Vjollca Buqaj: Kënga ka qenë gjithmonë pasioni im
2024-03-30 18:05:24

Vjollca Buqaj gjate nje koncerti (Foto personale)

Vjollca Buqaj gjate nje koncerti (Foto personale)

Vjollca Buqaj është një këngëtarja kosovare, e cila i ka qëndruar besnike këngës së mirëfilltë popullore shqiptare. Fillimet e karrierës së saj i ka pasur me ansamblin "Azem Bejta". Ajo ka disa albume të inçizuara me këngë folklorike, por dhe bashkëpunime me këngëtarë të suksesshëm Ilir Shaqiri, Hysni Zela, Emine Hasimi, Violeta Kajtazi, Nikollë Nikprelaj, me të cilët ka realizuar duete dhe potpuri këngësh folklorike e popullore.

Vjollca i ka kënduar dashurisë, heroizmit, gëzimeve familjare etj. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për fillimet e karrierës muzikore, koncertet dhe festivalet ku ka qenë pjesëmarrëse, si dhe projektet muzikore.  

Artistja nga Kosova Vjollca Buqaj (Foto personale)

Artistja nga Kosova Vjollca Buqaj (Foto personale)

CMG: Si lindi dëshira për të interpretuar këngët popullore?

Vjollca Buqaj: Dëshira gjithmonë ka qenë e madhe kur isha fëmijë sepse jam rritur në një ambjent ku është dëgjuar gjithmonë çiftelia. Gjithashtu babai im i ndjerë ka patur shumë prirje për të kënduar, por dhe për të luajtur në çifteli dhe fyell. Madje vëllezërit e mi kanë kënduar para viteve 90-të nëpër oda dhe dasma. Kështu që kjo dëshirë e imja është bërë dhe pasion dhe  fillimet i kam pasur në shkollën fillore. Pjesëmarrja ime në një koncert me rastin e ditës së shkollës ishte hera e parë që jam prezantuar para publikut dhe duartrokitjet e tyre i mbaj mend dhe sot  dhe kanë qenë një shtysë për mua. Kam menduar se duhet patjetër të vazhdoja me këngën, sepse ka qenë një ndjenjë e papërshkruar. Pastaj kam vazhduar duke u regjistruar në shoqërinë kulturore-artistike “Rilindja” në atë kohë në Prishtinë për të vazhduar pjesëmarrjet në festivalet e ndryshme.

Kam marrë pjesë në festivalin e parë “Akordet e Kosovës”, ku kanë qenë shumë këngëtarë të njohur, që i kisha parë vetëm në televizor. Kam qenë e privilegjuar që të isha edhe unë bashkarisht me ta, siç kanë qenë Nexhmije Pagarusha, Ismet Bogujevci, Riza Bytyçi dhe shumë këngëtarë të tjerë të njohur, që kanë lënë gjurmë në kulturën tonë shqiptare. Kam marrë pjesë më vonë në festivalin “Kosovarja këndon”, ku jam vlerësuar me vendin e parë në vitin 1987 si debutuesja më e re. Festivalet kanë qenë ato të cilat më kanë nxjerrë si këngëtare.

Vjollca Buqaj ne skene duke interpretuar (Foto personale)

Vjollca Buqaj ne skene duke interpretuar (Foto personale)

CMG: Je e lumtur që këtë traditë të këngës popullore e ke trashëguar nga familja?

Vjollca Buqaj: Patjetër që jam e lumtur, sepse akoma qëndroj pranë publikut dhe projektet e mia pëlqehen. Ndjehem krenare dhe vazhdoj me prurje të reja.

CMG: Cilat kanë qenë koncertet që ke marrë pjesë në dhe si je pritur nga publiku?

Vjollca Buqaj: Unë që në fillim kam patur një sukses shumë të madh, sepse në vitet 90-të isha anëtare e Ansamblit Folklorik “Azem Bejta”, me udhëheqës artistik Shaqir Hotin. Ky ansambël ka pasur shumë këngëtarë të mirë, të cilët kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare, si Nikoll Nikprelaj, Fatime Jashanica dhe të tjerë. Prej këtij ansambli unë kam inçizuar kasetën e parë në atë kohë me këngë të ndryshme. Ky ka qenë suksesi im i parë, sepse aty na ka drejtuar një profesionist si Shaqir Hoti dhe të gjitha këngët kanë qenë të reja, patriotike dhe me tema të ndryshme.

Gjithashtu suksesi im i mëvonshëm kanë qenë koncertet në diasporë, kryesisht për emigrantët që jetojnë në vende të ndryshme të Europës, ku ka qenë një kënaqësi e madhe sepse atëhere mundësitë kanë qenë shumë të vogla, që ata të komunikojnë me familjarët. Kështu që vetëm përmes këngës dhe emocioneve që kemi patur ne, kemi sjellë gëzim në zemrat e tyre.

Vjollca Buqaj me veshje tradicionale (Foto personale)

Vjollca Buqaj me veshje tradicionale (Foto personale)

CMG: Cilën nga këngët tuaja do të veçoje si më të suksesshmen ndër vite?

Vjollca Buqaj: Kënga “Vijnë vaporat” është një këngë kurbeti, që me të vërtetë e ka pëlqyer shumë publiku. Kjo është një këngë e përpunuar, që unë e kam risjellë në mënyrën time. Pastaj kanë qenë këngë të ndryshme, si “Malli për vendlindjen”, “Gurbetqarit”, por dhe duete të ndryshme. Kam edhe një duet me këngëtarin e mirënjohur Hysni Zela.

CMG: Ke realizuar duete me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?

Vjollca Buqaj: Kam realizuar duete me Ilir Shaqirin, Violeta Kajtazin, Violeta Kukajn, Riza Bytyçin, Emine Hasimin dhe shumë këngëtarë të tjerë. Bashkëpunime kam patur me këngëtarë të ndyshëm, por dhe me këngëtarë të brezit të ri.

