Jasemina Zeqiraj.(Foto personale)
Jasemina Zeqiraj gjate nje interviste per televizionin italian (Foto personale)
Jasemina Zeqiraj është një shkrimtare nga qyteti i Shkodrës, që prej 24 vitesh jeton në Itali bashkë me familjen e saj. Ajo arrin ta përkthejë në vargje botën e saj të brendshme, të pasur dhe të larmishme. Lidhja e saj me poezinë filloi shumë herët në qytetin e lindjes, Shkodër. Siçilia ishte mikpritëse, ku Jasemina u përfshi në çështje sociale, kulturë, letërsi ku gjeti mbështetje, këshilla dhe pjesëmarrje, me shumë sakrifica, por e lirë të zgjedhë dhe të vazhdojë pasionin për të shkruarit. Jasemina botoi "La mia parola" (Fjala ime) në vitin 2006 dhe "Dashuri e lirë” në vitin 2019. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për pasionin për poezinë, largimin nga Shqipëria dhe integrimin në një vend të huaj, si dhe planet për të botuar në vazhdim.
CMG: Kur lindi pasioni për letërsinë dhe për të shkruar poezi?
Jasemina Zeqiraj: Kjo është hera e parë që po lidhem me publikun shqiptar, mbas 24 vitesh që jetoj në Siçili të Italisë. Fillimi i krijimtarisë time letrare nisi në vitet kur isha akoma në Shqipëri dhe isha shumë e re. Unë kam filluar të shkruaj në moshën 13 vjeçare, dhe historia ime është me shumë momente të veçanta. Fillova në shkollën 8-vjeçare të shkruaj me hidhërimin e momentit kur humba babain tim. Poezitë e mia të para ishin të dedikuara këtij personi, që ishte pjesë e zemrës time. Kështu që pas publikimit të parë në moshën 13 vjeçare vazhdova të shkruaj dhe pata propozime për botime të reja.
CMG: Si e kujton botimin e librit të parë me poezi?
Jasemina Zeqiraj: Poezitë e mia kam filluar t’i shkruaj në gjuhën shqipe në moshën 13 vjeçare në Shkodër, ku një gazetar dhe mik i familjes tonë, Tonin Verdha lexoi poezitë e mia me shumë ishteres. Ai më propozoi të botoja një vëllim poetik të parë të titulluar “Mjelma e luginës blu”. Ky ishte një vëllim shumë i vogël, sepse dhe mosha ishte e tillë. Këto ishin poezi të dedikuara me ndjenjë, dhe pas këtij vëllimi me poezi vazhduan dhe shumë momente televizive. Kam punuar te Antena Nord në Shkodër në moshën 13-14 vjeçare, ku realizonim programe të mëngjesti për fëmijët. Prej aty pata njohje me shumë redaktorë dhe njerëz të tjerë të letërsisë. Më vonë publikova vëllimin e dytë “Zgjimi i kitarës”.
CMG: Cili ka qenë emocioni që ke përjetuar kur botove librin e parë në moshë të re?
Jasemina Zeqiraj: Gjëja më e bukur që më ka ndodhur, ku edhe sot kur e lexoj janë fjalët e zgjedhura një nga një, fiks si rruaza. Mendoj në çdo moment se prej nga dolën këto fjalë dhe si është e mundur që zemra me bulmu kaq shumë ndjenjë. Këto fjalë i lidh shumë shpesh dhe me pyetjen që bënte mësuesja e shkollës, kur na thoshte se çfarë do të thotë poeti me këtë frazë, kur lexonim poezitë në klasë. Unë atëhere kam pasur dhe ideale shumë të bukura rreth e rrotull, njerëz që e kanë pëlqyer gjithmonë letërsinë. Kështu që kam patur pranë gjithmonë njerëz të veçantë, por dhe mami ka qenë gjithmonë afër meje dhe ishte shumë krenare. Kjo ka qenë një mënyrë për t’i dhënë asaj buzëqeshjen, sepse kur isha shumë e vogël, përveçse kam humbur babain dhe ajo ka humbur bashkëshortin.
Libri Zgjimi i kitares te autores Jasemina Zeqiraj (Foto personale)
Në periudhën e viteve 90-në kanë qenë kohë shumë të vështira, sepse pas një jave që humba babain, humba gjithashtu dhe gjyshin dhe dajën, që jetonim në të njëjtën shtëpi. Kështu që mami im kishte më shumë lot sesa buzëqeshje. Ai moment ka hapur në zemrën time një ujvarë të madhe ndjenjash.
CMG: Kur je larguar nga Shqipëria dhe aryeja e largimit për në Itali?
Jasemina Zeqiraj: Në atë kohë në Shqipëri kishim shumë probleme sesi të ecnim përpara sepse unë, motra dhe vëllai im ishim vetëm. Në vitin 2000 pasi publikova “Zgjimi i kitarës”, vendosëm të gjenim një moment për të ndërruar pak jetën tonë, për të patur më shumë mundësi në jetë. Mami im vendosi për familjen që të transferohet në Itali. Në atë kohë ambasada italiane jepte viza për të shkuar dhe punuar në Itali, për personat që njihnin gjuhën ose ishin me eksperiencë shkollore të mirë. Kështu që në atë moment mami dhe motra mundën të përfitonin dhe u nisëm si familje në janar të vitit 2000.
CMG: Si u integrove në Itali?
