Sazani dhe zhvillimi i turizmit në Shqipëri
2024-03-29 10:00:31

Projekti për resortet turistike në ishullin e Sazanit (Foto Shqiptarja.com)

Projekti për resortet turistike në ishullin e Sazanit (Foto Shqiptarja.com)

Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ka marrë kohët e fundit një aplikim nga kompania amerikane “Affinity Partners”, në pronësi të investuesit të pasurive të patundshme Jared Kushner, dhëndër i ish-presidentit amerikan Donald Trump, për një projekt zhvillimi turistik të ishullit të Sazanit, ishullit të vetëm të Shqipërisë, përmes markës së njohur ndërkombëtare Aman, një markë e resorteve turistike të nivelit të lartë në Azi.

Kompania “Affinity Partners”, me bazë në Majemi të SHBA-ve, me asete në vlerë 3.1 miliardë dollarë, planifikon të transformojë ishullin e Sazanit në një komunitet turistik të nivelit të lartë, në formën e një eko-resorti, duke e ruajtur të paprekur peisazhin natyror të ishullit me një sipërfaqe 6.5 kilometra katrorë.

Projekti i Aeroportit të Vlorës (Foto Gazeta Si)

Projekti i Aeroportit të Vlorës (Foto Gazeta Si)

Sipas informacioneve nga rrjeti i njohur televiziv ndërkombëtar për ekonominë Bloomberg dhe nga gazeta amerikane “The New York Times”, kompania “Affinity Partners” po kërkon gjithashtu të zhvillojë Gadishullin e Zvërnecit, një rajon bregdetar me më shumë se tre milje plazhe të virgjëra me rërë të bardhë dhe të thellë, duke ndërtuar 10 mijë vila dhe dhoma hoteli.

Së bashku me një projekt të tretë për ndërtimin e një hoteli turistik në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd, kompania “Affinity Partners” po planifikon të investojë 1 miliardë dollarë, me dy projektet në Shqipëri dhe projektin në Serbi.

Plani për investim paraqitet në një moment kur industria turistike e Shqipërisë është kthyer në industrinë numër një të vendit, duke ia kaluar ndërtimit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, pas publikimit më 25 mars 2024 të të dhënave të bilancit të Llogarisë Korente të vendit, turizmi ka kontribuar në prodhimin kombëtar me 4.2 miliardë euro, duke ia kaluar me 200 milionë euro të ardhurave nga eksportet e mallrave.

Një rezultat i tillë e vendos aktivitetin turistik në Shqipëri, si burimin e parë të rritjes së vlerës dhe të sigurimit të të ardhurave në ekonominë e vendit.

Investimi i projektuar nga kompania “Affinity Partners” është i rëndësishëm edhe për një arësye të dytë. Krahas kapitaleve me vlerë disa qindra milionë dollarë që futen në vend, ai sjell në Shqipëri një markë elitare të shërbimeve turistike, si marka “Aman”, e pranishme në rajon vetëm në resortin e famshëm “Porto Montenegro” në Mal të Zi. Kjo markë parashikohet që ta rrisë edhe më tej imazhin e Shqipërisë, si destinacion turistik në një zhvillim të ndjeshëm dhe në nivele të larta.  

Pas projektit prej 2 miliardë euro te “Durrës Jahte dhe Marinë”, të miliarderit Mohamed Alabbar nga Emiratet e Bashkuara Arabe i cili po përparon në portin e sotëm tregtar të Durrësit, që do të zhvendoset, dy projektet e kompanisë “Affinity Partners” përbëjnë lajmin e dytë të rëndësishëm për një investim të huaj strategjik në turizmin tonë. Prof.Dr. Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës komenton për Grupin Mediatik të Kinës zhvillimin e turizmit në vend dhe aplikimin e kompanisë amerikane “Affinity Partners” për një projekt zhvillimi turistik të ishullit të Sazanit

Prof.dr Selami Xhepa në intervistë për CMG

Prof.dr Selami Xhepa në intervistë për CMG

CMG: Profesor, që nga data 15 mars 2024, kemi patur dy zhvillime të fundit, të njohura dhe në shtypin botëror. Njëri është një projekt i rëndësishëm, propozuar qeverisë shqiptare, për të ndërtuar një resort ekologjik në ishullin e vetëm që kemi, ishullin e Sazanit dhe tjetri, një projekt për të ndërtuar 10 mijë vila dhe apartamente turistike në gadishullin e virgjër të Zvërnecit. Si i shikoni këto zhvillime?

Prof.Dr. Selami Xhepa: Shqipëria tashmë po e shndërron në realitet atë që dikur konsiderohej një potencial i rëndësishëm i ekonomisë së vendit dhe pikërisht turizmin.

