Sërfistja kineze bën histori mbi dallgë
2024-04-03 11:39:27

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Yang Siqi u rrit në malet e Kinës jugperëndimore, larg valëve të oqeanit. Megjithatë, atletja 15-vjeçare do të bëjë histori si sërfistja e parë femër e vendit që do të garojë në Lojërat Olimpike këtë verë. Në Lojërat e fundit Botërore të Sërfit (WSG) në Arecibo, Porto Riko, Yang siguroi vendin e saj olimpik, duke kryesuar raundin e 6-të të klasifikimit me 11.83 pikë për të rezervuar vendin e saj midis 24 sërfisteve femra që do të garojnë në Lojërat e Parisit.

 

“Mbaj mend se si më dridheshin duart kur e kuptova se kisha siguruar vendin në Olimpiadë”, kujton Yang. "Më kujtohet ende se si ishte vala atë ditë. Ishte vërtet e vështirë dhe isha shumë e lodhur pas atij raundi. Unë isha gati të largohesha dhe stafi më kërkoi të qëndroja. Nuk e kuptova që isha bërë pjesë e Olimpiadës. Mendova se më duhej ende një raund tjetër”,- tha ajo në një bazë stërvitore në qarkun autonom Lingshui Li në provincën Hainan të Kinës Jugore.

 

Yang ishte aq e bindur që nuk ishte kualifikuar, saqë kishte nisur të mendonte mbi planet e ardhshme në sport. “Mendova se nuk do të heq dorë nga sërfi.

Do të përgatitem për Lojërat Kombëtare në vitin 2025 dhe do të bëj maksimumin për t'u kualifikuar në Olimpiadën 2028”,- tha ajo.

 

Sërfi u përfshi për herë të parë në Lojërat Olimpike 2016 në Rio, duke sjellë dhe formimin e ekipit kinez të sërfit në vitin 2018. Yang, e cila u njoh me sërfin në moshën 9-vjeçare, konsideroi sporte të tjera, por u tërhoq nga ekzaltimi që i jepte kjo disiplinë dhe kompleksiteti i tij.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

E lindur në prefekturën autonome Yi të Liangshan në provincën Sichuan, Yang fillimisht donte të provonte taekwondo si sportin e saj të parë, por xhaxhai i saj e dërgoi atë për të mësuar lundrimin.

“Unë jetoja në një zonë malore dhe kisha frikë nga uji para se të notoja. Mësova të lundroja në një liqen të quajtur Qionghai. Ishte liqeni më i madh që kisha parë ndonjëherë”, tha Yang.

 

Pas disa muajsh lundrimi, Yang vendosi të provonte sërfin në brigjet e Hainanit. “Kur u ndesha për herë të parë me detin, u trondita”,- tha ajo.

 

Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë që ajo të dashurohej me sërfin. “Është një sport emocionues dhe më pëlqejnë aventurat. Sërfi është gjithashtu i komplikuar. Më duhet të mësoj kaq shumë gjëra për të qenë një sportiste e mirv”,- thotë ajo.

 

Kalimi i saj nga lundrimi në sërf shënoi fillimin e një karriere premtuese. Në vitin 2019, ajo bëri debutimin e saj ndërkombëtar në Kampionatin Botëror të Sërfit për të Rinj dhe më pas tregoi përparim të rëndësishëm në Lojërat Botërore të Sërfit 2022. Në Lojërat Botërore të Sërfit 2023 ajo u rendit e 31-ta nga mbi 130 garues, duke fituar dhe një biletë për olimpiket, por edhe shumë vlerësime nga Shoqata Ndërkombëtare e Sërfit (ISA).

“Një nga performancat më të spikatura erdhi nga Yang Siqi e Kinës. Pasi konkurroi në Botërorin e parë të saj të Sërfit në Huntington Beach në shtator 2022, përmirësimi i saj në vetëm tetë muaj është mbresëlënës”,- shkruhej në një pjesë të publikuar në faqen e internetit të ISA-s.

 

Por për Yang, e vetmja njohje që vlente ishte kualifikimi për Paris. “Nuk u dorëzova kurrë. E dija se ishte shumë e vështirë, por kisha besim te vetja”,- tha ajo. Puna e saj e palodhur dha rezultat. Duke fituar vendin e Olimpiadës, ajo bëri histori për Kinën. Trajneri i saj beson se ka shumë të tjera për të ardhur.

 

“Ajo është vetëm 15 vjeçe dhe konkurroi kundër sërfistëve kryesisht të rritur në Lojërat Botërore të Sërfit”,- tha Luo Yang, trajneri i Yang. “Koha e saj e artë si sërfiste do të jetë viti 2028 ose 2032. Tani ajo është rreth 1.6 metra e gjatë. Unë mendoj se ajo do të bëhet më e fortë ndërsa rritet dhe zhvillohet”,- tha ai.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pas Botërorit të Sërfit, Yang u kthye në Kinë për të stërvitur me Skuadrën e Sichuan për tre javë përpara se të përgatitej për Lojërat e Parisit jashtë vendit.

 

“Ne do të stërvitemi në Los Angeles për shkak të kushteve të valëve atje. Gjithashtu do të marrim pjesë në Kampionatin Botëror të të Rinjve (WJC) në maj në El Salvador. Shpresoj që Yang të arrijë të renditet në nëntë të parat”,- tha Luo.

 

Sërfistja e re shpesh imagjinon se si do të jenë dallgët në Lojërat Olimpike. Konkursi i sërfit në Paris 2024 do të mbahet në Teahupoo në ishullin e Paqësorit Jugor të Tahitit, i njohur për potencialin e tij për dallgëve.

 

“Kam parë disa video dhe dallgët atje janë shumë të mëdha”,- tha Yang, e cila i është nënshtruar një trajnimi special për të mbajtur frymën e saj më gjatë nën ujë.

“Nëse përfshihesh në vorbullën e ujit që krijohet nga harkimi i dallgëve, mund të jetë e vështirë të dalësh dhe nuk mund të marrësh frymë”,- tha ajo.

 

“Paris 2024 do të jenë Lojërat e mia të para Olimpike dhe jam shumë e emocionuar për këtë. Dua të marr pjesë në më shumë gara të mëdha dhe të takoj sërfistët më të fortë. Ka shumë për të mësuar dhe përmirësuar”,- tha ajo.