Këngëtari Julian Lekoçaj, me emrin e artit Julius ka nisur karrierën muzikore në moshën 19 vjeçare në festivalin Kënga Magjike 2002, për të vazhduar me pjesëmarrjen e tij në Festivalin e RTSH-së dhe ka patur pesë prezantime në edicionet e festivalit Top Fest. Në vitin 2010, si pjesë e Unix Band Juliani ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin e “Turkce Vyzion” në Turqi. Ai u largua nga skena e festivaleve për 7 vite për t'u rikthyer në 2021 në Festivalin Kënga Magjike me këngën “Perëndeshë” dhe menjëherë pas saj nisi punën për albumin e ri muzikor. Prej disa muajsh albumi "Harmony" është pjesë e të gjithë platformave dixhitale si 'Spotify', etj. Tashmë ky album, i cili përmban këngë në disa gjuhë të huaja, pritet që të vijë edhe fizikisht në një formë ndryshe këtë muaj. Për këtë Juliani flet ekskluzivisht në intervistën për programin "Muzika shqip" në Radio Ejani.
CMG: Julian Lekoçaj (Julius), me emrin e artit Julius ka shumë të reja për të na treguar. Ti ke sjellë disa këngë të reja që janë pjesë e albumit tënd të ri muzikor, por një nga të preferuarat e mia është kënga “Vetëm”. Këto këngë janë prej disa muajsh në të gjitha platformat digjitale, por na trego më shumë rreth tyre?
Julius: Realizimi i këtij materiali është multidimensional sepse kanë qenë disa artistë që kanë bashkëpunuar, duke filluar nga Serxho Hajdini që është një nga bashkëpunëtorët e mi të rregullt në pjesën e kompozimit, gjithashtu dhe Rozana Radi e cila është tekstshkruesja e këngës “Vetëm”.
CMG: Në këtë album janë plot dhjetë këngë, të cilat fillimisht janë prezantuar në platformat digjitale si Spotify etj, ku bëjnë pjesë këngë disa gjuhë të huaja.
Julius: Ishte një miniprojekt i imi, me veten time për të realizuar disa materiale në gjuhë të ndryshme, të cilat do t’i titulloja “Poliglot”, por gjatë rrugës së realizimit të albumit ndryshova ide dhe e titullova atë “Harmoni”.
Materialet janë në gjuhën angleze, franceze, spanjolle dhe shqipe. Janë disa këngë në gjuhë të ndryshme ku unë kam testuar veten time në këto gjuhë. Materialet janë duke filluar nga kënga “Vetëm” që e përmendëm, “Akoma” që është këngë e re, “Të du”, “Pa zemër” “Perëndeshë” dhe këngët e huaja si: “ One in a Million”, por në frengjisht është “Un sur un million” , “Platonika” që është spanjisht dhe flet për diçka platonike, kjo vajza është njësoj si dashuri platonike dhe djali i drejtohet asaj në gjuhën e dashurisë. Me këtë tekst më kanë ndihmuar miqtë e mi nga Spanja që jetojnë më Barcelonë, Vamis dhe Aurora, me të cilët ka qenë një bashkëpunim shumë interesant, ku nëpërmjet “Google meet” flisja në chat edhe shkruanim tekstin online të tre bashkë.
Julius (Foto personale)
CMG: Shumë interesante ideja e realizimit në disa gjuhë. Është dëshira jote për të folur në shumë gjuhë apo thjesht për të ardhur ndryshe në tregun muzikor shqiptar?
Julius: Unë gjithmonë kam dashur të jem ndryshe nga artistët e tjerë, një arsye kryesore është se unë nuk merrem me muzikën, e kam atë pasionin tim dhe gjithmonë kam dëshirë të eksperimentoj në forma të ndryshme të publikimit të materialeve muzikore dhe në një rast të tillë kam dashur të eksperimentoj në gjuhë të ndryshme. Nuk e di nëse artistë të tjerë e kanë bërë më parë në këtë formë që e kam bërë unë, por me aq sa kam informacion të gjithë mund të kenë kënduar duke filluar nga frengjishtja, spanjishtja, anglishtja dhe shqipja.
