Liridon Zuberi, piktori nga Tetova që jeton me artin e tij
2024-04-03 10:48:35

Liridon Zuberi është një piktor i ri nga Tetova, i cili realizon punime të ndryshme në pikturë dhe portrete. Fillimet në artet figurative i ka pasur që në moshë të re, duke realizuar grafite të ndryshme nëpër rrugë. Liridoni ka kryer studimet e larta në degën e pikturës dhe prej vitesh punon si piktor, duke realizuar dhe portrete te ndryhsme me porosi. Ai kalon pjesën më të madhe të kohës në atelienë e tij, një punë që i jep mjaft kënaqësi, por dhe të ardhura. Në një intervistë për Radio Ejani  Liridoni tregon për karrierën e tij si piktor, por dhe vështirësitë që ka ky profesion.    

CMG: Kur ka nisur rrugëtimi juaj me artet figurative?

Liridon Zuberi: Rrugëtimi im rreth artit ka filluar prej grafitit, arti që promovohet në rrugë. Nëpërmjet grafitit jepen mesazhe që populli nuk mund t’i thotë direkt, por me mesazhe të shkruara nëpër mure. Pra fillimi im ka qenë prej grafiteve, nga arti i rrugës.

CMG: Çfarë ke realizuar me artin e rrugës?

Liridon Zuberi: Kam realizuar koncepte nëpërmjet grafiteve. Është normale të kesh një grup, ideologjinë e atij grupi, mënyrën sesi funksionon grupi dhe se çfarë është koncepti i atij grupi. Pra kemi një ideologji, të cilën e shprehnim nëpër rrugë me mënyrë të ndryshme, si me shkrime, vizatime që mund t’i ndërlidhësh të dyja. Kjo gjë shprehet zakonisht nëpër qytet, mure dhe vende të ndryshme, duke lënë mesazhe. Pra qëllimi kryesor i grafitit është të lësh mesazh. Këtu është nisma ime fillestare, që më vonë ka vazhduar dhe në pjesë të tjera.

CMG: Si është pritur nga njerëzit kjo nismë e juaja në realizimin e këtyre grafiteve?

Liridon Zuberi: Grafiti te brezi i ri është i këndshëm, kurse te brezi i vjetër krijon probleme. Mendoj se nuk është normale për brezin e vjetër, që të shohë se dikush ja shkruan murin dikujt tjetër. Ndërsa tek të rinjtë është më ndryshe, sepse është art dhe promovim nëpër rrugë. Nuk është një kanavasë që do ta pikturoi dhe ta ekspozoj në galeri, ose në ndonjë hapësirë tjetër dhe ajo do jetë e ekspozuar vetëm aty. Grafitin e ke të shfaqur gjithëandej  dhe mbetet aty deri në momentin që nuk arrin ta fshijë dikush.

CMG: Si vazhdoi më pas rrugëtimi me artet figurative veçanërisht me pikturën?

Liridon Zuberi: Më vonë bisedova me profesorin e vizatimit në shkollën fillore, dhe ai insistoi që të vazhdoja shkollën e mesme në lidhje me artin. Kështu që vazhdova shkollën e mesme për dizenjim të veshjeve. Kjo është komplet një fazë tjetër kur fillova të studioj dizajnin e veshjeve dhe jam i diplomuar për këtë. Pasi përfundova shkollën e mesme vazhdova në fakultet për arte figurative, në drejtimin e pikturës. Kjo është faza profesionale ku unë kam kaluar.

CMG: Tashme je i lidhur ngushtësisht me pikturën dhe ke realizuar dhe publikuar mjaft punime.

Liridon Zuberi: Mendoj se piktura ishte diçka tjetër, sepse në moshë të re habitesha  sesi dora e njeriut arrin të bëjë një vepër arti kaq reale me duar. Dëshiroja me shpirt të arrija këtë potencial, të cilin unë sot e gëzoj falë Zotit për talentin dhe falë punës se pandalshme. Unë jam piktor realistik dhe nuk i shkoj elementeve tepër në detaje. Sot e gëzoj këtë gjë pas gjithë këtij rrugëtimi të gjatë.

Pikture e nje cifti realizuar nga Liridon Zuberi (Foto personale)

CMG: Flasim për portretet në pikturë që ti realizon,  si u lidhe pas këtij stili?

Liridon Zuberi: Mua fati më lidhi tek portretet ose tek figura e njeriut, sepse në përgjithësi unë trajtoj njeriun. Kjo për mua është diçka normale dhe e bukur, për të trajtuar një figure, e cila ngado që i hedh sytë e ka ndërtuar dora e njeriut. Portreti si koncept, apo ta marrim si portretizim i ndonjë personi që ka tiparet e veta. Për të realizuar një portret duhet të njohësh format dhe gjeometrinë, sepse është matja. Pas matjes kalon tek ngjyrat, duke filluar me pigmentacionet, ku duhet të dish përzgjedhjen e ngjyrave, të dish të nxjerrësh dritën, hijen dhe format. Këto të gjitha realizohen me matjen e pigmentacioneve, gradacioneve dhe mënyra sesi e trajton fushën. Këto të gjitha lidhen me portretin për ta realizuar.

