Foto nga MPJ
Të mërkurën, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin reagoi në një konferencë shtypi për letrën publike të ministrit të Mbrojtjes të Filipineve Gilberto C. Teodoro.
Wang u shpreh se Filipinet e akuzojnë Kinën për përdorimin e statusit të vendit të madh për të ngacmuar një vend të vogël, por nuk flasin asnjë fjalë për pushtimin e paligjshëm të territorit kinez në ishujt Nansha të Kinës. Ky është “kurthi” i vërtetë.
Problemi i gumës Ren'ai nuk është problem se kush është i madh dhe kush është i vogël, por është problem se kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim, u shpreh Wang. Në vitin 1999, zbarkimi i paligjshëm në plazh i anijes ushtarake filipinase shkeli rëndë sovranitetin e Kinës. Pala kineze i paraqiti menjëherë demarsh palës filipinase, që premtoi ta tërhiqte anijen shumë herë. Funksionarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Filipineve janë shprehur qartë se Filipinet nuk dëshirojnë të ndërtojnë objekte në Ren'ai dhe nuk do të bëhen vendi i parë që shkel Deklaratën mbi Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore. Por 25 vjet kanë kaluar dhe Filipinet jo vetëm që nuk e mbajtën premtimin që ta tërheqin anijen, por përpiqen të transportojnë materiale për riparimin në shkallë të gjerë të anijes ushtarake, me synimin për të ndërtuar objekte të përhershme në gumën Ren'ai. Pala filipinase ka shkelur premtimet dhe ka provokuar, duke shkelur jo vetëm mirëkuptimin e arritur nga Kina dhe Filipinet mbi kontrollin e mosmarrëveshjeve mbi gumën Ren'ai, por edhe Deklaratën mbi Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore, sidomos pikën 5 mbi mosndërmarrjen e veprimeve për banim në ishujt, gumat e plazhet të pabanuara. Filipinet kanë përgjegjësi për situatën serioze në Detin e Kinës Jugore.
Kina dhe vendet e ASEAN-it kanë këmbëngulur gjithmonë që t’i kontrollojnë mosmarrëveshjet nëpërmjet dialogut dhe të ruajnë paqen e qëndrueshmërinë e gjithanshme të situatës në Detin e Kinës Jugore. Por vitet e fundit, Filipinet kanë përfshirë forca të huaja për të ndërhyrë në çështjet e Detit të Kinës Jugore, me qëllim që këto forca të huaja të përkrahin veprimet provokuese. Për interesat e veta egoiste, Filipinet nuk ngurrojnë të minojnë konsensusin e arritur nga vendet e rajonit, i cili është shkaku kryesor rrënjësor i zgjerimit dhe kompleksitetit të situatës në Detin e Kinës Jugore.
“Ne u kërkojmë Filipineve të respektojnë faktet dhe të zbatojnë konsensusin midis dy vendeve, Deklaratën mbi Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore dhe unanimitetin e arritur midis Kinës dhe vendeve të ASEAN-it, duke u kthyer në rrugën e drejtë të kontrollimit të mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut,” vuri në dukje zëdhënësi i diplomacisë kineze. (Çang Çuo)