Kinë, bum-i i udhëtimeve dhe konsumit gjatë festës së Qingming-ut
2024-04-07 16:10:24

Kina ka raportuar një rritje të konsiderueshme në sektorët e udhëtimeve dhe konsumit gjatë pushimeve treditore të festës së Qingming-ut, e cila përfundoi të shtunën. Kjo festë, e njohur edhe si Dita e Pastrimit të Varreve, është një rast i rëndësishëm për popullin kinez për të nderuar paraardhësit. Shumë prej tyre zgjedhin t’i shfrytëzojnë këto ditë për të udhëtuar dhe për të shijuar ardhjen e pranverës.

foto: VCG

foto: VCG

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Kinës, gjatë festës u regjistruan rreth 119 milionë udhëtime të brendshme turistike, një rritje prej 11.5 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Të ardhurat nga sektori i turizmit të brendshëm arritën në 53.95 miliardë juanë (rreth 7.6 miliardë dollarë), duke shënuar një rritje prej 12.7 për qind krahasuar me Qingming-un e 2019-ës.

Turizmi hyrës dhe ai i jashtëm panë gjithashtu një rritje të dukshme gjatë festës, pasi shumë banorë nga rajonet e posaçme administrative të Hong Kong-ut dhe Macao-s dhe kinezët që jetojnë në Azinë Juglindore u kthyen në vendlindjet e tyre për të nderuar paraardhësit, për të vizituar të afërmit e miqtë apo edhe për turizëm.

foto: VCG

foto: VCG

Sipas të dhënave nga ministria, Kina regjistroi 1.04 milion udhëtime hyrëse dhe 992 mijë drejt destinacioneve jashtë vendit gjatë kësaj periudhe. Shanghai, Pekin-i, Guangzhou, Hangzhou, Xiamen-i dhe Kunming-u ishin ndër destinacionet më të popullarizuara për vizitorët nga jashtë, sipas të dhënave nga platforma e udhëtimeve LY.com. Ndërkohë, të dhënat nga një tjetër portal udhëtimesh, Tuniu, tregojnë se Tajlanda, Japonia dhe Maldivet ishin tre destinacionet kryesore për udhëtime turistike jashtë vendit.

Të dhënat nga portali i udhëtimeve, Tuniu, treguan se një numër më i madh i personave zgjodhën udhëtime me distancë të shkurtër. Sipas të dhënave të këtij portali, numri i udhëtimeve që zgjatën nga një ose dy ditë përbënte pothuajse 71 për qind, ndërsa numri i udhëtimeve të destinuara për vendet e afërta përbënte 50 për qind.

foto: VCG

foto: VCG

Vetëm numri i porosive të udhëtimeve për në qytetin Tianshui të provincës Gansu të Kinës u rrit me më shumë se 21 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Qunar, një agjenci kineze e udhëtimeve online.

Ndërsa të dhënat nga platforma e tregtisë elektronike Meituan treguan se konsumi mesatar ditor gjatë festës u rrit me 39 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pekin-i, Shanghai, Shenzhen-i, Guangzhou dhe Chengdu-ja janë renditur ndër qytetet kryesore në Kinë për nga konsumi.

foto: VCG

foto: VCG

Ndërkohë, të ardhurat e kinemave në Kinë gjatë kësaj feste arritën një rekord prej 834 milionë juanësh deri në orën 21 të së shtunës, duke e tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 822 milionësh të regjistruar në vitin 2021, sipas platformës së të dhënave për filmat Beacon. Kjo tregon jo vetëm një rritje të interesit për udhëtime dhe konsum, por edhe një kthim të fortë të publikut kinez në kinema për të shijuar prodhimet e fundit kinematografike.