin e vet. Më shumë më ka mbështetur vëllai im, falë tij jam sot në boks. Vëllain e kam si krahun e djathtë në këtë soprt.
Altin Zohaj pas nje fitoreje
CMG: E vizitoni shpesh Kosovën dhe Shqipërinë dhe çfarë ju mungon nga vendlindja?
Altin Zogaj: Unë vij shumë shpesh në Kosovë e Shqipëri. Zakonisht javën e parë mbas çdo meçi qëndroj në Kosovë e Shqipëri dhe pastja shkoj për të pushuar diku jashtë vendit. Këtë herë nuk më ka premtuar koha të vij, por më mungon shumë kur nuk jam atje. Ndjehem si në vendin tim kur vij në Kosovë dhe Shqipëri. Verën e kaluar kam qenë dy herë në Kosovë e Shqipëri dhe shpresoj të vij këtë verë sërisht andej.
CMG: Çfarë ju ka ofruar Gjermania në fushën e boksit?
Altin Zogaj: Gjermania më ka ofruar shumë gjëra, sepse sportin e mbështet shumë. Kushtet i kemi shumë të mira, ke mundësi më shumë sesa në Kosovë e Shqipëri. Gjithashtu trajnerët janë më të mirë sepse financohen nga shteti gjerman, por dhe kushtet financiare janë më të mira. Pra mundësitë këtu janë më të mira, sepse stërvitesh si ke qejf.
Altin Zogaj ne Dubai
CMG: Keni menduar ndonjëherë të tërhiqeni nga boksi, kur keni patur momente të vështira gjatë ndeshjeve?
Altin Zogaj: Nuk e kam menduar kurrë të tërhiqem nga boksi. Mendoj se vetëm humbësit tërhiqen dhe unë nuk e kam atë mentalitet. Ka patur disa momente të vështira, se në boks nuk bëhet shaka, ngaqë është një sport luftarak, dhe çdo moment është i vështirë në këtë sport. Kam patur disa kundërshtarë të fortë, të cilat kanë qenë dhe momentet më të vështira për mua.
CMG: Si e kaloni kohën e lirë kur nuk keni stërvitje apo ndeshje boksi?
Altin Zogaj: Kam qejf shumë të rri me familjen dhe shoqërinë. Këtu kam një shoqëri shumë të mirë, dalim në qytet dhe shëtisim. Kam qejf të takoj njerëz, dhe mos të rri vetëm në shtëpi.
CMG: Cilat janë planet tuaja në lidhje me boksin në vazhdim?
Altin Zogaj: Në qershor pritet të kem ndeshjen e radhës, për mbrojtje të titullit të Europës. Pastaj do të jenë dhe ndeshje të tjera, por plani final është të bëhem kampion bote.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Altin Zogaj: Ju përshëndes të gjithëve. Gjithashtu përshëndes gjithë shoqërië, që i kam përzemër.
Intervistoi: Gazmend Agaj