CMG: Gjuha më e dashur për ty në këto këngë cila është?
Julius: Ajo që më ngjit më tepër është spanjishtja, por për fat të keq nuk e njoh mirë si gjuhë dhe për këtë më duhet të bezdisja njerëz të tjerë, duke i dhënë tekstin që e kam shkruar dhe ata më pas ta përshtasin në spanjisht.
CMG: Pse ky guxim kaq i madh kur nuk e njeh gjuhën shumë mirë?
Julius: Gjërat vijnë duke u zbuluar dhe unë mendoj se është më mirë vonë sesa kurrë. Së fundi kam kuptuar që ritmet latine dhe ato regaton më rrinë shumë mirë në timbrin e zërit tim. “Platonika” është kënga e fundit që unë kam realizuar në këtë album që vjen së shpejti dhe të gjithë miqtë e mi kur e kanë dëgjuar më kanë thënë se duhet të vazhdoj me këtë gjuhë dhe me këtë rrymë.
CMG: Ndoshta edhe më e përqafuar nga publiku kjo rrymë muzikore, sidomos gjatë sezonit të verës?
Julius: Pikërisht, kjo është edhe një arsye më shumë.
CMG: Po me gjuhën franceze si ka ecur kënga? E njeh shumë mirë këtë gjuhë?
Julius: Gjuhën franceze e njoh, e kam bërë edhe në shkollë, por në realizimin e kësaj kënge ka qenë sërish një bashkëpunim me një artiste dhe mikeshën time, Lindita Matja e cila jeton në Francë. E kam kontaktuar dhe i thashë që kisha nevojë për një redaktim. Ajo shprehu dëshirën e saj dhe ne hodhëm idetë, e kështu realizuam një material, i cili është aktualisht në albumin tim dhe gjithashtu me videoklip në faqen time në YouTube.
Julius (Foto personale)
CMG: Ke një autor ose kompozitor të preferuar francez, të cilin e ke dëgjuar shpesh dhe të ka nxitur për të krijuar këngë në këtë gjuhë?
Julius: Është një artist, i cili nuk është francez, por belg Stromae. Me këtë artist kam ndërtuar një “feeling”, ndjenjë e cila ndërtohet kur t’i dëgjon materialet e një artisti tjetër dhe shpeshherë kurohem, duke dëgjuar materialet e këtij artisti, sepse i ka shumë të bukura dhe unë i referohem herë pa here në shijet e mia.
CMG: Në këto dhjetë këngë të albumit, cilat rryma ke prekur më shumë?
Julius: Jam përpjekur të prek më së shumti ato rryma që edhe mua më qëndrojnë me zërin si baladat, pop deri te rregetoni që është kënga spanjolle, por ka edhe house, dance, funk, hip-hop. I kam prekur pak a shumë stilet që mua më përshtaten më së shumti.
CMG: Në këtë album muzikor që e ke sjellë në platformat digjitale, ke realizuar dhe disa videoklipe. Na trego pak më tepër për realizimin e tyre dhe sa prej tyre kanë marrë më tepër vëmendje tek ti për t’i sjellë edhe në mënyrë vizuale?
Julius: Duke filluar që nga bashkëpunimi me Besin, i cili është shoku im dhe bashkëpunojmë herë pas here me njëri-tjetrin kur jemi të frymëzuar. Në rastin e këngës franceze kemi patur bashkëpunim kur bëmë xhirime në Rivierën shqiptare, një aventurë e madhe dhe shumë e bukur. Aty kemi patur një staf të tërë me vete, për të cilët duhet të kujdeseshim sepse ne ishim ata që menaxhonim të gjithë situatën. Kemi nisur xhirimet në orën katër të mëngjesit në Vlorë në Lungo Mare dhe pastaj jemi nisur shumë shpejt pas dy orësh dhe kemi shkuar në Jug. Kemi pasur disa xhirime ku vajzat duhej të kërcenin mbi makina dhe aty na dolën katër policë përpara, të cilët ishin duke u marrë me trafikun dhe na panë. Shoku im Besi ishte në timon në të njëjtën makinë me mua, kameramanin dhe vajzat që po kërcenin mbi makinë gjithashtu, mbrapa kishim kameramanin tjetër i cili kishte dal në tavanin e makinës për të xhiruar dhe kështu u bllokuam.
