foto nga CFP
Presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan Joseph Biden, të martën në mbrëmje, sipas orës së Pekinit. Palët shkëmbyen thellësisht e sinqerisht mendime, për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe problemet me interes të përbashkët.
Xi vuri në dukje se takimi në San Francisko, nëntorin e shkuar, nisi "Vizionin e San Franciskos" drejt të ardhmes. Muajt e fundit, grupet e dy palëve kanë zbatuar seriozisht mendimet unanime të arritura mes tyre. Në marrëdhëniet kino-amerikane duket prirja e stabilizimit, gjë që mirëpritet nga qarqet e dy vendeve dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Por ndërkohë, janë shtuar edhe elementet negative, ndaj këtij fenomeni duhet t'i kushtohet rëndësi nga të dyja palët.
Xi theksoi se perceptimi strategjik ka qenë "kopsa e parë" që duhej të mbërthehej për marrëdhëniet kino-amerikane. Është e pamundur që dy vende të mëdha si Kina dhe SHBA, të mos bëjnë shkëmbime e kontakte. S'mund të futen në konflikte e kundërvënie, por duhet të respektojnë njera-tjetrën, të bashkëekzistojnë paqësisht dhe të bashkëpunojnë me fitime të përbashkëta, për të ecur përpara në rrugë të qëndrueshme, të shëndetshme dhe të vazhdueshme, duke shmangur regresin.
Xi Jinping vuri në dukje se marrëdhëniet kino-amerikane duhet t'u përmbahen disa parimeve kryesore.
Së pari, të çmohet paqja dhe të mos shkelet "vija e fundit" për shmangien e konfliktit dhe kundërvënies, që të shtohet parashikimi pozitiv për marrëdhëniet kino-amerikane.
Së dyti, t‘i kushtohet rëndësi stabilitetit dhe mos ketë provokime, në mënyrë që të ruhet qëndrueshmëria e përgjithshme e marrëdhënieve.
Së treti, duhet të mbështetemi te besimi dhe të konkretizohen premtimet në veprime, që "Vizioni i San Franciskos" të shndërrohet në realitet.
Palët duhet të forcojnë dialogun në sajë të respektit të ndërsjellë, të kontrollojnë mosmarrëveshjet me maturi, të nxisin bashkëpunimin me frymën e përfitimit reciprok dhe të shtojnë bashkërendimin në punët ndërkombëtare, duke mbajtur përgjegjësinë e duhur.
Xi theksoi se problemi i Tajvanit, është vija e parë e kuqe e pashkelshme, në marrëdhëniet kino-amerikane. Kina nuk do t'i durojë veprimet separatiste të forcave për "pavarësinë e Tajvanit" si dhe përkrahjet e jashtme ndaj tyre. "Shpresoj që pala amerikane t'i konkretizojë me veprime, shprehjet pozitive të zotit President, për mospërkrahjen e 'pavarësisë së Tajvanit'," shtoi Presidenti i Kinës.
SHBA ka shtuar masat kundër ekonomisë, tregtisë dhe teknologjisë kineze. Ka sanksionuar gjithnjë e më shumë kompani kineze. Këto veprime nuk janë "shmangia nga rreziqet", por fabrikimi i rreziqeve, theksoi Xi. Nëse pala amerikane dëshiron të zhvillojë bashkëpunim me përfitim reciprok dhe të gëzojë dividendet e zhvillimit të Kinës, dyert e palës kineze janë gjithmonë të hapura.
Nga ana e tij, Biden tha se raportet amerikano-kineze, janë marrëdhëniet dypalëshe me ndikim më të thellë në botë. Pas takimit në San Francisko, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë pasur përparime të dukshme.
Palët mund të nxitin aktivisht bashkëpunimin dhe të kontrollojnë mosmarrëveshjet, në mënyrë të përgjegjshme. "Ritheksoj se pala amerikane nuk synon 'Luftën e re të Ftohtë', ndryshimin e sistemit të Kinës dhe kundërshtimin e saj ndërmjet forcimit të marrëdhënieve aleate. Nuk përkrahim 'pavarësinë e Tajvanit' dhe nuk dëshirojmë të hyjmë në konflikt me Kinën," tha Presidenti amerikan.
Pala amerikane ndjek politikën e "Një Kine". Zhvillimi i Kinës është në favor të botës. SHBA nuk synon frenimin e zhvillimit të Kinës dhe "shkëputjen" nga Kina, shprehet Bideni, duke premtuar se do të dërgojë Sekretaren e Thesarit Janet Yellen, dhe Sekretarin e Shtetit Antony Blinken për vizitë në Kinë, që të forcojë shkëmbimet me palën kineze, të shmanget gjykimi i gabuar, të nxitet bashkëpunimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm mes dy vendeve, për tu përballur së bashku me sfidat globale.
Të dy presidentët shkëmbyen gjithashtu mendime për krizën e Ukrainës dhe situatën e Gadishullit Korean.
Presidentët e dy vendeve shprehën mendimin se biseda ishte e sinqertë dhe konstruktive. Palët ranë dakord të ruajnë shkëmbimet. Do të shtyjnë grupet e punët për të konkretizuar siç duhet "Vizionin e San Franciskos" dhe për të nxitur konsulimet në sferën diplomatike, ekonomike, financiare e tregtare, si dhe dialogun në fushat e anti-dumpingut, të inteligjencës artificiale dhe të ndryshimit klimatik.
Pala kineze mirëpret vizitat e ardhshme të Yellen-it dhe Blinken-it në Kinë. (Wang Lei/ Elona)