Auron Deva dhe sukseset në tregun evropian të muzikës
2024-03-31 19:14:14

Verona Itali Auron Deva (Foto nga instagrami)

Verona Itali Auron Deva (Foto nga instagrami)

Këngëtari Auron Deva ka lindur në Gjakovë dhe e ka nisur muzikën me studimin e kitarës në shkollë fillore, për të vijuar studimet për kanto në Fakultetin e Muzikës moderne. Ai ka marrë pjesë në shumë festival, duke fituar edhe mjaft çmime. Në festivalin “Rising stars” 2019 ka fituar Çmim special, në “Lyra Fest 2020” po ashtu, çmimin e dytë në festivalin “Teen fest” 2020, çmimin “Grand Prix” në festivalin “Music Land” 2021, çmimi “Grand Prix” në festivalin “Viva Italia” 2022. Ka qenë në ‘ Top 10’ në festivalin “Next Generation” Verona 2022, në ‘Top 5’ në festivalin “Next Generation” Verona 2023, ‘Special Guest’ në koncertin “Tribute to musicals” Maltë 2023.

Ai është dhe tekstshkrues i këngëve “Opera”, “N’andrra”, “Unspoken” e kënduar nga Ermal Demiri, etj. Auroni ka qenë finalist në festivalin e parë të këngës në RTK, etj. Në intervistë për Radio Ejani, ai ka treguar për jetën e tij artistike,fillimet në muzikë, çmimet nëpër Evropë, por edhe planet për të ardhmen.

Auron Deva (Foto nga instagrami)

Auron Deva (Foto nga instagrami)

CMG: Sapo ke sjell këngën tënde më të re "Ça thonë ata sy". Na trego për fabulën e kësaj kënge?

Auron Deva: Kënga “Çfarë thonë ata sy” është e shkruar me tekst dhe muzikë nga Bekim Këpuska dhe bën pjesë në albumin e ri të Bekimit. Ky është një album që promovon artistët e rinj të Kosovës dhe të Shqipërisë.

CMG: Si erdhi kjo këngë deri në finalizim?

Auron Deva: Mua më ftoi për këtë projekt Bekimi, pasi ne kemi pasur kontakte që të realizonim diçka të re. Kur pashë që Bekimi po bënte një projekt për artistët e rinj, mendova që të merrja pjesë në këtë album. Kjo është një këngë që e kam bërë për vete, por është ndër këngët e vetme që nuk kam pasur shumë hapësirë kreative, pasi kënga ka qenë e kompletuar, por vetëm kam performuar. Është diçka që unë e bëj rrallë, por më ka pëlqyer.

Auron Deva ne Festivalin e kenges ne RTK  (Foto nga instagrami).jpg

Auron Deva ne Festivalin e kenges ne RTK  (Foto nga instagrami)

CMG: Kohët e fundit je angazhuar në festivale të ndryshme. Në Festivalin e RTK-së u prezantove me këngën "Çmimi i dashnisë". Një këngë e mirë, me një performancë të ngjashme me ato të Eurovizionit...

Auron Deva: Edhe në festivalin e RTK-së mua më ftoi ish profesori im, një këngëtar dhe artist shumë i njohur Korab Shaqiri. Ai më bëri ftesën që të merrnim pjesë bashkë në Festivalin e këngës. Kur e dëgjova këngën më pëlqeu dhe mendova se ka potencial për të bërë një performancë të shkëlqyer, që doli vërtetë ashtu si mendova.

CMG: Është dëshira jote të prekësh skenën e Eurovizionit?

Auron Deva: Mendoj se si çdo artist shqiptar, ëndrra e tyre është që të prekin skena të mëdha, skenë e madhe është edhe ajo e Eurovizionit, prandaj gënjej nëse them që nuk është kjo një nga dëshirat e mia, por mund të them se nuk është ajo dëshira më e madhe.

Auron Deva (Foto nga instagrami)

Auron Deva (Foto nga instagrami)

CMG: Një vit më parë ke sjellë këngën "Opera", duke i bërë të gjithë kuriozë. Kënga "Opera" e ka një metaforë, që jo shumë persona e kuptojnë, a mund të na sqarosh për këtë?

Auron Deva: Kënga “Opera” është kënga e parë që unë e kam realizuar edhe me videoklip. Kjo këngë do mbetet gjithmonë në zemrën time, jo vetëm se është kënga e parë, por për shkak të tematikës që ajo ka. Teksti i këngës “Opera” ndahet në tre akte, ashtu si ndahet edhe një opera në pesë akte. Mua më pëlqen shumë metafora, prandaj edhe kam dashur që ta titulloj “Opera”, sepse e konsideroj si operan time, meqënëse ndahet me tre akte, në tre shtylla kryesore. Kënga flet për shëndetin mendor. Pak njerëz e kanë kuptuar thelbin dhe idenë që kam dashur që të shpreh me këtë këngë, por mua më pëlqeu shumë si titull dhe nuk jam penduar për këtë.

