19 prill, afati për fermerët për përfitimin e Skemës Kombëtare në Bujqësi
2024-04-01 10:28:40

Enio Civici (Ministria e Bujqesise)

Data  27 Mars shënoi hapjen e  aplikimeve për përfitimin e fondeve në bujqësi përmes Skemës Kombëtare 2024 dhe në dispozicion të fermerëve do të jenë 32 milionë euro, të cilat do të shkojnë për mbështetjen e tyre. Në një intervistë për mediat Zv.Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Enio Civici teksa i ka bërë thirrje fermerëve që të aplikojnë, ka theksuar se koha që kanë në dispozicion është deri në datën 19 prill.

Skema mbështetëse e këtij viti ka disa risi. Këtë herë do të kenë mundësi që të përfitojnë edhe fermerët të cilët kanë më pak se 10 krerë bagëti, apo që kanë një sipërfaqe tokë të kultivuar më pak më pak se 1 hektarë.

“ Skema e këtij viti ka disa risi. Po e nis me skemën e naftës, që është dhe skema më shumë e përdorur, më shumë e aplikuar, tashmë pagesa nuk do jetë me litra nafte, por do shkojë direkt në llogarinë bankare të fermerit apo aplikantit dhe në këtë mënyrë shmangim çdo lloj abuzimi të mundshëm të niveleve të dyta apo të treta. Ashtu siç ka qenë skema e naftës mbështetet nga një deri në 10 hektarë, risia është që mbi 10 hektarë, pra hiqet tavani, vazhdon mbështetja për këtë herë në 50% të masës, sipas parimit të proporcionalitetit sepse përpara tavani mbaronte pra kishte tavan  me të cilin ti nuk mund të merrje më shumë. Këto tavane janë hequr.”- u shpreh Civici.

Ai u ndal edhe tek zëri i programuar për mbështetjen e serrave.

“Më pas mund të shkojë tek serat, të cilat janë dhe kampionet tona të prodhuesve të perimeve dhe të cilat shkojnë kryesisht për eksport. Aty vazhdon mbështetja me 200 mijë lekë të reja për hektarë, nga një deri në 5 hektarë. Mbi 5 hektarë përsëri është hequr tavani, është dhënë mbështetje në 50% në parimin e proporcionalitetit. Risi e re e skemës është përfshirja e sektorit të bimëve aromatike medicinale sepse ishte një sektor që vuajti dhe vazhdon të vuajë nga ndryshimi i madh i kursit të këmbimit, duke qenë se është biznes eksportues dhe për pasojë ne i gjendemi, i shkojmë në ndihmë me një masë mbështetëse prej 30 mijë lekësh të reja për hektarë, gjë që ka qenë një masë para disa viteve por u rikthye pasi e kërkon nevoja.”

Një mbështetje të madhe përfitojnë edhe blegtorët dhe bletërritësit.

“Më pas blegtorisë në rastin e të imtave është 1200 lekë për krerë, nga 100 deri në 300 krerë, ndërsa në e gjedhëve është nga 10 mijë lekë për krerë deri në 50 krerë. Dhe këtu njësoj vazhdon hiqen tavanet dhe vazhdon ligji i proporcionalitetit mbi këto tavane, paguhesh 50% përsëri me prorcionalitet. Mund të kalojë në bletarinë, e cila është një sektor shumë i rëndësishëm i bujqësisë shqiptare, jo vetëm për fermerët të cilët janë të angazhuar por dhe në prodhimin e një produkti shumë të rëndësishëm për konsum. Në këtë skemë ne mbështesim me 1 mijë lekë për zgjua, dhe e kemi intervalin nga 50 deri në 150 zgjojë. Por përsëri ne këtu nuk ka tavan mbi 150 zgjojë është mbështetja me 50% të vlerës normale dhe vazhdojmë të qëndrojmë me dy masa që kanë qenë gjithmonë dhe që shërbejnë për rritjen e cilësisë që është certifikimi që është një mënyrë për të dalë në tregjet e sofistikuara evropiane apo dhe vendeve të tjera dhe të zhvilluara dhe njëkohësisht në prodhimin, mbështetja për prodhimin organik sepse në fund të ditës është një prodhim që është më i vështirë për t’u përdorur, por është i shëndetshëm pasi nuk përdor asnjë lloj pesticidi dhe në treg del me çmim më të lartë.”

