Kultura, tradita, zakonet janë ato që ruajnë identitetin e një populli. Kostumet popullore janë një nga simbolet më origjinale të kulturës tradicionale. Duke qenë trashëgues të shumë elementëve që vijnë nga lashtësia janë jo të paktë njerëzit që drejtohen drejt një veshjeje popullore. Për ta ruajtur këtë identitet duhet shumë punë dhe kujdes, të cilën më mirë se kushdo e ka bërë kostumografja Edlira Sulaj, e cila riprodhon dhe krijon veshje popullore shqiptare, duke ekspozuar brenda dhe jashtë vendit. Edlira ka krijuar dhe projektin e muzeut lëvizës, ku prezanton veshjet tradicionale në zona të ndryshme të Tiranës dhe qytetet e Shqipërisë, duke shtuar dhe interesin e turistëve të huaj për tu njohur me trashëgiminë tonë kulturore.
Edlira Sulaj (Facebook)
CMG: Prej 20 vitesh promovoni trashëgiminë kulturore përmes veshjeve tradicionale në atelienë tuaj. Si ka qenë ky rrugëtim i gjatë?
Edlira Sulaj: Veshja është një pjesë vizuale, që në momentin që një artist del në skenë, të jep impaktin e parë të seriozitetit të asaj pune që ti ke bërë, por për mua veshja ka dhe shumë vlera të tjera, për faktin sepse ajo ka dhe histori brenda. Unë kam bërë një luftë të madhe me flamur në dorë gjatë gjithë viteve, dhe ka ardhur deri në ditët e sotme kaq e bukur sa ajo është, që ti nuk mund ta ndryshosh. Veshja është maratonomaku i kohërave, ku gjithmonë është e bukur për faktin sepse duke i rezistuar kohërave, çdo kohë ka pasur modën e vet, dhe veshja ka udhëtuar gjatë dhe ka ardhur e bukur, por rrugëtimi që ajo ka bërë mbart histori të gjatë brenda vetes.
Edlira Sulaj me te rinjte (Facebook)
CMG: Pasioni që keni pasur për veshjet tradicionale ka bërë që të arrini këto rezultate të mira?
Edlira Sulaj: Padiskutim që një punë të vështirë vetëm pasioni e nxjerr në dritë. Veshja tradicionale është një element, i cili nuk mund ta kthesh lehtë në biznes. Nuk dua asnjëherë ta fus fjalën biznes brenda kësaj pune, por në kuptimin e mirë të fjalës do një mbëshjtetje finaciare për ta vazhduar rrugëtimin. E para gjë është ruajtja e mjeshtërive dhe mjeshtrat vetë, të cilët janë persona që vërtetë janë bashkuar me mua në këtë rrugëtim, por që duhen paguar për të mbajtur familjet e tyre. Pastaj është pjesa tjetër, që duhet të ruash pastër të gjithë elementin identifikues që ka veshja branda saj.
Veshja në vetvete ka disa statuse, ku i pari është statusi krahinor nëpërmjet mënyrës sesi ajo është përdorur, nëpërmjet elementeve që ajo ka dhe mënyrës sesi është qëndisur, teknikave që janë përdorur, sepse ajo i përket një krahine në të cilën identifikon krahinën. Pavarësisht se ne jemi vend i vogël, por çdo pesë kilometra ne lexohemi nëpërmjet veshjes, sepse çdo zonë ka veshjen e saj. Ky status krahinor të bën që të luftosh fort për të pasur mjeshtrat e duhur, që t’i njohin këto teknika për t’i përdorur. Gjithashtu duhet të luftosh fort për ta përdorur teknikën artizanale në veshje. Pastaj është statusi ekonomik, që duhet të gjesh mënyrat për të prodhuar edhe veshjet e shtresave të ulëta, por dhe ato të shtresave të kamura. Ky status e rrit përsëri numrin e veshjeve.
Ka status social, që vajzat kishin veshje të po të njëjtës zonë, po të njëjtës pamje apo elementë të qendisjes, por ishin ngjyrat ato që bënin ndryshimin nga vjazë-grua, nuse e re, nuse më fëmijë apo vjehrrë. Ky status social ishte pjesë më të cilën ti prapë rrit numrin e produkteve që duhet të kesh në gjendje në atelie. Të gjitha këto, numri i madh i veshjeve, kosto e lartë e prodhimit të saj e tkurr pak mënyrën për ta bërë të vazhdueshëm. Pasioni dhe pëlqimi që kam pasur ndaj kësaj dhe çdo studim që kam bërë mbi veshjen më ka dhënë një kënaqësi shumë të madhe, por dhe një kuriozitet për tu thelluar më shumë në studimin e saj, më kanë ndihmuar të bëj këtë rrugëtim kaq të gjatë.
Edlira Sulaj gjate nje aktiviteti (Facebook)
CMG: Si keni arritur t’i sillnni të gjitha veshjet krahinore në atelienë tuaj?
Edlira Sulaj: Në fillim unë kam bërë një veshje për vete, e cila nuk ka qenë në nivelin e këtyre veshjeve që punoj sot, por duke ma kërkuar të tjerët e shumova veshjen e Tiranës. Pastaj duke parë sesi ishte e ndërtuar veshja e Tiranës, fillova të studioj edhe veshje të zonave të tjera. Ka qenë një periudhë me vështirësi ekonomike në vitet 90-të, ku pavarësisht se ishim çift i ri dhe familje e re dhe mundoheshim shumë, por çdo gjë ka qenë me vështirësi. Çdo veshje të vjetër që prekja me dorë doja ta kisha timen. Ishte pak e vështirë nga ana financiare, por duke punuar unë bëja dy veshje të reja origjinale siç ishte ajo e vjetra në fillimet e mia. Pastaj për t’i pasur pjesë të studimit tim, asnjëherë nuk e kisha menduar se do të bëja muze me veshje të vjetra, por thjesht mundohesha t’i kisha pjesë të studimit tim, për t’i parë sesi janë ndërtuar të vjetrat dhe çfarë teknikash kishin ato.
