Erjan Guxha dhe udhëtimet brenda 24 orëve
2024-04-05 09:59:56

Erjan Guxha, ose siç të gjithë e thërrasin “ The Guide” është tepër pasionant për udhëtimet. E ka nisur studimin e tregut dhe të turizmit vite më pare, duke e gjetur veten si një nga promotorët e shfaqjes së vlerave shqiptare te turistët e huaj që preknin tokën shqiptare. Si një ekspert turizmi, Erjani ka ditur të përçojë jo vetëm vlerat e një vendi, por ka  ndërmarrë nisma të reja, të cilat ndihmojnë edhe në ekonomi. Prej disa vitesh ai publikon shpesh udhëtimet e tij, duke u bërë një qendër orientimi edhe për ata që  duan të përzgjedhin udhëtimet e duhura.

Erjan Guxha në udhëtim (Foto personale)

Erjan Guxha në udhëtim (Foto personale)

Një nga rekomandimet kryesore që ai jep është që të rinjtë ose të rejat të udhëtojnë brenda 24- orëve në vende që janë lehtësisht të frekuentueshme.

CMG: Kur keni nisur të merreni me turizmin?

Erjan Guxha: Në fakt unë kam filluar shumë herët të merrem me udhëtimet. Dikur kam shërbyer thjeshtë si guidë, çka nënkupton që kam mirëpritur turistë të huaj edhe në Shqiperi për t'iu treguar atyre vendin tonë dhe në një farë forme mora një eksperiencë shumë të rëndësishme dhe atë eksperiencë më pas e vendosa në funksion. Udhëtimin tim të parë njëditor e kam bërë tërësisht vetëm, ka qenë një udhetim drejt Italisë më pas kuptova që ishte e mundur dhe vendosa ta publikoj në rrjete sociale. Në momentin që unë kam publikuar atë udhëtim njëditor pata mbi 20 kërkesa të menjëhershme.

CMG: Si menaxhohet një udhëtim njëditor?

Erjan Guxha: Udhëtimi njëditor ka efekte pozitive në jetën tonë sepse së pari nuk jemi të privuar nga marrja e lejës në vendin e punës. Dua të theksoj që janë udhëtime aventure dhe jo  relaksuese. Pra, ti duhet të nxitosh për të vrapuar drejt trenit apo orareve. Është një mundësi e mirë për ata që kanë thjesht një ditë pushimi dhe që duan të dalin prej së zakonshmes.

Erjan Guxha në Shqipëri (Foto personale)

Erjan Guxha në Shqipëri (Foto personale)

CMG: Cila është proçedura që ndjekin dhe a ka ndërlikime udhëtimi brenda së njëjtës ditë në një shtet tjetër ?

Erjan Guxha: Unë jam i lumtur që dëgjoj sa më shumë udhëtime njëditore dhe shpesh edhe në aeroporte dëgjohen që janë për udhëtime njëditore. Kjo krijon një lidhshmëri edhe pse shpesh pyesni në kontrollin policor se ku janë akomodimet dhe duhet t'ua shpjegosh edhe njëherë që jemi për një udhëtim njëditor .

CMG:A ndikon udhëtimi njëditor në ekonominë e një vendi dhe si shfaqet kjo tek kompanitë ajrore?

Erjan Guxha: Kompanive të fluturimit ndoshta nuk ju intereson, por kjo është në varësi të politikave të tyre pasi e disbalancon tregun. Nëse janë një mijë kërkesa vajtje- ardhje brenda ditës zihet avioni me këta turistë dhe normalisht kjo ndikon edhe tek udhëtarët që duan udhëtime më të gjata. Kjo ka ndikuar që kaq shpesh të kemi edhe anullime udhëtimesh.

Erjan Guxha (Foto personale)

Erjan Guxha (Foto personale)

CMG: Cili qytet europian është shumë fleksibël për t’u vizituar brenda një ore?

Erjan Guxha: Një nga udhëtimet brenda ditës që unë e praktikoj vetë dhe që e rekomandoj për të gjithë është Roma. Brenda së njëjtës ditë në Romë mund të shkosh të argëtohesh, të jetosh në ato orë në një qytet aq antik dhe të bukur dhe mund të rikthehesh. Po ashtu edhe Milano, por ky qytet ndoshta ja vlen më tepër për blerje se sa për një udhëtim aventurë. Ka edhe qytete të tjera si, Brukseli, Venecia etj.

CMG: Sa është kostoja për të udhëtuar vajtje -ardhje në Romë?

Erjan Guxha: Ka një kosto që mendoj se e përballon xhepi i kujtdo që ka qejf udhëtimet. Vetëm udhëtimi mund të shkojë 43 euro, 15 euro mund të shkojë dreka dhe ndonjë blerje që mund të bëjnë të gjithë maksimumi i shpenzimit është 60-70 euro. Ky është përfitimi i një udhëtimi brenda ditës dhe kthimi sërish në shtëpi. 

Megi Latifi