I dërguari kinez në Kombet e Bashkuara i kërkoi Izraelit të zbatojë plotësisht rezolutën e OKB-së mbi armëpushimin në Gaza, duke thënë se tragjedia e Gazës teston ndërgjegjen e njerëzimit dhe besueshmërinë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
"Ne i bëjmë thirrje Izraelit të zbatojë menjëherë kërkesat e rezolutës dhe të ndalë ofensivën ushtarake ndaj Gazës dhe ndëshkimin kolektiv të civilëve." - tha të premten në Këshillin e Sigurimit Dai Bing, i ngarkuari me punë i misionit të përhershëm të Kinës në OKB.
foto: VCG
Dai bëri thirrje që vendet e mëdha të luajnë një rol aktiv në promovimin e zbatimit të rezolutës, duke shtuar se Kina mbështet Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të ndërmarrë "çdo veprim të nevojshëm." Ai denoncoi sulmin e Izraelit kundër automjeteve transportuese humanitare dhe i kërkoi Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare, të ndalojë sulmet ndaj agjencive dhe personelit humanitar dhe të bashkëpunojë me to për të ofruar ndihmën e nevojshme.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë më 25 mars, duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm midis Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamas-it. ShBA-ja abstenoi nga votimi dhe 14 anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit votuan pro. Rezoluta kërkon lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve.
Sipas zyrtarëve të OKB-së, më shumë se 32 mijë persona janë vrarë dhe 75 mijë janë plagosur që nga shpërthimi i konfliktit gjashtë muaj më parë. Përveç kësaj, 1.7 milionë njerëz, rreth 75 për qind e popullsisë së Gazës, janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në kushte të pasigurta jetese. (Li Huailiang/Edmond)