foto nga Xinhua
Presidenti kinez Xi Jinping u takua të hënën me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Vietnamit Vuong Dinh Hue në Pekin.
Presidenti Xi i kërkoi Vuong Dinh Hue t'i përcjellë përshëndetjet e përzemërta Nguyen Phu Trong, Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit. Xi tha se gjatë vizitës së tij në Vietnam në fund të vitit të kaluar, ai dhe Nguyen Phu Trong njoftuan së bashku formimin e një komuniteti Kinë-Vietnam me një të ardhme të përbashkët që mbart një rëndësi strategjike, duke hapur një kapitull të ri në lidhjet dypalëshe.
Kreu i shtetit kinez shtoi më tej që, me përpjekjet e përbashkëta të dy palëve, konsensusi i arritur nga ai dhe Nguyen Phu Trong po zbatohet.
Presidenti Xi tha se tipari më dallues i marrëdhënieve Kinë-Vietnam është se të dy palët kanë mendime të njëjta e janë lidhur nga një fat i përbashkët, dhe "shokë plus vëllezër“është portretizimi më i gjallë i miqësisë tradicionale mes popullit kinez e popullit vietnamez dhe të dy partive e të dy vendeve.
Ai kërkoi përpjekje të përbashkëta nga të dy palët për të promovuar më shumë arritje në ndërtimin e një komuniteti Kinë-Vietnam me një të ardhme të përbashkët, për t'i shërbyer më mirë modernizimit të të dy vendeve, për të mirën e mëtejshme të dy popujve dhe për të dhënë kontribut më të madh për kauzën globale socialiste.
Kina është e gatshme të rrisë shkëmbimin e përvojës së fituar në qeverisjen e Partisë dhe të vendit, të lehtësojë sinergjinë midis nismës "Një brez, një rrugë" e strategjisë "Dy korridore dhe një rreth ekonomik", dhe të rrisë shkëmbimet midis të rinjve e qyteteve binjake.
foto nga Xinhua
Vuong Dinh Hue përcolli përshëndetjet e përzemërta dhe urimet më të mira nga Sekretari i Përgjithshëm Nguyen Phu Trong për Sekretarin e Përgjithshëm Xi Jinping. Ai tha se, si shokë dhe vëllezër, Partia dhe qeveria vietnameze e vlerësojnë shumë zhvillimin e përparimin e Kinës dhe i admirojnë sinqerisht arritjet historike të socializmit me karakteristika kineze që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës. Këtë vit, "Dy sesionet" e Kinës vendosën synime të tilla si zhvillimi i forcave të reja prodhuese cilësore, që është një lëvizje inovative nga socializmi dhe ofron një referencë të dobishme për Vietnamin. Vietnami i përmbahet në mënyrë të vendosur politikës së "Një Kine”, beson se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit të Kinës dhe kundërshton me vendosmëri çdo formë të aktiviteteve separatiste të "pavarësisë së Tajvanit". Çështjet e Hong Kongut, Xinjiang-ut dhe Tibetit janë punë të brendshme të Kinës dhe Kina me siguri do të ruajë qëndrueshmërinë dhe prosperitetin afatgjatë. (Fang Xiaoyu/Artan)