Bujqesi (gazeta shqiptare)

Skema bujqesi (monitor)

Skema kombëtare e këtij viti ka në fokus bashkimin e fermerëve si në bujqësi ashtu edhe në blegtori me qëllim që të rritet numri i përfituesve.

“Në të gjithë këto masa risia, e cila vjen përsëri e përforcuar këtë vit, është ajo e bashkimit, ku ne i kërkojmë dhe i sugjerojmë të gjithë fermerëve që aty ku ka mundësi sigurisht që nuk bëhet me detyrim, në bazë të kulturave apo marrëdhënieve që kanë fermerët të bashkohen dhe të përfitojnë në rastin e kulturave të perimeve. Në rastin e bletëve apo edhe të blegtorisë ne i kërkojmë një dokument, i cili mund të shkarkohet shumë kollaj në E-Albania, nuk ka me noter apo me kërkesa të tjera, thjesht një dokument që firmoset nga çdo anëtar dhe kërkojmë një minimum prej 7 anëtarësh. Në rastin e serave vetëm kërkojmë një minimum prej katër anëtarësh. “

Në intervistën për mediet zëvendësministri Civici më tej bëri të ditur se:

 “Kur të shqyrtohen aplikimet bashkimet e operatorëve do shqyrtohen të parat dhe do marrin masë financimi 100%, pavarësisht nëse janë tavane apo limite proporcionaliteti. Besojmë dhe kemi parë dhe nga eksperienca e vendeve të zhvilluara që kur ti paraqitesh në treg me një sasi më të madhe pra si bashkim operatorësh fuqia jote negociuese është shumë më e madhe përballë pikave të grumbullimit, është më e madhe përballë zinxhirit të shitjeve, gjithë zinxhirit në treg, është dhe patjetër më i lehtë në kushtet e protokollit të prodhimit për të ulur kostot kur të jenë bashkë.”

Këtë vit pritet të përfitojnë rreth 70 mijë fermerë nga kjo skemë.

“Ne kemi parë një rritje të masës së aplikantëve, masë së përfituesve vitet e fundit, e kemi nisur me më pak se 10 mijë, kur viti i fundit 2023 arriti në 65 mijë, dhe ndërkohë kjo skemë e vitit 2024 parashikon që të mbështesë mbi 70 mijë apo 75 mijë fermerë të tjerë të vitit 2024, të cilët mbështeten sipas qoftë në bashkim 100% apo dhe sipas parimit të proporcionalitetit nëse aplikojnë vetëm. Ajo thirrje që unë kam, konsiston në dy drejtime, e para ju lutem bashkohuni sepse ju thashë fuqia negociuese është më e fortë dhe njëkohësisht kostot e prodhimit janë më të ulëta, dhe një anë tjetër duke qenë se zbatojmë 100% parimin e proporcionalitetit nuk është e nevojshme që fermerët të qëndrojnë në radhë për të aplikuar sepse nuk funksionon më parimi kush aplikon i pari, përzgjidhet i pari, por përfitojnë të gjithë.”

Aplikimet e fermerëve kryehn on-line përmes aplikacionit e-Albania. Ekipet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë të gatshme për çdo pyetje apo ndihmesë nëpërmjet Agro-Pikave ose në Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në çdo rreth. Nga dikasteri i bujqësisë thonë se në ndihmë të fermerëve janë gjithashtu edhe njësitë e qeverisjes vendore.