Peng Liyuan takon përfaqësuesit e mësuesve dhe nxënësve të Korit Kinez nga Gjermania
2024-03-29 20:50:08

Peng Liyuan, bashkëshortja e presidentit të Kinës Xi Jinping, u takua të enjten pasdite në Shkollën e 35-të të Pekinit me përfaqësuesit e mësuesve dhe nxënësve të Korit Kinez të shkollës së mesme “Burggymnasium” nga Gjermania, të cilët po vizitojnë Kinën.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Peng mirëpriti me ngrohtësi vizitën përsëri në Kinë të mësuesve dhe nxënësve gjermanë, duke i uruar ata për suksesin në përhapjen e miqësisë nëpërmjet këngës për 10 vjet, duke pasur rezultate të shkëlqyera. Ajo theksoi se, falë përpjekjeve të përbashkëta, kori ka ndërtuar një urë kulturore mes Kinës dhe Gjermanisë, duke u bërë një kartëvizitë e bukur e miqësisë mes dy vendeve. Bashkëshortja e presidentit kinez shprehu shpresën që nxënësit do ta përdorin muzikën si çelësin e artë për të hapur një botë të re të gjuhës kineze dhe do të ndiejnë hijeshinë e kulturës kineze përmes melodive të bukura, duke u bërë ambasadorë të rinj të miqësisë.

Olaf Millmann, kryetari i Shoqatës së Korit, e falënderoi znj. Peng për mbështetjen dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj korit, duke theksuar se falë "mësimit të kinezishtes nëpërmjet këngëve", gjithnjë e më shumë të rinj gjermanë kanë mësuar për Kinën dhe janë dashuruar me Kinën. Ata do të vazhdojnë të ndërtojnë një urë komunikimi ndërmjet muzikës e gjuhës kineze, duke thelluar njohjen e ndërsjellë dhe miqësinë mes të rinjve gjermanë dhe kinezë.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Peng Liyuan i lavdëroi nxënësit, duke thënë që ata e flasin gjithnjë e më mirë kinezishten, dhe shprehu besimin se ky udhëtim në Kinë do të thellojë më tej njohjen e tyre për Kinën. Ajo i inkurajoi ata të ndajnë përvojat dhe ndjenjat e tyre lidhur me Kinën me familjet e miqtë pasi të kthehen në Gjermani, duke vijuar të shkruajnë histori të bukura të miqësisë mes Kinës dhe Gjermanisë.

Nxënësit e korit i dhuruan zonjës Peng një album përkujtimore që përmban miqësinë e 10 vjetëve mes tyre, ndërsa Zonja e Parë e Kinës u dhuroi atyre një vepër kaligrafie kineze, duke i inkurajuar ata të përparojnë vazhdimisht në mësimin e gjuhës kineze dhe të arrijnë më lart.

foto: VCG

foto: VCG

Nxënësit kënduan këngë nga të dy vendet, duke marrë duartrokitje të ngrohta.

Kori Kinez i shkollës së mesme “Burggymnasium” është një organizatë jofitimprurëse që promovon mësimin e kinezishtes nëpërmjet këngëve për të rinjtë gjermanë, me qëllim forcimin e shkëmbimeve njerëzore mes Kinës e Gjermanisë, duke iu përkushtuar aktivisht përparimit të miqësisë mes dy vendeve në fushën e gjuhës dhe kulturës. (Li Huailiang/Artan)