Auron Deva (Foto nga instagrami)

Auron Deva (Foto nga instagrami)

CMG: Për këngën "Opera të është dashur 6 muaj punë intensive. Përse të ka marrë kaq shumë kohë realizimi i saj?

Auron Deva: Kjo këngë na ka marrë vërtetë gjashtë muaj punë, pasi unë me producentin Lis Boshtrakaj jemi shumë detajistë. Sapo përfundonim diçka e hiqnim diçka tjetër dhe kjo punë shkoi për gjashtë muaj. Më në fund zgjodhëm një prej versioneve, pasi për këtë këngë kemi realizuar rreth 100 versione, e më në fund e finalizuam. Madje njëra prej arsyeve që u ndalën dhe e përfunduam në muajin e gjashtë ishte shkaku sepse aplikuam me këtë këngë, në Festivalin e Këngës në RTSH dhe nëse nuk do të ishte festivali, do kishim vazhduar të punonim më shumë për këtë këngë. Por në atë vit nuk u pranua kënga dhe ne vendosëm që ta realizonim me videoklip.

Ne Oher Maqedoni e Veriut Auron Deva (Foto nga instagrami)

Ne Oher Maqedoni e Veriut Auron Deva (Foto nga instagrami)

CMG: Edhe pse je një artist i ri, ke patur shumë prezantime nëpër Evropë, duke u vlerësuar edhe me çmime .Si nisi rrugëtimi evropian, dhe si u krijuan këto lidhje?

Auron Deva: Unë kam marrë pjesë në shumë festivale, duke filluar nga festivalet e Kosovës për të vazhduar në Maqedoni ku kam fituar çmimin “Grand Prix “ dhe kam qenë i pari mes 30 shteteve të Evropës dhe të Afrikës. Ai festival më ka hapur shumë rrugë edhe në festivale të tjera, ku jam vlerësuar në Romë me dy çmime “Grand Prix”, gjithashtu në Veronë, në MaltëKam kënduar në shumë koncerte, si edhe pres që të kem edhe përfaqësime të tjera në vazhdim.

Auron Deva (Foto nga instagrami)

Auron Deva (Foto nga instagrami)

CMG: Ke nisur studimet që i vogël për kitarë, e më pas vijove për kanto. Si lindi dashuria për këngën dhe a vazhdon të luash në kitarë?

Auron Deva: Kam studiuar për kitarë gjashtë vite në shkollën fillore “Prenk Jakova” në Gjakovë, më pas vazhdova për Kanto, pasi këndimi është pasioni im. Dëshira ime për muzikën ka lindur që kur isha i vogël, teksa dëgjoja të këndonte Flaka Krelani në Festivalin e këngës në Rtsh, edhe spektaklin “Ethet e së Premtes”, e shihja Flakën në skena të mëdha dhe më pëlqente. Duke qenë se Flaka Krelani është edhe kushërira ime më e afërt dhe unë doja ta shihja veten në ato skena si ajo. Tani që jam rritur po e shoh që dalëngadalë po i bëj ato hapa, që i kam dëshiruar që i vogël. Unë vazhdoj të luaj kitarë, gjithashtu edhe piano, por këto instrumente i përdor vetëm kur shkruaj këngët e mia, pasi nga ana performuese, mua më pëlqen që kur të këndoj ta shoqëroj edhe me kërcim.

Auron Deva  ne koncertet Evropiane (Foto nga instagrami)

Auron Deva  ne koncertet Evropiane (Foto nga instagrami)

CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?

Auron Deva: Planet e mia janë që të realizoj një album me këngët që i kam shkruar vetë dhe shpresoj që të pritet mirë nga të gjithë, jo vetëm në vendet shqipfolëse, por edhe më gjerë pse jo. Kam punuar shumë për këtë album dhe nuk dua të mendoj më larg për momentin, pasi tani ky është fokusi im kryesor.

CMG: Si dhe ku e sheh veten pas një dekade?

Auron Deva: Për një dekadë unë e shoh veten shumë lart, por nuk dua t’i shpreh mendimet e mia për momentin, përpara se të realizohen. Veten e shoh pas një dekade, si një artist i arritur profesionalisht, që është krenar për atë çfarë ka bërë vetë, si edhe një artist që e ka bërë familjen dhe popullin shqiptar krenar

Intervistoi: Sava Lena

Auron Deva (Foto nga instagrami)

Auron Deva (Foto nga instagrami)