Shfaqja Zonja e bujtinës (Foto për CMG)
Me shumë batuta, të qeshura dhe interpretim të bukur, nxënësit e shkollës “Tes” (Tomorrow's Education System) në Tiranë interpretuan për publikun në sallën “Black Box” në Universitetin e Arteve komedinë “Zonja e bujtinës”. E veçanta ishte se në këtë shfaqje ishte vetëm një djalë mes gjashtë vajzave, ku tre prej tyre luanin role mashkullore. Ky është viti i dytë që këta nxënës performojnë. Vitin e kaluar regjisorja Suela Bako zgjodhi veprën shqiptare "Karnavalet e Korçës nga Spiro Çomora, ndërsa sivjet sërish një komedi “Zonja e bujtinës” nga Carlo Goldoni.
Pas dy muaj prova nxënësit performuan shfaqjen një ditë para 27 marsit, ditës botërore të teatrit. Mësuesja e sociologjisë Orilda Kalami ka dashur të ndërgjegjësojë të rinjtë për rëndësinë që ka teatri. Gjithçka është ndërthurur me modulin "Kompanitë e nxënësve", të cilët kanë krijuar kompani teatrore “Kaleidos” dhe kjo komedi është prodhim i kompanisë që ata kanë krijuar vetë. Për të dytën herë ata punuan për të vënë në skenë këtë shfaqje me regjisoren e njohur Suela Bako, e tek ata të rinj ka filluar të lindi dëshira dhe pasioni për artin.
Zonja e bujtinës (Foto për CMG)
Në intervistë për Radio Ejani ka rrëfyer në lidhje me këtë shfaqje, mësuesja e sociologjisë Orilda Kalami:
CMG: Cili është qëllimi i realizimit të kësaj shfaqje teatrore me të rinjtë e shkollës suaj?
Orilda Kalami: Të punosh me të rinjtë është një punë shumë e bukur, sidomos kur kjo punë del përtej kornizave të shkollës dhe i drejtohet artit. Tashmë është traditë në shkollën tonë, nuk është hera e parë që bëjmë teatër dhe përsëri jemi në bashkëpunim me regjisoren Suela Bako, për të sjellë një komedi, sidomos pas suksesit të komedisë së vjetshme "Karnavalet e Korçës" dhe sivjet sollëm "Zonja e bujtinës". Jemi bërë një skuadër fantastike. Suela bashkë ne nxënësit kanë krijuar kimi dhe mezi prisin oraret e provave, përgatitjet diskutimet, etj. Sigurisht që është një proces shumë i bukur, ata e shijojnë shumë.
I gjithë qëllimi është që të edukojmë të rinjtë përmes artit, sjellim mesazhin për t'i afruar me teatrin, t'i sjellim mesazhet edhe të aktualitetit, të dashurisë që triumfon, të pavarësisë dhe forcës së gruas, të vlefshmërisë apo të pavlefshmërisë së parasë përpara ndjenjave dhe në formën e komedisë secili personazh sjell mesazhin e vet, sidomos kur bëhet kjo ndërthurja e artit . Në një modul tjetër që ne bëjmë në shkollë, mesazhet janë dhe më të bukura sepse ndërthurim artin me biznesin. Është një modul që quhet "Kompania e nxënësve" dhe nxënësit kanë krijuar kompani teatrore. Ky prodhim "Zonja e bujtinës" ishte në kuadër të kësaj kompanie. Pra është një ide fantastike për nxënësit edhe artin, biznesin, çdo gjë praktike, emocione të bukura dhe jemi në proces konkurrimi me këtë vepër tani në rang kombëtar me kompaninë tonë teatrore.