Sot turizmi në Shqipëri përfaqëson industrinë më të rëndësishme të ekonomisë kombëtare dhe burimin kryesor të sigurimit të të ardhurave nga jashtë vendit.

Të ardhurat nga turizmi vitin e kaluar e tejkaluan dhe totalin e të ardhurave që vendi merr nga tregtia e mallrave, çka do të thotë që turizmi sot është burimi themelor i sigurimit të valutës që përdoret për qëllimet e pagesave në tregtinë ndërkombëtare.

Nga kjo pikëpamje, çdo investim, dhe sidomos investime të kësaj natyre, të cilat, në rradhë të parë fusin në qarkullim ekonomik disa asete të fjetura, është për t’u përshëndetur.

Gadishulli i Karaburunit bën pjesë në asetet e rëndësishme të Shqipërisë. Ai, në kontekstin e një ekonomie të kaluar, ka luajtur një rol të rëndësishëm në kuptimin strategjik dhe të mbrojtjes së vendit.

Por tani, në kontekstin e ekonomisë sonë të re dhe të zhvillimeve të reja, ky gadishull dhe ishulli i Sazanit përballe tij, mund të shndërrohen në një pasuri të rëndësishme me vlerë dhe që i shton vlerë ekonomisë kombëtare.

Kështu që zhvillimi i projektit turistik të një eko-resorti në ishullin e Sazanit, nëse do të realizohet, nuk ka asnjë diskutim që përbën një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme për turizmin dhe për ekonominë tonë kombëtare.

Dhe më në fund, duke qenë se flasim për një investitor ndër më seriozët në këtë fushë, qoftë nga fondi i investimit, nga ku sigurohen paratë, qoftë nga firma që do të merret me menaxhimin e këtij projekti, sikurse është paraqitur deri më sot, që të dyja këto garantojnë për një rritje të ndjeshme të seriozitetit të kësaj industrie.

Mendoj se ky zhvillim do ta shndërrojë turizmin shqiptar në një konkurrent të denjë, në raport me vendet e rajonit.

Kështu që projektet që vijnë të tillë, mendoj që duhen mikpritur dhe duhen mbështetur. Strukturat tona qeveritare duhet të sigurojnë çdo lloj mbështetje të nevojshme, që ky projekt të vihet në funksionim sa më parë.            

Gadishulli i Zvërnecit (Foto Into Albania)

Gadishulli i Zvërnecit (Foto Into Albania)

CMG: Prof. Xhepa, kemi dhe një zhvillim të fundit. Lajmi i një rritjeje në vlerësim të Shqipërisë dhe financave të saj publike, nga “B+” në “BB-“, nga ana e agjencisë “Standard & Poor’s”, një prej agjencive më të njohura në botë të rating-ut, pra të renditjes së vendeve të ndryshme, në bazë të aftësisë paguese të huave që ato marrin. Cili është opinioni juaj për këtë vlerësim?

Prof.Dr. Selami Xhepa: Mendoj që faktori kryesor që ka ndikuar në rritjen e vlerësimit, është reduktimi i ndjeshëm i borxhit tonë publik në përgjithësi.

Shqipëria ka qenë në nivele të larta të borxhit publik, për një periudhë relativisht të gjatë kohe, për një sërë arësyesh dhe faktorësh.

Gjatë viteve të fundit, duket qartazi një trajektore e fortë rënëse, duke ndalur edhe nën nivelin 60 përqind të prodhimit kombëtar, pavarësisht se statistikat janë akoma provizore në muajt e fundit.

Megjithatë, një rënie e borxhit publik nën nivelin 60 përqind të GDP-së, sigurisht që është tregues i faktit që aftësia e Shqipërisë për të shlyer borxhin e huaj mbetet e lartë.   

Së dyti, duke qenë se kemi jetuar për një kohë të gjatë në nivele të ulta të normave të interesit, kuptohet që edhe shpenzimi kombëtar që ne bëjmë në çdo vit për të paguar interesat dhe kreditë e maturuara, zë një peshë gjithnjë e më të ulët në shpenzimet e Buxhetit të Shtetit.

Kjo do të thotë që të dy këta tregues janë indikatorët themelorë që ndikojnë në një renditje më të mirë të vendit.

Nga ana tjetër, duke qenë se këtu flasim për projeksione afatgjata, pasi cënueshmëria në pagimin e huave nuk është vetëm për sot, por edhe në perspektivë, gjykimet e agjencisë në fjalë janë pozitive, edhe përsa i përket perspektivës ekonomike të Shqipërisë.

Këto gjykime besoj se mbështeten prapë tek turizmi dhe këtu, kthehemi sërisht tek tema e pyetjes së parë.

