Dhoma Kineze e Tregtisë në Bashkimin Evropian (CCCEU) dënoi të mërkurën BE-në për përdorimin e Rregullores së Subvencioneve të Huaja (FSR), si një mjet shtrëngimi ekonomik.
Kritika erdhi pasi Komisioni Evropian nisi dy hetime të thella ndaj kompanive kineze të energjisë diellore, të cilat marrin pjesë në blerjen publike të një projekti rumun të parkut fotovoltaik.
"Deri tani, Komisioni Evropian ka nisur tre hetime të thella FSR. Të gjitha kundrejt ndërmarrjeve kineze," deklaroi CCCEU, duke shprehur shqetësim për hetimet.
Grupi i biznesit vuri në dukje se, përkufizimet për konceptet kyçe të listuara në FSR janë të gjera dhe të paqarta, duke theksuar se rregullorja do t'u shtojë barrë të panevojshme kompanive. Kjo diskriminon kompanitë e huaja dhe deformon mjedisin e barabartë për ndërmarrjet kineze që operojnë në BE".
CCCEU i kërkoi bllokut të përmirësojë transparencën, të mbrojë të drejtat e kompanive kineze dhe të pakësojë pengesat ndaj investimeve, blerjeve publike dhe operacioneve të biznesit, brenda BE.
"Është e domosdoshme për BE-në që të krijojë një mjedis të barartë, trasparent, pa diskriminime ligjore dhe tregtare për kompanitë kineze," shtoi ai.
CCCEU, me qendër në Bruksel, përfaqëson mbi 1000 kompani kineze që veprojnë anembanë BE, me zyra përfaqësuese në disa vende anëtare. (ëang Lei/ Elona)