Jasemina Zeqiraj: Unë mbaj mend shumë mirë ato lot që të lajnë pas varkës, ku varka ecën përpara dhe lotët vazhdojnë rrjedhin e ndjekin për shumë ditë, javë dhe mbase për shumë vite. Unë e them gjithmonë që mërgimi është ashtu siç flasin poetët tanë të mëdhenj, dhe është e vërtetë që mërgimi hap një pellg të madh në shpirt. Është diçka që të ndryshon, duhet të luftosh çdo ditë për të mësuar fjalën, kulturën e një vendi të ndryshëm, por dhe të jesh e pranuar në mesin e të tjerëve, sepse të shohin gjithmonë si një person ndryshe. Kështu që integrimi nuk ka qenë i lehtë, por nuk jemi dorëzuar kurrë.
CMG: Pasioni për të shkruar poezi nuk u ndal as në Itali, ku e vazhdove këtë rrugëtim të bukur
Jasemina Zeqiraj: Pasioni mbetet pasion dhe ne kemi shembull të mirë në Itali si Ana Oksa, Kledi Kadiu, Ambeta Toromani, por edhe shkrimtarë që nuk i është ndalur kurrë pena dhe arti, sepse eksperiencën e rëndësishme që kemi përjetuar në Shqipëri, ne do ta çojmë në çdo vend të botës. Ne kemi historinë tonë, botën tonë të brendshme, dhe mund të behemi një urë e rëndësishme që lidh kulturat dhe këto dituri për t’u integruar në mënyrë më njerëzore.
CMG: Cilat janë botimet tuaja në fushën e letërsisë gjatë këtyre viteve që jeton në Itali?
Jasemina Zeqiraj: Në Itali kam botuar vëllimet poetike “La mia parola” në vitin 2006. Në vitin 2020 publikova një vëllim tjetër të titulluar “Dashuri e lirë”, ku vendosa historinë e gjithë shqiptarëve që humbën jetën në kanalin e Otrantos në vitin 1997. Unë dhe pse kam shkruar në gjuhën italiane dhe bëj pjesë në 200 italofonici shqiptarë në Itali, që shkruajnë vetëm italisht, por lidhja me Shqipërinë nuk ka humbur kurrë.
Laboratori i autores Jasemina Zeqiraj (Foto personale)
CMG: Si janë pritur librat tuaj në italisht nga lexuesit?
Jasemina Zeqiraj: Këtu librat kanë qenë në mënyrë të përsosur, ku publiku i ka pëlqyer shumë, sepse ne shqiptarët sjellim një pasion shumë të madh me poezinë dhe shkrimet. Sodoqoftë ajo dëshira dhe pellgu që më ka mbetur në zemër është se dua të kem publik shqiptar më të afërt. Kjo është e vetmja dëshirë, që më ka mbetur në zemër, për të publikuar prapë në shqip. Pas 24 vitesh që nuk vij në Shqipëri, kishte me qenë momenti më i bukur kthimi në tokën time me një libër me poezi.
CMG: Sa mall ke për vendlindjen dhe çfarë të mungon më shumë nga Shqipëria?
Jasemina Zeqiraj: Më mungojnë shumë gatimet shqiptare, por edhe ndjenja që kemi ne shqiptarët për ta kuptuar njëri-tjetrin me sy, dashamirësinë e shkodranit sepse jam rritur në Shkodër deri në moshën 18 vjeç. Gjithashtu më mungon shoqëria ime që jetojnë atje. Këto janë momentet që më mungojnë shumë. Në fillim kisha vështirësi të madhe për të kuptuar sesi mund të jetoja pa tokën time, ajo toka nënë që më pëlqente, më ka rritur dhe edukuar. Pra ka qenë shumë e vëshirë që ta mbyllja këtë lloj rrethi, por prapë kuptoj që jeta vazhdon në çdo vend të botës. Kam vazhduar të lavdëroj më shumë vendin tim me poezitë dhe personat që takoj çdo ditë.
CMG: Cila do të ishte dëshira më e madhe kur të kthehesh në Shqipëri pas një kohe kaq të gjatë?
Jasemina Zeqiraj: Gjëja e parë që do të kisha dëshirë të madhe do ishte një qendër e vogël kulturore, ku mund të recitoj ndonjë poezi timen dhe t’i përqafoj të gjithë me sytë me lot, sepse e kam aq të fortë pasionin dhe mallin sa që e imagjinoj që mund të hyj në zemrën e tyre. Vetëm kjo mund të jetë, sepse gjërat e bukura në botë nuk mbarojnë. Unë e di se Shqipëria tani është bërë shumë më e bukur, ku rrugët janë rregulluar dhe njerëzit janë bërë më modernë. Mua më mungon ajo jeta ime e vogël në vitet 80-90-të, një jetë shumë të thjeshtë me miqësi shumë të bukura, të ëmbla dhe pa interes. Kjo është diçka që kisha dëshira ta krijoj prapë një moment të tillë. Sot jam ulur dhe kam shkruar një poezi në shqip vetëm për dëgjuesit e Radio Ejani.
CMG: Cilat janë planet tuaja në vazhdim në lidhje me krijimtarinë letrare?
Jasemina Zeqiraj: Unë në vitin 2022 publikova dhe një histori fantazi për fëmijët. Fillova këtë botim sepse ma kërkonte një botues i rëndësishëm, i cili këtu në Itali kishte dëshirën që të tregonte se sa mund të krijojnë personat që vijnë nga jashtë. Gjithashtu kam marrë pjesë dhe në një konkurs ndërkombëtar, që quhet “Flasim për historitë e emigrantëve”, ku unë fitova një çmim të rëndësishëm, dhe jam referente e këtij konkursi. Kam shkruar disa histori për fëmijët, dhe po vazhdoj të shkruaj sërish vëllime në shqip dhe italisht, të cilat janë gati dhe pres t’i botoj së shpejti.
Intervistoi: Gazmend Agaj