CMG: Keni realizuar piktura për qejf, por dhe me kërkesa të njerëzve për biznes?

Liridon Zuberi: Unë pothuajse brenda katër viteve kam realizuar shumë pak punime në pikturë për qejfin tim. Të gjitha pikturat që realizoj janë për biznes, sepse unë i bëj ato me kërkesë të personave. Fatmirësisht punimet prej stilit tim kërkohen shumë  dhe unë punoj për njerëzit. Marr porositë nga të interesuarit dhe e trajtoj në mënyrën më të mirë të mundshme, e shes dhe piktura merret me vete. Unë punoj dhe jetoj me art, e kam biznes dhe punë prej mëngjesit në ateleinë time.

CMG: Si e menaxhon pjesën e reklamimit të punimeve, dhe si të kontaktojnë njerëzit që duan një pikturë nga ti?

Liridon Zuberi: Rrjetet sociale janë pothuajse 80 për qind të rëndësishme, përsa i përket biznesit tim, ndërsa 20 për qind realizohet me fjalë përmes shokëve ose familjes. Unë fatkeqësisht kam 4-5 vite që kam filluar ta ekspozoj punën time në rrjetet sociale. Ndërkohe që më përpara kam patur mjaft piktura për t’i ekspozuar, por nuk kam qenë i interesuar të shpalosja punën time nëpër rrjetet sociale. Ky mendoj se ka qenë një gabim nga ana ime, por vitet e fundit po e ekpsozoj punën time.

Ka disa njerëz që nuk duan që t’i ekspozoj punimet e tyre personale, por kam gati 60 punime që janë të realizuara prej rrjeteve sociale, që më kanë ndihmuar shumë jo vetëm në pikturë, por dhe aspektet e tjera. Rrjetet sociale luajnë një rol të rëndësishëm në biznes dhe janë kulminacioni i ditëve të sotme në këtë botë dixhitale që po jetojmë.

CMG: Je i kënaqur që përmes artit tënd siguron dhe të ardhura financiare?

Liridon Zuberi: Jam i lumtur me këtë pjesë sepse e bëj atë punë që e kam dashur, dhe akoma e dua. Puna është jeta ime, sepse jetoj me këtë çdo ditë dhe kam të mira materiale prej saj. Unë jam i lidhur shpirtërisht me artin. Unë gëzohem kur marr porosi me kërkesë, i realizoj dhe i shes, por do isha më i gëzuar nëse mentaliteti i popullit tonë të ngrihej në atë nivel, që ata piktorë që promovojnë stilin e tyre surreal, ku mund të jetë diçka e prodhuar vetëm nga mendja e piktorit, të arrihet të kuptohet nga publiku e të shitet. Atëhere do isha në një nivel tjetër dhe i gëzuar, sepse do kishin shumë punë edhe shumë piktorë të tjerë, për ta promovuar dhe shitur punën e tyre, e cila është e mrekullueshme.

CMG: Si e kalon kohën e lire, kur nuk pikturon?

Liridon Zuberi: Kam një rreth shoqëror, të cilët merren me muzikë, ku disa promovojnë muzikën me kitarë dhe disa të tjerë janë shkrimtarë. Kohën e lirë e kalojmë së bashku, ku dhe unë shkruaj ndonjëherë për qejf. Janë njerëz të cilët më mbushin kohën e lirë. Gjithashtu merrem edhe me sport.

Pikture e Liridonit (Foto personale)

CMG: Ti jeton në Tetovë, por kërkesat për piktura i merrni dhe nga vende të tjera?

Liridon Zuberi: Porositë që vijnë për piktura dhe që unë i kam shitur janë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria. Gjithashtu mbi 30 piktura janë shitur në Zvicër, por dhe në Gjermani e Suedi.

CMG: Sa kohë kalon në ditë në atelie ?

Liridon Zuberi: Kaloj gati 19-20 orë në atelie, sepse jam i ri dhe kam energji për të punuar. Pothuajse gati 24 orë jam këtu në atelie.

CMG: Mendon se ke bërë zgjedhjen e duhur në jetë për t’u bërë piktor?

Liridon Zuberi: Mendoj se jam i kompletuar për rrugën që kam zgjedhur, sepse kam dashur të arrij këtu ku jam sot, një ëndërr e hershme e imja. Kjo punë më plotëson, por ka diçka të cilën e kam mangësi. Kjo pjesa që rri shumë mbyllur ndonjëherë është e tepërt, sepse është nevoja dhe për socializim. Kam patur dy momente me veten, që ta vazhdoja këtë rrugë apo të ndaloja. Disi e kam menaxhur, sepse duke punuar dëgjoj dokumentarë të ndryshëm për njohuri të përgjithshme. Ndonjëhere dëgjoj dhe gjuhët e huaja, për t’i mësuar, sepse proçesi është i gjatë i realizmit.

CMG: Përshëndetja juaj për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Liridon Zuberi: Kam një mesazh për artistët, që të bëjnë atë që ju thotë zemra. Mos të dorëzohen në ëndrrat e tyre, por të punojnë. Ju uroj gjithë shqiptarëve shëndet dhe jetë të lumtur.

Intervistoi: Gazmend Agaj