Foto nga China Daily
Afrimiteti i Shaun Gibson me muzikën kineze nisi në baret karaoke në Liverpul, në Angli. Kur ishte student që studionte muzikë në Universitetin e Liverpulit, miqtë e tij kinezë e çuan në bare të tilla, ku ai u magjeps nga këngët hit kineze të asaj kohe.
Por si një kompozitor britanik që ka eksploruar vazhdimisht kombinimin e instrumenteve tradicionale kineze dhe ritmeve pop perëndimore, interesi i Gibson për tingujt e lashtë kinezë u ndez gjatë udhëtimit të tij të parë në Kinë në vitin 2014, kur dëgjoi të luhej pipa (një lahutë kineze me katër tela) në Chengdu, në provincën Sichuan të Kinës jugperëndimore.
“Mendova se pipa do të ishte më shumë si një relikte kulturore, jo reale në shoqërinë moderne. Por kur pashë atë zonjë duke performuar në qendrën tregtare, ashtu si një artist rruge që i binte kitarës në rruginat e Liverpulit, kuptova se pipa është gjithashtu pjesë e kulturës moderne kineze. Dhe ndoshta mund të kem mundësinë të punoj me këtë instrument me tingull të mrekullueshëm dhe e futa në repertorin tim. E kështu nisi rrugëtimi im deri këtu ku jam tani”,- tha ai.
Gibson tani është një influencues muzikor, me më shumë se dy milionë ndjekës në mbarë botën dhe është ftuar herë pas here për të kompozuar këngë të stilit kinez. Ndërthurja e muzikës tingëllon si një klishe në ditët e sotme, por ai thotë se nuk është e lehtë të arrihet një përzierje e qetë midis dy tingujve të ndryshëm.
I pyetur se si i zgjedh instrumentet e duhura tradicionale kineze për një pjesë, Gibson thotë: “Më ka ndodhur shumë natyrshëm”.
Për shembull, në një këngë të quajtur “China Blue”, e cila flet për qytetin Jingdezhen në provincën Jiangxi të Kinës lindore, Gibson integron dizi (fyell kinez), pipa dhe yangqin (një lloj vegle muzikore kineze si harpë e shtrirë) në melodinë kryesore, për të përshkruar imazhin e një vendi ku uji rrjedh nga shpatet e maleve dhe mbuluar nga mjegulla.
Meqë dizi, pipa dhe yangqin mund të kenë të gjitha tone lirike, Gibson thotë se instrumentet bëjnë një punë të mirë për të kapur thelbin e qyteteve ujore kineze.
“Instrumentet i zgjedh në varësi të asaj që përmban kënga. Nëse do të shkruaj një këngë për Jingdezhen, nuk do të përdor daulle të mëdha apo tingujt e Operës së Pekinit, sepse nuk është e përshtatshme. Instrumentet e ndryshme janë si bojërat e një artisti. Nëse përpiqeni të pikturoni, keni nevojë për lloje të caktuara ngjyrash për të krijuar fotografitë që unë po imagjinoj në mendjen time. Pra, është instinkti im si muzikant që dikton se cilin instrument të përdor”,- thotë ai.
Dhe zhvillimi i atij instinkti erdhi nga vite të tëra përvoje.
Edhe pse ai kurrë nuk ka studiuar formalisht muzikën tradicionale kineze, ai vazhdimisht ka mbledhur njohuri gjatë udhëtimeve të tij në të gjithë vendin.
“Kur isha në Xichang, qytet në Sichuan, hasa në një artist rruge që interpretonte një nga këngët më të bukura që kam dëgjuar ndonjëherë. Edhe pse nuk e kuptoj plotësisht dialektin vendas, ajo këngë më preku thellë në shpirt. Tani jam kurioz. Do të filloj të bëj kërkime, të zbuloj se cilët janë këngëtarët dhe si mund të krijoj diçka të re nga kjo”,- thotë muzikanti britanik.
Gibson thotë se ka dëshirë të sjellë atë lloj lidhje emocionale me njerëzit në Perëndim, përmes kompozimeve të tij, duke kapërcyer boshllëqet midis qytetërimeve në një botë gjithnjë e më të turbullt.
“Muzika ka bukurinë e të qenit një gjuhë ndërkombëtare. Ajo i kapërcen kufijtë. Është një shprehje e jetës në formën e saj më të pastër, që përfshin histori dashurie, humbjeje, emocionesh, zbulimesh dhe aventurash. Ju mund t'i përjetoni të gjitha këto gjëra kudo që jetoni, kudo nga jeni”.
“Nëse unë frymëzohem nga kultura kineze, atëherë njerëzit e tjerë mund të frymëzohen gjithashtu. Shpresoj vërtet që perëndimorët të mund të zbulojnë kulturën kineze përmes veprave të mia. Dhe mendoj se ky lloj shkëmbimi është mënyra me të cilën ne mund të kalojmë në të ardhmen më paqësore”.
“Ne duhet të promovojmë mirëkuptimin mes njëri-tjetrit. Ka shumë më tepër ngjashmëri mes njerëzve sesa dallime dhe dallimet tona janë gjithashtu gjëra për t'u festuar, jo gjëra për t'u frikësuar”,- deklaroi artisti britanik.