Dhe në fakt, të ardhurat nga turizmi duket se kanë qenë jashtëzakonisht impresionuese, çka bën që edhe perspektiva e rritjes së ekonomisë sonë, edhe për shkak të këtij faktori, të mbetet pozitive edhe në të ardhmen.

Mendoj që ky gjykim i raportit të agjencisë “Standard & Poor’s” ka sjellë në konkluzionin që perspektiva e Shqipërisë të përmirësohet, në raport me tregjet financiare ndërkombëtare.         

Pamje nga ishulli i Sazanit (Foto Albinfo)

Pamje nga ishulli i Sazanit (Foto Albinfo)

CMG: Ju përmendët Profesor, gadishullin e Karaburunit, si një aset i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit tek ne dhe vlerësuat projektin e huaj për ishullin përballë tij. Ndërkohë, shikojmë që qeveria ka nisur financimin për ndërtimin e portit të ri kryesor të vendit në Porto Romano, i cili do t’u shërbejë edhe porteve të thata në Prishtinë në Kosovë, si dhe në Strugë, në Maqedoninë e Veriut. Si e shikoni një investim të tillë? 

Prof.Dr. Selami Xhepa: Në një botë ku tranzitimi i mallrave globale po rritet me një shpejtësi të jashtëzakonshme, nuk ka diskutim që zhvillimi i kapaciteteve portuale ka qenë dhe mbetet një nga projektet e rëndësishme, në fuqizimin e nyjeve të hyrjes së këtyre mallrave në ekonominë e Shqipërisë.

Sigurisht që zhvendosja, ri-alokimi i portit tregtar të Durrësit nga qyteti drejt zonës së Porto Romanos, bën që edhe urbanistët të jenë të mendimit që çliron qytetin dhe i jep qytetit një det, që fatkeqësisht deri tani nuk e ka patur, edhe pse është qytet bregdetar.

Pa u ndalur në aspektet e financimit të zhvendosjes, në gjykimin e mirëfilltë ekonomik, mendoj që pa diskutim, ndërtimi i një porti të ri përfaqëson një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm pozitiv, për të fuqizuar akoma dhe më shumë aktivitetin tregtar të Shqipërisë.

Duke patur një port me një infrastrukturë më moderne dhe në një zonë, e cila mund të jetë industriale, e kombinuar me zhvillimin urbanistik të të gjithë qytetit të Durrësit, ku Porto Romano mund të jetë një zonë e rëndësishme e përpunimit të mallrave.

Ajo nuk do të shërbejë thjesht për tranzitim të tyre, por do të jetë edhe një zonë e përpunimit ekonomik, në mënyrë që të shtojmë vlerë edhe më të madhe, në produktet që vijnë përmes Shqipërisë dhe tranzitohen në vendet e rajonit. Këto produkte mund të përpunohen këtu, në Porto Romano, ende pa shkuar në vendet e rajonit.

Prof. dr Selami Xhepa Rektor i Universitetit Evropian të Tiranës (Foto CMG)

Prof. dr Selami Xhepa Rektor i Universitetit Evropian të Tiranës (Foto CMG)

CMG: Profesor Xhepa, folëm për portën kryesore detare të vendit, por kemi edhe një portë ajrore të rëndësishme në Jug, Aeroportin Ndërkombetar të Vlorës, i cili parashikohet të fillojë fluturimet e para në mars ose prill të vitit 2025. Gjykimi juaj për këtë investim.   

Prof.Dr. Selami Xhepa: Fuqizimi i infrastrukturës ajrore në Shqipëri, njëlloj sikurse theksova edhe për atë portuale, mbetet një prioritet i rëndësishëm.

Sigurisht që ndërtimi i Aeroportit në Vlorë merr një rëndësi të jashtëzakonshme. Po abstragoj këtu nga konsideratat mjedisore dhe nga impakti mjedisor.

Po flas vetëm si një vepër në impaktin e vet ekonomik. Tashmë Vlora është pa diskutim kryeqyteti i turizmit të Shqipërisë. Me këtë aeroport, e gjithë zona e Bregdetit mendoj që merr një vlerë të jashtëzakonshme.

Ne kemi parë që rritja e numrit të turistëve, në rast se nuk mbështetet nga një infrastrukturë e përshtatme, në këtë rast ajo aeroportuale, do të jetë e pamundur që të mbështetet. Kjo, sidomos në kontekstin e rrugëve që janë të aksesueshme dhe të disponueshme sot.

Mendoj që Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do ta ndihmojë edhe më tej rritjen e numrit të turisteve të huaj në tërësi, duke i shtuar edhe më shumë vëllim të ardhurash ekonomisë kombetare dhe, në veçanti, edhe asaj lokale, në burimet dhe aktivizimin e këtyre burimeve ekonomike, që gjenerohen për shkak të këtyre projekteve.      

 

Intervistoi Fatos Çoçoli