Zonja e bujtinës (Foto për CMG)
Nxënësit që interpretuan në shfaqjen “Zonja e Bujtinës”, u prononcuan rreth kësaj shfaqjeje për Radio Ejani:
Sara Kaçi: Personazhi që unë luaj është kalorësi. Në fakt në rrethanat në të cilat ndodheshim që të treja vajzat, jemi në role meshkujsh. Nuk është e thjeshtë të kuptosh se si dashurojnë burrat, por dalëngadalë në shfaqje u kuptua transformimi i këtij personazhi, i cili me të vërtetë është shumë interesant. Kemi kaluar mjaft bukur gjatë provave, sa nuk e kuptonim se sa shpejt kalonte ora. Ndjehem tejet mirënjohëse që regjisore Suela ma besoi mua këtë rol, si dhe e vlerësoj shumë punën e saj gjatë kësaj kohe. Unë jam angazhuar edhe vjet me teatrin dhe dashurinë për artin e kam patur të ngulitur që e vogël. Ndjehem e lumtur që na jepen mundësi të tilla për t’u rritur artistikisht.
Anja Azizaj: Jam Anja, nxënëse në klasën e 10-të të shkollës "Tes" dhe unë luaj rolin e kontit. Personazhi luhet mbi fuqinë e parasë, në një garë me disa meshkuj të tjerë për femrën që do, ai zgjedh që të përdorë paratë si mjet, një shembull tipik i aristokratit të kohës. Në tërësi vepra jep mesazhin, “dashuria mbi paratë” dhe personazhi im paraqet paranë dhe pasurinë. I kam shijuar pafund këto prova dhe përgatitjet për këtë shfaqje. Unë jam vajzë, por në këtë shfaqje luaj rolin e një djali. Në fillim kjo gjë mu duk tejet e vështirë, por tani kuptoj se veçse e ka bërë këtë projekt tejet të veçantë për mua. Angazhimi me teatrin është një nga eksperiencat më të bukura për mua, pasi më kanë mësuar bashkëpunimin, menaxhimin e kohës, si dhe ka ngjallur tek unë dëshira dhe pasione të cilat nuk i dija se i kisha.
Dea Limllari: Unë jam Dea në rolin e Fabrizios, shërbyesi besnik, por edhe i dashuruar. Ky personazh më ka hyrë shumë në zemër, nuk kam fjalë të përshkruaj emocionet, gëzimet dhe drithërimat që më pushuan ditët përpara premierës. I kam shijuar në maksimum, provat, momentet, shakatë me njëri -tjetrin, po aq sa jam përpjekur që të jap edhe të mirën time në to. Teatri ka dhe do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në jetën time dhe prandaj përpiqem që t'i bindë të gjithë që të shijojnë magjinë e tij.
Momente nga shfaqja Zonja e bujtinës (Foto për CMG)
Mine Mena: Unë jam Mine Mena, në rolin e Mirandolinës, një grua puëntore dhe shumë e zgjuar, që bën gjithçka për të mbajtur bujtinën e trashëguar nga i ati. Me anë të kësaj komedie, personazhi i Mirandolinës nxjerr në pah vlerat e femrës, fuqinë e saj dhe sakrificën për të qenë një grua e suksesshme. Jam shumë e lumtur që regjisorja ma besoi mua këtë rol, pasi nëpërmjet këtij personazhi transmetohen shumë mesazhe ndërgjegjësuese për shoqërinë. Gjithmonë kam dashur të jem pjesë e skenës së teatrit dhe jam shumë e lumtur që fal zysh Orit, arrita që të përjetoja atë emocion, që vetëm ajo skenë di të ta falë. Ne të gjithë duam të bëjmë teatër, të njohim veten dhe çfarë duam të bëhemi. E bukura e të qënurit pjesë e teatrit, është se ne arrijmë të shohim botën me sy të ndryshëm.