Madje kam arritur që një pjesë të materialeve të vjetra t’i çoj nëpër laboratoret e endjes së fijeve, dhe të rimarr afërsisht 100 për qind materiale. Gjithashtu bashkëpunimi me shumë artizanë të Shqipërisë ka bërë që t’i kem të gjitha veshjet e gjithë zonave.
Jam munduar të studioj çdo cep të Shqipërisë nga ana teknike e ndërtimit të veshjeve, ku këto teknika përdoren në të gjitha veshjet popullore. E gjitha kjo është vërtetë një punë e gjatë, por është një vlerë e jashtëzakonshme sepse në çdo pjesë të veshjeve është intelekti i një populli, i atyre grave dhe burrave që mua më kanë ndihmuar për të arritur deri këtu.
Disa te rinj gjate nje aktiviteti per veshjet popullore (Facebook)
CMG: Prej disa vitesh keni krijuar muzeun shëtitës të veshjeve popullore. Si ka ecur kjo mënyrë e re e promovimit të traditës?
Edlira Sulaj: Ne mundohemi të krijojmë kreativitet vit pas viti në pjesën e trashëgimisë kulturore. Ideja e një muzeu levizës ishte vërtetë diçka që ne e diskutuam familjarisht, por edhe në punë. Në fillim unë isha e sigurtë, por të gjithë ne që morëm këtë iniciativë ishim pak skeptik sesi do funksiononte. Projektin në fillim ne e bëmë për tre muajt e verës, por kemi katër vjet që këtë projekt po e shëtisim. Ky është një projekt i suksesshëm, jo vetëm nga pjesa financiare, por është një shërbim ndryshe ndaj turistëve, një mundësi për turistët që të njihen me trashëgiminë kulturore. Gjithashtu me këtë muze lëvizës ne kemi rritur gamën e gjerë të target grupeve, të cilët kanë mundësi të vizitojnë një muze.
Mënyra jonë për ta patur këtë muze lëvizës sa më afër turistëve, në qendrat kryesore të qyteteve, si në pedonalen e Tiranës, sheshin “Skënderbej”, lungomaren e Vlorës dhe shëtitoren e Sarandës. Për mua artizanati është një vlerë e jashtëzakonshme, dhe kjo mënyrë që ne gjetëm për të prezantuar trashëgiminë kulturore tek turistët, ka rritur dhe dëshirën e të rinjve për të qenë pjesë e kësaj pune. Djali im i drejton të gjitha këto punë, por edhe vajzat që punojnë aty dhe prezantojnë trashëgiminë kulturore janë vajza shkolle, të cilat me kënaqësi qëndrojnë dhe jashtë orarit të punës. E gjitha kjo na kënaq sepse ne dimë të tregojmë vlera dhe tashëgimi tek turistët, një mënyrë ndryshe nga i gjithë rajoni për ti treguar turistëve, por që kemi tërhequr rininë drejt trashëgimisë kulturore për ta përdorur për vlera ekonomike. Të huajt kur vijnë në Shqipëri kërkojnë të futen në këtë autobus muze, dhe kjo është një arritje për mua dhe trashëgiminë kulturore.
Atelie levizese me veshje popullore (Facebook)
CMG: Së fundi keni krijuar dhe atelienë lëvizëse me veshje popullore tradicionale.
Edlira Sulaj: Ne ideuam projektitn “Të njohim rrënjët”, dhe ky projekt është pjesë e programit të “EU for culture”, i mbështetur nga Bashkimi Europian në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Fondacioni Tradita Popullore. Kështu që menduam të ndërtonim një atelie lëvizësë, për tju thënë të rinjve që nëse do merreni me artizanat nuk po ktheheni mbrapa në kohë, por duhet të merreni duke e bërë artizanatin në kohët e sotme. Jemi në fazën finale këtij projekti, dhe i ka kaluar pritshmëritë tona. Brenda këtij autobuzi kemi vendosur veshjet e vjetra që tregojnë vërtetë historinë e një vendi.
Edlira Sulaj gjate nje workshopi me te rinjte (facebook)
Gjithashtu në këtë atelie lëvizëse kemi vendosur në një cep këndin e grepit, në cepin tjetër është këndi i thurjes dhe në një cep tjetër ka këndin e qepjes dhe të qëndisjes me gjergjef dhe makinë. Kjo gjë ka tërhequr shumë të rinj dhe shumë shkolla që e kanë vizituar, por dhe të huaj të cilët kanë dëshirë të prekin. Ka rritur dëshirën e të rinjve për të ardhë në uorkshope brenda ateliesë. Vizita e personave që kanë vizituar këtë atelie lëvizëse i ka tejkaluar 1000 persona, por dhe mënyra sesi ja kemi sjellë të rinjve nëpër shkolla, ku kemi sjellë rreth vetes mbi 50 të rinj në workshope. Faza finale do të tregojë se çfarë kemi bërë ne me këtë projekt, sa të rinj kemi ofruar dhe sa e vlefshem ka qenë kjo gjë në dëshirën e tyre.
Edlira Sulaj ne interviste per CMG
Intervistoi: Gazmend Agaj