foto nga CFP
“E ardhmja ime është këtu!”. Kështu i shpreh emocionet për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Christopher Thomas, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin “Brookings” të Shteteve të Bashkuara gjatë Konferencës së Boao-s 2024 për Azinë. Thomas ka jetuar në shumë vende dhe tani banon në Kinë. Gjatë viteve, ai ka mbetur i befasuar nga potenciali i zhvillimit të Kinës si dhe mjedisi i hapur e miqësor në këtë vend.
Forumi i këtij viti, që u zhvillua nga 26-29 marsi, tërhoqi rreth 2 mijë përfaqësues nga qarqet e biznesit dhe grupet e mendimit, nga më shumë se 60 vende dhe rajone anembanë botës. Gjatë katër ditëve, pjesëmarrësit zhvilluan diskutime të thella rreth temës “Azia dhe bota: Sfidat dhe përgjegjësitë e përbashkëta” dhe lëshuan një apel aziatik për “unitet, bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët”. Mes tyre, roli aktiv i Kinës u njoh gjerësisht nga të gjitha palët.
Kirill Babaev, drejtori i Institutit Kërkimor mbi Kinën dhe Azinë Moderne pranë Akademisë Ruse, i tha CMG-së se mes një sërë sfidash komplekse, Azia dhe veçanërisht Kina do të bëhen shtylla kurrizore e zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë globale. “Qoftë për rritjen ekonomike, ashtu dhe për zhvillimin teknologjik, Kina ka një të ardhme të ndritur.” – thotë ai.
foto nga CFP
Por nga vjen një besim i tillë? “Kina ka një treg super të madh”, “Kina po zgjeron hapjen e nivelit të lartë”, “Kina ka epërsi në sistemin industrial, talentet dhe inovacionin”... Shumë pjesëmarrës në këtë forum theksuan se ekonomia kineze jo vetëm që ka elasticitet dhe potencial të jashtëzakonshëm, por gjithashtu përmban edhe mundësi të reja zhvillimi. Ish-kryeministri i Japonisë Yukio Hatoyama i tha CMG-së: “Mendoj se ekonomia kineze do ta ruajë prirjen shumë të mirë të zhvillimit dhe do të ketë një ndikim të madh në botë”.
Aktualisht, zhvillimi i forcave të reja prodhuese është bërë një temë e nxehtë për ekonominë kineze. Të dhënat tregojnë se Kina ka ruajtur rritjen dyshifrore për shumë vite me radhë për investimet në industrinë e teknologjisë së lartë dhe numri i këtyre kompanive ka arritur në rreth 400 mijë. Mes tyre eksporti i “tre produkteve të reja”, automjeteve me energji të re, baterive litium-jon dhe ato fotovoltaike, është rritur me shpejtësi. Ekonomia digjitale po zhvillohet gjithashtu dhe shkalla e depërtimit në teknologjinë 5G i kalon 50 për qind të përdoruesve të mbarë vendit.
Ambasadori i Turqisë në Kinë İsmail Hakkı Musa tha se produktiviteti i ri nënkupton se Kina po përgatitet për një model të ri zhvillimi ekonomik, për përballimin e sfidave globale dhe për një të ardhme më të bukur.
Këtë vit, në të gjitha vendet e Forumit Aziatik të Boao-s realizohet vetëfurnizimi me energji të gjelbër, duke plotësuar objektivin e neutralizimit të karbonit. “Unë kurrë nuk kam qenë në një hotel të tillë, të furnizuar krejtësisht me energji natyrore. Është e mahnitshme!” - thotë Leota Membrere, një reporter i gazetës qeveritare të Samoa-s “Savali”.
foto nga CFP
Nga të dhënat del se në Kinë është formuar një hapësirë kolosale zhvillimi për infrastrukturën, energjinë dhe jetën e gjelbër dhe tregu i investimeve që ushqen ky trend do të arrijë në 10 trilionë juanë çdo vit. Membrere thotë se Kina po krijon më shumë “modele të gjelbra” për botën dhe se ai dëshiron t’i çojë këto përvoja në vendlindje, për të përfituar më shumë njerëz.
Kërkimi i zhvillimit të përbashkët është i pandashëm nga hapja ndaj botës. Kohët e fundit, Kina publikoi një sërë masash, si vazhdimi i reduktimit të listës negative për hyrjen e investimeve të huaja, heqja e plotë e kufizimeve ndaj investimeve të huaja në sektorin e manifakturës dhe zbatimi i trajtimit kombëtar për kompanitë e huaja. Sipas të dhënave më të fundit, në dy muajt e parë të këtij viti, numri i kompanive të sapokrijuara me investime të huaja në Kinë u rrit me 34.9 për qind.
Inovative, e gjelbër, e hapur dhe e përbashkët – kjo është e ardhmja që shohin njerëzit në Kinë. Sipas drejtorit të lajmeve të Televizionit Kombëtar të Pakistanit, Mir Salim Khan Jogezai, “Kjo nuk është vetëm e ardhmja e Kinës, por edhe e ardhmja e Azisë dhe botës”. (Wang Lei/ Laçi)