Sondazhi tregon se banorët e Azisë Juglindore preferojnë Kinën më shumë se ShBA-në
2024-04-03 20:32:31

Foto nga sondazhi 

Shumica e banorëve të Azisë Juglindore preferojnë Kinën më shumë se ShBA-në, sipas rezultatit të një sondazhi rajonal të publikuar nga një institut me bazë në Singapor të martën.

Sipas sondazhit të Gjendjes së Azisë Juglindore 2024, i përpiluar nga Instituti ISEAS-Yusof Ishak (ISEAS), 50.5 për qind e të anketuarve nga Azia Juglindore zgjodhën Kinën dhe 49.5 për qind preferuan ShBA-në. Kjo është hera e parë që Kina e kalon ShBA-në që kur sondazhi vjetor filloi në vitin 2020, duke treguar një ndryshim të dukshëm në ndjenjat midis të pyeturve nga rajoni. Në sondazhin e vitit të kaluar, 38.9 për qind e të pyeturve zgjodhën Kinën, ndërsa 61.1 për qind ShBA-në.

Sondazhi i vitit 2024 u krye në internet me gjithsej 1 994 banorë të Azisë Juglindore, nga qarqet arsimore, grupet kërkimore, sektori privat, shoqëria civile, mediat, organizatat rajonale ose ndërkombëtare, si edhe nga sektori publik.

Në sondazhin e vitit 2024, Kina vazhdon të shihet si fuqia me ndikim më të madh ekonomik (59.5 për qind) dhe politiko-strategjik (43.9 për qind) në rajon, duke ia kaluar ShBA-së me diferenca të ndjeshme në të dy fushat. Ndër 11 partnerët e dialogut të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), Kina (me 8.98 nga gjithsej 11.0) kryeson listat për sa i përket rëndësisë strategjike për ASEAN-in, e ndjekur nga ShBA-ja (8.79) dhe Japonia (7.48).

Duke vlerësuar të ardhmen e marrëdhënieve të Kinës me ASEAN-in, më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në sondazh parashikuan përmirësim në tre vjetët e ardhshëm.

Raporti tregon gjithashtu se besimi te ShBA-ja është zbehur, me gati 60 për qind të të anketuarve të shqetësuar për ndikimin e saj strategjik dhe politik në rritje në rajon, nga mbi 40 për qind në vitin 2023. (Çang Çuo)