Në ato momente u stresuam sepse menduam se xhirimet mbaruan e mund të shkonim në komisiarat, por për fat të mirë djemtë kishin bexhën e televizionit ku punonin, ne po ashtu u sqaruam që jemi artistë dhe nuk e kishim me ndonjë qëllim të keq atë çfarë po kryenim, por thjesht po xhironim. Policët e kuptuan situatën dhe na udhëzuan për të mos bërë të tilla skena aty, po të shkonim diku ku nuk kishte njerëz që të mos bllokonim trafikun.
Më pas shkuam në Vuno ku xhiruam dhe në të njëjtën ditë do ktheheshim në shtëpi. Besi ka qenë i lodhur sa i mbylleshin sytë duke i dhënë makinës dhe pasi e mora unë makinën më ndodhi e njëjta gjë, madje ngatërrova edhe rrugën, por shkoi çdo gjë mirë dhe videoklipi u realizua me sukses. Madje ka patur shikueshmëri të madhe në Vietnam, i cili është një vend frengjishtfolës dhe me një popullaritet të madh.
Julius (Foto personale nga albumi Harmony)
CMG: Je gati të realizosh një koncert në Vietnam?
Julius: Patjetër, jam gati!
CMG: Çfarë momentesh të tjera interesante keni kaluar gjatë xhirimeve të videoklipeve?
Julius: Kënga “Vetëm” ka qenë një prej tyre.
CMG: Kjo është një këngë shumë e bukur që të fut në emocion, por përveç tekstit dhe këngës ishin dhe xhirimet e klipit me po aq emocione?
Julius: Në këtë realizim kanë qenë tre pjesëmarrës, dy miqtë e mi operatorë Arditi dhe Egzoni, të cilët i falenderoj sepse janë gjendur aty sa herë kam pasur nevojë për ta. Realizimet janë bërë në Divjakë, përgjatë lagunës dhe kemi shkuar dy herë në atë vend. Herën e parë jemi nisur në orën katër të mëngjesit dhe kemi mbërritur në orën gjashtë sepse donim të kapnim lindjen e diellit. Nuk kishim bërë asnjë provë më përpara dhe herën e parë që shkuam, duke u bërë gati lindi dielli. Ne s’e kishim llogaritur këtë pjesë, më pas dielli doli, bëmë dy xhirime dhe u kthyem. Herën e dytë shkuam pak më herët në kohë dhe e kemi realizuar vetëm një herë nga fillimi deri në fund. Nga dy realizime gjithsej kemi marrë më pas dublën e parë.
CMG: Momente shumë të bukura siç janë realizimi i një videoklipi apo kënge janë ato që mbeten gjatë në memorien e një artisti.
Julius: Po e vërtetë, madje i kam thënë djemve që kam qejf të shkruaj një libër me histori gazmore për të gjitha këto gjëra që na kanë ndodhur gjatë xhirimeve të videoklipeve.
CMG: Pas një pune vërtet kolosale ky album është konkretizuar, por në mënyrë dixhitale. Por nuk do mbetet aty, pasi albumi do vijë edhe në formën fizike nëpërmjet një usb-je të personalizuar me emrin tënd të artit Julius dhe titulli i tij “Harmony”, shoqëruar me një libër të vogël ku ka gjithçka brenda, tekstet dhe çdo gjë tjetër ku vetëm me një skanim të çon në çdo rrjet social të Julian Lekoçaj, që të çojnë në të gjitha këngët e tua. Si lindi idea për ta sjellë në këtë format albumi?
Julius: Kam dashur ta sjellë albumin në një formë ndryshe nga çfarë kemi parë këto kohë, dhe vura re që nuk e ka sjellë ende askush album në këtë formë. Kisha dy opsione, një mendoja ta sillja në disk të madh, e cila është shumë interesante, por zgjodha këtë duke menduar për të qenë sa më pranë teknologjisë po e sjell me usb. Me këtë formë mundet ta dëgjoj kushdo që është në makinë, kompjuter apo laptop, e vendos usb-në dhe dëgjon këngët, pra e ka më të kohës aksesin drejt albumit tim. Ky album është realizuar si fillim në 50 kopie, të cilat mendoj t’ia dhuroj 50 personave të rëndësishëm më Shqipëri. Nuk e di nëse do të ketë më vonë kopje të tjera, por di që do të dalin vetëm 50 si fillim dhe do ta kenë vetëm 50 persona këtë album.
