“Princi i vogël” premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”
2024-04-02 10:30:54

Princi i vogel (Foto nga instagrami i TKE

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ofroi për fëmijët e kryeqytetit në fundjavë premierën e shfaqjes “Princi i vogël” me regji nga Rafael Hoxhaj. Shfaqja u përshtat për skenën nga Bujar Hoxhaj dhe në role kryesore interpretuan Denada Llanaj, Matia Llupa, Eva Gjikaj dhe Bujar Hoxhaj. Skenografia është realizuar nga Beqo Nanaj dhe kostumet nga Sofi Kara.

Autori i veprës së njohur  Antoine de Saint Exupéry ka vendosur në qendër të saj një princ të vogël, i cili niset në një udhëtim të gjatë dhe dëshira e tij është të bëjë miq të rinj, të vizitojë sa më shumë planete e të mësojë gjëra të reja.

Regjisori i shfaqjes për fëmijë Rafael Hoxhaj ka terguar për mediat rreth kësaj shfaqjeje: “Nëpërmjet shfaqjes “Princi i vogël” kam dashur të tregoj, botën paralele midis fëmijëve dhe botës së të rriturve. Aty ndodhet një kuti e bardhë që simbolizon një ngjyrë të hapur, një thellësi dhe një pafundësi, e cila është bosh dhe do pikturojnë tablonë e jetës së tyre. Këtu preket zhanri i pantomimës, teatri fizik, teatri i kërcimit, që do të jetë një teatër përmes dritave” tha Hoxhaj.

Mesazhi është shfaqjes “Princi i vogël” është: “Nuk ka rëndësi sa e vogël është shtëpiza jonë, nëse ka gjëra që na duan dhe i duam, është e mjaftueshme”. Nga secila prej këtyre aventurave ai mëson diçka të re. Ai njihet me parime si miqësia, dinakëria, e keqja. Në fund kthehet në shtëpi për të kuptuar se shtëpia është gjithmonë mjaftueshëm.

Princi i vogel (Foto nga instagrami  i TKE)

Princi i vogël “Le Petit Prince” është botuar së pari në prill të vitit 1943. Është një roman, vepra më e famshme e aristokratit, shkrimtarit, poetit, dhe aviatorit pionier frëng Antoine de Saint-Exupéry. Romani është votuar si libri më i mirë i shekullit të 20-të në Francë. E përkthyer në 300 gjuhë dhe dialekte, përkatësisht në gjuhën shqipe ka disa variante. Pas botimit të parë, romani është përshtatur në forma të ndryshme artistike e mediatike, duke përfshirë regjistrimet audio, vënien në skenë, filma, televizione, balete dhe opera.

Megjithëse i përshkruar si libër për fëmijë, “Princi i vogël” bën vërejtje të shumta rreth jetës dhe të natyrës njerëzore. Për shembull, Saint-Exupéry tregon për një dhelpër që takon princin përgjatë udhëtimeve të tij në Tokë. Thelbi i historisë qëndron në thënien e dhelprës "Njëri mund të shohë qartë vetëm nga zemra. Thelbësorja është e padukshme për syrin."  Momente të tjera të thëna nga dhelpra janë: "duhet të mbash përgjegjësi përgjithmonë, për çfarë ke zbutur" dhe "është koha që ke humbur për trëndafilin tuaj që e bën të jetë aq të rëndësishëm." Mesazhet e dhelprës janë ndoshta citatet më të famshme të librit sepse merren me marrëdhëniet njerëzore. Shfaqja “Princi i Vogël” i Saint-Exupery-së e cila e kish premierën në datë 30-31 mars në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, do vazhdojë të vihet sërish në skenë për fëmijët fundjavën e ardhshme më datë 6-7 prill në të njëjtën orë.

Sava Lena