Anais Osmënaj: Unë jam Anais Osmënaj dhe personazhi që unë luaj quhet Ortensia, një grua e vetëquajtur baroneshë. Është një personazh mjaft komik, gjë që më ka bërë ta dua edhe më shumë. Të luash një rol që përcjell nota humori te publiku, ka ato sfidat e veta, gjë për të cilën jam shumë e gëzuar që mund ta provoja në eksperiencën time si aktore. Fati im i madh që ky personazh shoqërohet me Diamirën, një tjetër zonjë tejet interesante. Tek të dyja shohim se janë lozonjare, delikate, por gjithashtu të vëshura me shumë intriga, çfarë e bën audiencën të ketë një lloj kurioziteti të identitetit të vet. Një teatër me shumë çudira e me zhvillime personazhesh, kur secili ka një hall të vetin, që e mbart me vete përgjatë gjithë shfaqjes.
Sindi Sulaj: Unë jam Sindi dhe luaj rolin e Diamirës. Ajo është një aktore komedie, pak budallaqe dhe mendjelehtë. Ajo është gazmore, lajkatare, ngazëlluese, por di ku të qëndrojë me këmbë në tokë, së bashkë me mikeshën e saj Ortensia, dinë t’ja hedhin njerëzve e t’i mashtrojnë ata, për të shpëtuar kokat e tyre. Mesazhi që përcjell Diamira është të luftuarit, me kusht me gjithçka që ka për të mbijetuar edhe kur nuk ka asgjë, veç vetes, karakterit dhe aftësisë aktoriale të saj. Ajo gjithashtu na mëson se si të kemi në shpirt të qeshura dhe hare. Unë u bëra pjesë e kësaj aventure sepse fusha e artit e sidomos ajo e teatrit, e skenës, e aktrimit, më ka tërhequr gjithmonë. Këto dy muaj më kanë ndihmuar se çdo të thotë të punosh me profesionistë, të krijosh marrëdhënie të reja, të shijosh shijen e skenës, të bësh qejf, më ka mësuar se çdo të thotë të bësh art. Është një përvojë që më ka lënë mbresë, e më ka ndihmuar tej mase shumë, ishte një përvojë të cilën nuk do e harroj kurrë.
Klark Morinaj: Përshëndetje unë jam Klark! Në shfaqjen “Zonja e bujtinës” unë kam rolin e markezit, një kalorës që paraqitet si i pasur, por në të vërtetë nuk është i tillë. Ai shkon në bujtinë si një person i pasur, por në të vëtetë shkon që të kalojë natën pa para, si dhe për të joshur zonjën e bujtinës. Në këtë shfaqje, unë jam i vetmi djalë që luaj rolin e një djali, si dhe i jam shumë falenderues mësueses time, Orilda Kalami dhe regjisores Suela Bako për mundësinë e dhënë. Të punosh me një regjisore si Suela nuk është pak, ajo është profesioniste dhe kap çdo gjë që mund shkojë gabim. Unë kam një mesazh për të gjithë moshatarët e mi, “Nuk është paraja që të bën njeri të mirë, ai është shpirti”.
Nxënësit e shkollës TES mësuese Orilda Kalami dhe regjisore Suela Bako (Foto nga facebook)
- Komedia "Zonja e bujtinës", vepër e autorit të njohur italian Carlo Goldoni , është shkruar në shekullin XVIII dhe përcjell mesazhe emancipuese për realitetin tonë. Komedia “Zonja e bujtinës” (Mirandolina) është vënë në skenë për herë të parë në Venecia në vitin 1752. Vepra e komedianit italian Carlo Goldoni, përball femrën me mashkullin në skenën teatrore. Goldoni si një mjeshtër i madh i karaktereve dhe në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, e ngre lart figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale.
Nxënësit e shkollës “Tes” një vit më parë arritën që të vinin në një skenë të vërtetë, komedinë “Karnavalet e Korçës” në teatrin "Metropol", por dëshira e tyre vazhdon ende dhe ajo eksperiencë aq e bukur për ta, u finalizua këtë vit me komedinë “Zonja e bujtinës”. Është vërtetë arritje që të mbjellësh dashurinë për artin tek të rinjtë, që janë brezi i së ardhmes, e ku ka më bukur se nëpërmjet këtyre eventeve artistike.
Intervistoi: Sava Lena