Tekstshkrues i 4 mijë këngëve në 40 vjet, Jorgo Papingji u nda nga jeta në moshën 81 vjeçare, në Ditën e Poezisë, më 21 mars. 5 këngë fituese në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, njera prej të cilave konkurruese në Festivalin Evropian të Këngës në vitin 2014, janë vetëm një pjesë e kontributit të tij të çmuar në këngën shqip. “E dua, një dorë që ta shtrengoj, ta mbaj në dorën time, e të them se po jetoj!” Janë disa nga vargjet e këngës fituese të Festivalit të ’40-të të këngës në Rtsh, tekst nga Jorgo Papingji interpretuar nga Aurela Gaçe.
Autori Jorgo Papingji (Foto Zëri)
Jetëshkrimi
Poeti Jorgo Papingji u lind në Vlorë më 10 qershor 1942. Ai mbaroi studimet e larta për Matematikë-fizikë, profesion të cilin e ushtroi paralelisht me poezinë.
Bashkëpunimi i parë i Jorgos si autor teksti ka qenë me kompozitorin e shquar Aleksandër Lalo me një këngë për fëmijë të dashur për publikun në atë kohë “A ta fshij, apo ta gris”. Jorgo Papingji nuk ka reshtur së shkruari deri në momentet e fundit të jetës. Ai është vlerësuar me shumë çmime, ndër to pesë çmime të para në “Festivalin e Këngës” në Rtsh, çmimi i parë në Festivalin “Kënga Magjike” me këngën “Vetëm një fjalë”, një herë pjesëmarrës në Festivalin Evropian të Këngës në vitin 2014 me këngën “Zemërimi i një nate", por dhe pjesëmarrës në “Junior Eurosong”. Ai ka bashkëpunuar me kompozitorët më të njohur në vend dhe ka shkruar tekste këngësh për shumë artistë të njohur të muzikës shqiptare, por edhe për këngëtarë të rinj.
Poeti Jorgo papingji ka shkruar vargje për zhanre të ndryshme muzikore, për këngë të muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Në vitin 1980-të ai shkroi tekstin e këngës “Kur jemi bashkë të dy” kënduar nga artisti Luan Zhegu, në vitin 1990-të realizoi tekstin e këngës fituese të çmimit të parë të atij festivali “Askush s’do ta besojë” interpretuar nga Anita Bitri, një tjetër çmim i parë erdhi në vitin 1993 me tekstin e këngës “Kur e humba një dashuri” kënduar nga Manjola Nallbani, fitues i vendit të parë në vitin 1999 me këngën “S’jam tribu” interepretuar nga Aurela Gaçe, çmim i parë në vitin 2001 me këngën “Jetoj” kënduar nga Aurela Gaçe, fitues i çmimit të parë në vitin 2013 me këngën “Zemërimi i një natë” kënduar nga këngëtarja Hersiana Matmuja, përfaqësuese në Eurovizion.
Kantautori Elton Deda (Foto nga Balkanweb)
Shumë këngë të dashura për amatorët e muzikës së lehtë mbajnë firmën e poetit Jorgo Papingji “I thuaj jo” nga Ardit Gjebrea, “E doni dashurinë” nga Luan Zhegu dhe Ledina Çelo, “Vetëm një fjalë” interpretuar nga Elsa Lila, fituese e çmimit të parë në “Kënga Magjike” e shumë e shumë të tjera.
Thanë për poetin Jorgo Papingji
Bashkëshortja e tij Tatjana Papingji, ka ndarë për mediat emocionet e ndarjes së tij nga jeta.
"Jorgo ka bërë një jetë shumë të bukur, nuk ka pishman ndonjë gjë, i realizoi të gjitha, familje, fëmijët. Dobësi kishte edhe për djalin. Është flautist, çdo ditë 2 orë i binte flautit, ia bënim si terapi. dëgjonte në heshtje sidomos kohët e fundit. djali e ndihmonte të ngrihej, ia kemi bërë të gjitha, por ne deshëm të pavdekshëm", tha ajo.
Tatjana, tregoi se po përgatit edhe një libër për Jorgo Papingjin.
“Jorgo ka pasur një miqësi, atë çdo gjë e frymëzonte. Po të shohësh tekstet janë sociale, për dashurinë, për gjithë problemet që kishim ne. Po bëj një libër për Jorgon, ia kam mbaruar materialet. Shihja gjithë tekstet e tij dhe çdo tekst ishte një tregim”, tha ajo.
Poeti Jorgo Papingji Mjeshtër i Madh (Foto nga gazeta Tema )
Kantautori Elton Deda tha se artisti mbetet i përjetshëm me veprat e tij
“Ai jeton! Është një bekim për artistët kjo gjë, që edhe kur ndahen fizikisht nga jeta ata bëhen të përjetshëm me veprën e tyre. Si të thuash ‘largohen me një këmbë’ sepse ‘një këmbë’ e kanë gjithmonë në memorien kolektive”, është shprehur kantautori Elton Deda.
Këngëtarja e mirënjohur Aurela Gaçe ka shkruar në rrjetet sociale për ndarjen nga jeta të poetit Papingji me të cilin ka bashkëpunuar gjatë
“E dua, një dorë që ta shtrengoj, t'a mbaj në dorën time, e të them se po jetoj! Lajtmotivi i ditëve tona, pikërisht sot kur jeta është bërë kaq e rrëmbyer, këto vargje të këngës "Jetoj" marrin kaq shumë kuptim. Vargjet e Jorgos janë vargje shpirti. Kur kthej kokën pas e shoh sa shumë ai ka shkruar për mua, e konsideroj veten me fat. Kam pasur mundësi t’i këndoj atdhedashurisë nëpërmjet këngës "S'jam tribu", pata mundësinë të shpalos dhimbje për botën e shkatërruar nëpërmjet këngës "Ku po shkon kjo botë ", pata mundësinë t’i këndoj kaçakut falë mjeshtërisë së tij që në mënyrë aq fine, mori fjalët e këngëve të traditës e i ktheu në poezi dashurie si kënga "Cimica", pata mundësinë falë penës së tij të artë. Kanë kaluar kaq shumë vite e unë sot i këndoj mes brezave. Sot i quajmë ‘hite’, por në kohën kur janë krijuar kanë qenë këngë të dala sinqerisht, pa menduar hitin. Mirënjohëse për çdo sekondë që Jorgo punoi me mua. Më besoi vargje të thella, që i rezistuan kohës, pikërisht se janë pa kohë, pa modë e pa moment. Siç i ja ka ndjerë shpirti. Çfarë tjetër duhet për të lënë shenjën tënde? Shenjë që nuk e shlyen asnjë kohë. Gjenial! Lamtumirë Mjeshtër! I dhe kaq shumë muzikës duke i dhënë vargje të paharrueshme për shumë artistë”, tha këngëtarja Aurela Gaçe.
Tatjana Papingji Bashkëshortja e poetit Jorgo Papingji (Foto nga Balkan web)
Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama vlerësoi poetin Papingji “Lamtumirë maestro Jorgo Papingji, autori i teksteve të dashurisë në koleksionin e këngëve më të kënduara shqiptare”
Jorgo Papingji u nda nga jeta fizikisht, por poeti me veprat që ka lënë pas nuk do të vdesë kurrë. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në vargje do të mbetet përjetë pjesë e artit shqiptar. Vargjet e tij të mrekullueshme të kthyera në tinguj të paharrueshëm dhe frymëzues për këdo do të jetojnë përgjithmonë në zemrat e të gjithë shqiptarëve, që i dëgjojnë e i duan këto këngë.
Sava Lena