Julius dhe Kodi personal që të çon në webin e tij (Foto personale)
CMG: Ky album duke qenë se është i veçantë në llojin e tij, besoj se ka edhe shumë kosto…
Julius: Ka shumë kosto dhe është realizuar nga unë personalisht pa sponsor. Duke qenë se unë e kam pasion muzikën dhe gjithmonë përpiqem që ta investoj një pjesë të të ardhurave të mia në muzikë, në mënyrë që ta prezantoj vetem time sa më profesionalisht, ashtu siç i ka hije një artisti. Ta kurorëzoja veten time me një album, kjo ishte forma më e mirë ku investova disa para aty, duke ja bërë vetes time “dhuratë”. Që nga brendimi ajo është brenduar një usb dhe një kuti lexon “Julius Harmoni”. Sigurisht që kishte kosto dhe kostot ishin të larta duke filluar nga realizimi i albumit e duke e sjellë në formë fizike. Por që ishte diçka që duhej bërë.
CMG: Kur do realizosh promovimin e këtij albumi?
Julius: Ky album do të shfaqet në muajin prill 2024. Më kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla, por jam gjatë rrugës dhe drejt përfundimit. Së shpejti do publikoj njoftimin nëpërmjet rrjeteve të mia sociale për lancimin e këtij albumi.
CMG: Ke zgjedhur të bësh artin tënd në mënyrën tënde profesionale, edhe pse ajo ka kostot e veta…
Julius: Po kam zgjedhur të bëj artin tim më së miri. Dikur kam qenë pjesë e shumë kompeticioneve, festivaleve e grupimeve që dalin aktualisht në media, ndërsa sot nuk kam primare kompeticionet, por kam dëshirë që, kush dëshiron të dëgjojë artin tim, të ketë mundësinë ta degjojë.
CMG: Cili është mesazhi që ti trasmeton në publik nëpërmjet këtyre këngëve?
Julius: Mesazhi kryesor është harmonia, sa më shumë harmoni, dashuri me njëri- tjetrin dhe jo luftë, prandaj edhe unë e kam titulluar albumin “Harmony”.
CMG: Si pedagog i degës së marketingut ke arritur të menaxhosh më së miri mënyrën e punës dhe muzikën. Madje duke e sjellë muzikën jo më mënyrën komerciale të kohës, por e ke sjellë për të kënaqur veten duke bërë art të vërtetë, por edhe për të përcjellë te publiku, artin e mirë, duke ndikuar në edukimin muzikor në brezat që do të vijnë.
Julius: Në fakt është edhe një plan i imi, i cili do të realizohet së shpejti, ku unë do të sjell website-in tim dhe do të ftoj të gjithë talentet e reja, të cilët t’i udhëzoj në formën sesi ta ndërtojnë materialin, me kë të bashkëpunojnë, e deri në publikimin e materialit, e madje dhe realizimin e një albumi, sepse i kam prekur tashmë me duart e mia këto gjëra dhe i di shumë mirë sesi funksionojnë.
Julian Lekoçaj (Në intervistë për CMG)
CMG: Kur pritet të realizohet kjo?
Julius: Këtë vit do të ndodh me patjetër. Do të jetë faqja ime “Julius Harmony”, ku do të jetë një seksion ekstra për “Talent Support”.
CMG: Mund të paraqiten talentë vetëm nga Shqipëria apo nga e gjithë bota?
Julius: Kushdo që do të ketë dëshirën, do t’i duhet vetëm të më kontaktojë, të më nisë materialin për ta dëgjuar e kuptuar nëse ka vërtet talent apo thjesht ka dëshirë për t’u marrë me art. Nëse dikush ka vërtetë talent, unë do ta drejtoj drejt rrugës dhe personave të duhur në fushën e muzikës.
Intervistoi: Sava Lena