Profesoresha e operës i kthen klasat në skena shfaqjeje
2024-03-29 12:42:47


Foto nga Chinanews.com

Një kurs fakultativ kolegji i quajtur “Vlerësimi i Operës Jiangxi”, në Universitetin Nanchang në provincën Jiangxi të Kinës lindore, ka filluar të mbushet plot kohët e fundit, për shkak të mënyrës inovative të mësimdhënies së profesoreshës që e drejton atë, e cila zhvillon gjatë orës së mësimit performanca të operës.  Duke tundur mëngët e gjata dhe duke valëvitur erashkat, me grimin dhe kostumet tradicionale të skenës, instruktorja e këtij kursi, Chen Li, shfaq para studentëve sharmin magjepsës të Operës Jiangxi, një operë lokale qindravjeçare.

Shumë prej pjesëmarrësve në këto klasa regjistruan performancat dhe i postuan videoklipet në platformat e mediave sociale, duke marrë miliona shikime dhe pëlqime nga përdoruesit e internetit.

Chen nuk vetëm profesoreshë kolegji, por është gjithashtu trashëgimtare e Operës Jiangxi, një nga trashëgimitë kulturore jomateriale kombëtare, si dhe mban pozicionin e vlerësuar si aktore kombëtare e klasit të parë dhe drejtoreshë në Qendrën e Kulturës dhe Artit të Operës Jiangxi në Universitetin Nanchang.

Foto nga Chinanews.com

Kursi që ajo jep është i hapur për shumë vite, kryesisht duke prezantuar historinë, meloditë dhe karakteristikat e performancës së Operës Jiangxi.  Nuk dihet nëse ky kurs, që tani është i mbushur plot, ka qenë më parë kaq i frekuentuar dhe i dashur nga pjesëmarrësit në të.

“Më parë, kur fokusohesha në formën e të folurit dhe ligjëratave, efekti i mësimdhënies ishte i pakënaqshëm. Klasa ishte e qetë dhe studentët dukeshin të painteresuar. Shumë madje merreshin me telefonat e tyre në klasë dhe nuk përqendroheshin tek ajo që thosha”,- bën të ditur Chen.

Për të nxitur entuziazmin e studentëve, Chen vendosi të veshë një kostum dhe ta kthejë klasën në një skenë për të performuar. Me veshjet tradicionale dhe me mëngët e gjata që tunden, studentët zhyten në botën e Operës Jiangxi.  

Foto nga Chinanews.com

Në vend që të përvetësojë formën tradicionale të interpretimit në skenë, Chen i kushton më shumë vëmendje përvojës ndërvepruese të studentëve të saj.

“I ftoj studentët e mi të dalin në skenë dhe të përjetojnë vetë të gjithë procesin e shfaqjes”,- bën të ditur Chen.

“Kjo metodë e mësimdhënies është shumë inovative dhe përvoja e të mësuarit është vërtet e mahnitshme”,- tha Zhang Xizhi, një student në Shkollën e Artit në Universitetin Nanchang, i cili nuk priste që Opera jopopullore Jiangxi të mund të ishte kaq magjepsëse.

Përballë famës së paparashikuar, Chen ishte e kënaqur, por gjithashtu kuptoi se mbi supet e saj tani qëndron një përgjegjësi më e madhe.

“Shpresoj që, edhe pse popullariteti i Operës Jiangxi është në rënie, ky art ende mund të transmetohet ndër breza”,- tha profesoresha Chen.