Pse Standard & Poors vlerëson ekonominë e Shqipërisë?
2024-04-02 10:26:41

Foto nga VCG

Më 22 mars 2024, Agjencia “Standard & Poor’s” e rriti vlerësimin për Shqipërinë nga nota “B+” që kishte gjashtë muaj më parë, në notën “BB-“.

Tre agjencitë më të mëdha në botë të vlerësimit të shëndetit të huave publike dhe ekonomive, “Standard & Poor’s”, “Moody’s” dhe “Finch Ratings”, përdorin klasifikimin “BB” deri në “AA” për ekonomitë me financat publike më të qendrueshme. Agjencia “Standard & Poor’s” vlerëson aksionet e zakonshme dhe të preferuara, obligacionet dhe letrat tregtare.

Kalimi në një shkallë(notë) më të lartë, zakonisht kërkon nga të treja agjencitë botërore, një kohë relativisht të gjatë, për të krijuar bindjen që përmirësimet e ekonomisë së një vendi janë të qëndrueshme. Kjo kohë shkon në të paktën një deri në dy vjet.

Në tre vitet e fundit, nota e Standard & Poor’s për Shqipërinë ka ardhur në rritje kostante dhe përfaqëson ndër vlerësimet më pozitive në gjykim, për një vend evropian. Agjencia prodhon vlerësime zakonisht në intervale 6 muaj deri një vit, në krahasim me vlerësimin e mëparshëm.

Rritja e vlerësimit vjen si një njohje e qëndrueshmërisë ekonomike të Shqipërisë dhe menaxhimit të matur të financave publike të vendit, në përballje me një sërë sfidash të njëpasnjëshme.

 Foto nga Wikipedia

Në pesë vitet e fundit 2019-2023, ekonomia e Shqiperise ka pësuar tre goditje të njëpasnjëshme: tërmetin shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, pandeminë nga Covid-19 dhe inflacionin tejet të lartë të importuar të vitit 2022.

Ajo ia ka dalë gjithnjë që të befasojë për aftësinë e saj të rimëkëmbjes shumë nga institucionet ndërkombëtare që na vëzhgojnë e na ndihmojnë me ekspertizë dhe kredi të buta zhvillimi, si Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankën Botërore (BB) dhe Bankën Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Në vitin pandemik 2020, institucionet ndërkombëtare parashikuan që prodhimi ynë kombëtar (PBB) do të binte ndërmjet minus 7 dhe minus 9 përqind, si rrjedhojë e pasojave që do të vinin nga mbyllja dhe rënia globale. Një gremisje e vërtetë. Në fakt nuk ndodhi kështu. FMN e prashikonte rënien 7 përqind, ndërsa BB 9 përqind. Ramë vetëm 3.3 përqind, rënia më e ulët në rajon.

Në vitet 2021-2023, vendi u rrit më shumë sesa parashikimet e fillimvitit të këtyre institucioneve.

FMN parashikonte në prill 2023 një rritje ekonomike vetëm 2.4 përqind për Shqipërinë, ndërsa BB 2.6 përqind. Vetëm shtatë muaj më vonë, në nëntor 2023, parashikimet e këtyre institucioneve për rritjen ekonomike të Shqipërisë ishin përkatësisht 3.4 dhe 3.5 përqind.

Elasticiteti, përshtatshmëria e shpejtë e sipërmarrjeve shqiptare, që në pjesën më të madhe janë të vogla e të mesme, ka bërë që praktikisht të mos dëgjojmë lajme falimentimesh masive mes bizneseve, nga vështirësitë  e këtyre viteve të fundit.

Sipërmarrjet tona ditën të përshtaten me shpejtësi, të ndihmuara dhe nga turizmi Kontribut ka dhënë edhe menaxhimi i matur i financave publike, rritja e sektorit të turizmit në 3 vitet e fundit, fluksi i valutës së huaj, faktorë të cilët garantojnë qëndrueshmëri të ekonomisë.

Në përcaktimin e datës 22 mars 2024, Standard & Poor’s mendon se ekonomia e Shqipërisë është rritur me një mesatare mbresëlënëse prej 5.8 përqind në vit gjatë tre viteve të fundit, duke përmirësuar njëkohësisht ndjeshëm parametrat e financave publike të vendit. 

Ky tregues ka çuar në një reduktim të konsiderueshëm të borxhit publik, nga një nivel i larte prej 74.5 përqind të prodhimit kombëtar në vitin 2020, në një nivel prej 58 përqind në vitin 2023.

Foto nga VCG

Agjencia gjykon se Shqipëria ka forcuar gjithashtu bilancin e saj të jashtëm.  Ky bilanc është forcuar nga shtimi i rezervave valutore të vendit dhe nga të ardhurat në rritje të shërbimeve nga sektori i turizmit.

Futja në mes të ekonomive me financa publike të qendrueshme merr një rëndësi edhe më të veçantë për Shqipërinë, në kushtet e një situate sfiduese të ekonomisë globale, ku një pjesë e vendeve evropiane dhe atyre të rajonit tonë, kanë patur rënie të vlerësimit nga agjencitë ndërkombëtare.

Nota e e Standard & Poor’s forcon pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe sjell përfitime konkrete për ekonominë e vendit. Tani vendi do të shikohet më pozitivisht nga investituesit e huaj, për të rrezikuar kapitalet e tyre këtu. 

Kjo pritet të përkthehet në investime të huaja më të larta, me kompani me emër që do të vijnë në Shqipëri, për shembull, në fushën e turizmit, si edhe në kushte më të lehtësuara për huamarrjen e vendit në tregjet ndërkombëtare.

Vlerësimi më pozitiv i “S&P” pritet të japë ndikim dhe në tregun tonë të brendshëm, në kosto më të ulëta të financimit për bankat, bizneset dhe individët. Ai ndihmon edhe politikën lehtësuese të Bankës së Shqipërisë për nxitjen e kreditimit në lekë dhe uljen e kostos së parasë.

Fatos Çoçoli