Red Radoja është lidhur me muzikën që në edukimin fillor në shkollën artistike "Jan Kukuzeli", për të vijuar me studimet në Akademinë e Arteve të Tiranës, ku u specializua në pianoforte dhe u diplomua në vitin 1998. Pas mbarimit të studimeve, ai filloi të punojë si pedagog në të njëjtin institucion, duke ndihmuar në formimin e brezit të ardhshëm të muzikantëve. Për të përshkruar shkallën e talentit dhe pasionit të Red Radojes për muzikën, nuk mjafton të ndalemi vetëm te piano. Ai vazhdoi të përparonte në fushën e muzikës në një shkallë ndërkombëtare, duke fituar një diplomë specializimi në pianoforte në Konservatorin e Strasburgut në vitin 2004.
Red Radoja kreu studime të avancuara në drejtim të orkestrës në Konservatorin e Dizhonit në vitin 2005, duke shtuar një dimension të ri në njohuritë dhe aftësitë e tij muzikore.
Në vazhdim të aventurës së tij të muzikës, Radoja përfundoi një master kërkimor në muzikologji në Universitetin e Strasburgut në vitin 2007, ku zbuloi dimensione të reja në botën e muzikës. Nga viti 2005 ai ka punuar si profesor i pianos në Shkollën e Muzikës në Lunéville, duke ndikuar në formimin e talenteve të reja në këtë fushë. Në të njëjtën kohë u angazhua si drejtues i korit "Les croissants d'or" në Lunéville, duke treguar një aftësi të shkëlqyer në menaxhimin e një ansambli vokal.
Veprat e tij muzikore janë vlerësuar gjerësisht dhe janë botuar në një sërë shtëpish botuese, me Editions Fortin-Armiane në Paris, që përfaqëson një pjesë të rëndësishme të publikimeve të tij. Përveç rolit si pedagog, Radoja është një koncertist i shquar, muzikolog, kompozitor dhe dirigjent, duke shpalosur një aftësi të rrallë për të shprehur vetveten nëpërmjet muzikës. Ai gjithashtu është një kantautor i talentuar, duke sjellë tekstet dhe meloditë e tij origjinale në skenën muzikore. Me një karrierë të pasur dhe një pasion të madh për muzikën, Red Radoja vazhdon të jetë një figurë frymëzuese dhe e rëndësishme në botën e muzikës klasike. Për biografinë e tij muzikore Red Radoja flet në intervitë për Radio Ejani
CMG: A mund t’i kujtoni vitet tuaja të para që ju futën në kontakt me muzikën?
Red Radoja: Mësimet e para unë i kam marrë prej nënës sime. Ka qenë ajo që më ka shoqëruar kudo dhe më ka dhënë dijet në muzikë apo orientimin.Violonçel kam nisur që në moshën 5 vjeç, më pas i iniciuar nga nëna nisa paralel edhe pianon.
CMG: Si ishte të ishe nxënës i nënës suaj ?
Red Radoja: Patjetër që ndihesha në tutelën e saj, por edhe kisha privilegjin që disa gjëra t’i kisha gati. Por, ajo që ndieja është që nuk kisha pavarësinë time.CMG: Kur u ndjeve i pavarur në profesion?
Red Radoja: Rreth moshës 14-vjeçare unë mund të konsistoj që isha i pavarur tashmë. Nëna ime më orientoi që të vazhdoja pianon, duke më përdorur argumentin që unë nuk isha natyrë shume kolektive dhe në piano do të gjeja veten më lehtësisht. Që nga ajo kohë unë e lashë violonçelin, por mbetet një kujtim i largët tani. Në këtë moment unë shkëputa edhe të qenit tërë kohës me nënën, sepse ajo nuk ishte një pedagoge e muzikës.
CMG: Si ju kanë nxituar prindërit artistë që të vlerësosh artin?
Red Radoja: Prindërit kanë bërë këtë gjë në formë indirekte, duke i lënë gjërat që t’i kuptoja sepse kjo më dha shtysën e duhur dhe jo me detyrim. Me kalimin e kohës njeriu kupton që ka një përgjegjësi për shkak të prindërve.
CMG: A e kujtoni performancën tënde të parë ?
Red Radoja: Kujtoj që kam qenë në klasë të dytë në shkollën e muzikës së Durrësit dhe është bërë koncerti i nxënësve dhe kam luajtur së bashku me motrën time.
CMG: Pse u zhvendosët në Francë?
Red Radoja: Në fakt ishte fillimisht një ftesë që më kishin bërë për të qenë në një koncert dhe më pas më lindi një pasion për të studiuar më tej dhe për të qëndruar në botën e artit atje. Mendoj se ishte një cikël e gjitha kjo.
CMG: Ju keni sjellë një projekt Single Rock Balade me motive shqiptare, pse kjo ide?
Red Radoja: Unë jam marrë me këngë me një stil metal gati 30- vite më parë me disa shokë të mi, të cilët kishin një grup që quhet "Meteor". Pra, kam qenë shumë i vëmendshëm kundrejt tematikave të tilla. Ndodh edhe diçka me njeriun që mund të ketë ide apo bindje të vetat, të cilat ndonjëherë nuk dëshiron t’i ndajë me të tjerët deri në një moment të caktuar. Mendoj se ky moment erdhi për mua. Ky single është me motive që afrojnë këngët më lahutë, sigurisht që ka ngjyrime Rock apo Jazz, por është një variant në shqip dhe mendoj që të bej edhe një variant në frëngjisht.
CMG: Çfarë rëndësise ka për ju ky projekt i fundit?
Red Radoja: Më bën të ndihem mirë sepse janë disa gjëra që njeriu i mban për vete dhe kur i ndan me të tjerët dhe ndihet mirë kjo ka shumë rëndësi.
CMG: Si është pritur ky projekt?
Red Radoja: Deri më tani njerëzit e kanë pritur mirë pasi kënga ka motive shqiptare dhe mbi të gjitha në përdorim ka dialektin Geg, një dialekt që rri shumë mirë në muzikë.
Intervistoi:Megi Latifi