CMG: Si je ndjerë në bashkëpunim me këngëtarë të brezit të ri?

Vjollca Buqaj: Jam ndjerë shumë mirë, sepse dhe mua dikush më ka përkrahur kur kam qenë e re. Mendoj se të gjithë ata që e duan këngën time, të jenë si udhërrëfyes për këngëtarët e rinj, për ti mbështetur ata. Kështu që me dëshirën më të madhe bëj bashkëpunime me këngëtarë të rinj, sepse bëhet një gërshetim i muzikës që e kemi kultivuar ne para viteve 90-të.

Ne që i përkasim  brezit të mesëm po mundohemi të ecim me kohën, sepse muzika ka evoluar vitet e fundit, por gjithmonë duke ruajtur vlerat e këngës së mirfilltë.

Vjollca Buqaj gjate nje programi televiziv (Foto personale)

Vjollca Buqaj gjate nje programi televiziv (Foto personale)

CMG: Si ke arritur ti ruash vlerat e muzikës popullore të mirëfilltë shqiptare, në një treg që vlon nga prurje të reja këngëtarësh?

Vjollca Buqaj: Mendoj se nuk kam pasur nevojë të dal prej natyrës sime dhe të ndryshoj. Kështu më kanë pranuar publiku që në fillim dhe ashtu kam vazhduar pa e ndryshuar në asnjë moment këngën që e kam kultivuar. Unë të gjitha këngët e vjetra dhe ato të reja, i kam kënduar në mënyrën time. Kam po atë audiencë, por dhe brezi i ri e dëgjojnë këngën time. Kam dashur gjithmonë të ruaj vlerat e këngës, sepse kultura shqipe ka vlera shumë të mëdha. Këngët e vjetra qytetare që i kanë rezistuar kohës këndohen edhe sot prej këngëtarëve të rinj, pak me përpunime duke futur ndonjë instrument muzikor, fyellin, kavallin ose çiftelinë, dhe në ditët e sotme ato këngë po bëhen hite.

CMG: A luan në ndonjë instrument muzikor?

Vjollca Buqaj: Kur kam qenë e vogël i kam rënë çiftelisë, por me kohën e kam harruar. Nuk luaj në instrument tjetër, por vetëm këndoj sepse pasioni im ka qenë gjithmonë kënga.   

CMG: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e produksioneve muzikore?

Vjollca Buqaj: Kam bashkëpunuar me Florent Boshnjakun, Shaqir Hotin, Valton Beqiri dhe Fari Beqirin. Gjithashtu kam këngë të Ilir Beranit,Nexhat Maculës dhe Afrim Maculës. Ndërkohë që tekstet e këngëve të mia janë shkruar nga Fatmir Muja, Sami Aliu, nga i ndjeri Hivzi Krasniqi dhe Servete Krasniqi. Gjithmonë i kam zgjedhur tekstet, sepse kam menduar që një tekst i mirë që ka një mesazh dhe domethënie të mirë i jep fuqi dhe këngës.

Vjollca Buqaj gjate nje eventi artistik (Foto personale)

Vjollca Buqaj gjate nje eventi artistik (Foto personale)

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore për këtë vit?

Vjollca Buqaj: Kam realizuar një potpuri me këngë dasmash, të cilën e kam inçizuar dhe përfunduar, dhe po pres ta publikoj. Para një muaj kam lançuar baladën “Malli për vendlindjen”, dhe po pres të dëgjohet kjo këngë dhe më vonë të publikoj potpurinë. Gjithmonë është bërë trend bashkëpunimi me shumë këngëtarë për festat e fudvitit, dhe po pres me koleget e mia Violeta, Lori dhe të tjerë këngëtarë që të bëj bashkëpunime me to.

CMG: Preferon më tepër të interpretosh balada apo këngë ritmike të gëzueshme?

Vjollca Buqaj: Baladat më pëlqejnë shumë, dhe kam dëshirë ti këndoj, por jo shpeshherë sepse gjatë verës mendoj se nuk durohet balada. Kam dëshirë të këndoj dhe këngë atmosferike, këngë dasmash dhe ato ritmike, duke patur parasysh që rinia i kërkon dhe këngët ritmike. Unë i pëlqej baladat dhe këngët e kurbetit, dhe kjo gjë ndoshta na është imponuar sepse secila familje ka nganjë mërgimtar brenda shtëpisë, duke u pëfshirë dhe unë vetë. Kështu që mendoj se dhe këngët e kurbetit pëlqehen shumë, por dhe ato të gëzueshme pëlqehen.

Vjollca Buqaj (Foto personale)

Vjollca Buqaj (Foto personale)

CMG: Sa rëndësi i kushton veshjes dhe pamjes sa jashtme kur del në skenë për të interpretuar?

Vjollca Buqaj: Mendoj se dhe pjesa vizive është e rëndësishme, ku i kushtoj shumë rëndësi kësaj pjese sepse publiku nuk don vetëm të të dëgjojë, por shikon dhe pjesën sesi paraqitesh ti si artiste në skenë. Gjithmonë jam munduar me i zgjidh veshjet, dhe jo të dal prej natyrës sime. Nuk e dua eksptravaganten, por preferoj klasiken sepse ndjehem më rehat. Unë konsultohem për çdo gjë me bashkëshortin tim, fëmijët, motrën time dhe shoqet e mia, që e di se marr një mendim shumë real prej tyre.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë, miqtë dhe adhuruesit tuaj.

Vjollca Buqaj: Përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani  dhe i ftoj të dëgjojnë sa më shumë këngët e mia.

Intervistoi: Gazmend Agaj