Rëndësia e identifikimit të rreziqeve nga mashtrimet online
2024-03-28 09:27:39

Mashtimet online (Foto Iconstyle)

Mashtimet online (Foto Iconstyle)

Epoka digjitale sjell edhe sfida. Banka e Shqipërisë thekson se është shumë e rëndësishme për të rinjtë që të identifikojnë rreziqet e lidhura me mashtrimet online, si dhe rreziqet e tjera që rrjedhin nga informacionet dhe këshillat e pasigurta. Në fushatën "Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde!", theksohet  nevoja për të përqafuar një qasje të përgjegjshme dhe të informuar në administrimin e financave personale, duke u bërë të vetëdijshëm për rreziqet potenciale në ndërveprimin financiar.  Në çeljen e Javës Globale të Parasë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se duhet të punohet vazhdimisht nga të gjithë aktorët për të rritur ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë e edukimit financiar të brezit të ri.

“Kjo fushatë përfaqëson një rast shumë të mirë për politikbërësit, sistemin arsimor, atë bankar dhe biznesin që të bashkëpunojmë me qëllim që të afrohemi tek të rinjtë për t’i mësuar mbi rëndësinë e parasë, planifikimit dhe vendimmarrjeve të shëndosha financiare. Ka ardhur koha që fëmijët dhe të rinjtë të mësojnë aktivisht për paranë dhe financat, të fitojnë gradualisht njohuritë, aftësitë, qëndrimet dhe sjelljet e nevojshme për të garantuar mirëqenie dhe qëndrueshmëri financiare.”

Në sajë të iniciativave të saj, Banka e Shqipërisë vëren një rritje të ndjeshme të përfshirjes financiare.

“Numri i transaksioneve përmes pagesave elektronike ka rezultuar në rreth 48 milionë, si nga bankat ashtu edhe jobankat, duke pasqyruar një rritje prej 26% në numrin e tyre, krahasuar me vitin 2022.Gjithashtu, numri i llogarive të aksesueshme nga larg është rritur me 24 % në vitin 2023, duke zënë 34% të totalit të gjithë llogarive të klientëve në banka. Megjithatë risitë shoqërohen edhe me rreziqe të reja, siç janë për shembull mashtrimet online apo ai që njihet në gjuhën financiare si phishing - një mënyrë e vjedhjes së identitetit që kryhet përmes dhënies vullnetare, por të pa informuar të të dhënave personale, si p.sh. numrat dhe fjalëkalimet e llogarive bankare, të cilat mund të përdoren më pas nga keqbërës për qëllime vjedhjeje.”

Në këtë fushatë sensibilizuese për t’u paraprirë rreziqeve janë të përfshirë shumë institucione.

“Pikërisht për të adresuar këto problematika, por edhe mbi shumë të tjera që lidhen me kulturën, Banka e Shqipërisë ka miratuar dhe po zbaton një strategji për edukimin dhe përfshirjen financiare, e cila përfshin sigurisht dhe fëmijët e të rinjtë. Duke bashkëpunuar me partnerë si Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Shoqata Shqiptare e Bankave, Banka Botërore etj. synojmë të zhvillojmë aktivitete dhe programe të përbashkëta në të gjithë vendin për të rritur kulturën financiare.Strategjia shërben si instrument për institucionet arsimore, bankare, financiare, bizneset, OJQ-të që të zhvillojmë së bashku politika, programe dhe materiale edukative, me qëllimin kryesor përmirësimin e kulturës financiare në të gjithë vendin. Përparimi në këtë nismë na përball me sfida dhe rëndësia e ndarjes së përvojave, e mësimit nga njëri-tjetri për të rritur dhe promovuar kulturën financiare bëhet gjithnjë e më e nevojshme.”- tha Sejko.

Tema e këtij viti "Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde!", thekson nevojën për të përqafuar një qasje të përgjegjshme dhe të informuar në administrimin e financave personale, duke u bërë të vetëdijshëm për rreziqet potenciale në ndërveprimin financiar. 

“Është shumë e rëndësishme për të rinjtë të identifikojnë rreziqet e lidhura me mashtrimet online, si dhe rreziqet e tjera që rrjedhin nga informacionet dhe këshillat e pasigurta. Si mund të lexoni dhe në agjendën e javës, për të edukuar në këtë drejtim të rinjtë dhe më të vegjlit, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me partnerët e saj do të organizojë programe dhe aktivitete edukativë në të gjithë vendin.”

E ardhmja e zhvillimit digjital duket e pandashme.

“Peizazhi financiar është duke u zhvilluar me shpejtësi, avancimet teknologjike po ndryshojnë mënyrën se si fëmijët mësojnë në çdo fushë. Ndërsa lundrojmë në një botë në ndryshim, është jetike që të rinjtë të fitojnë aftësitë, njohuritë dhe besimin për të menaxhuar të ardhmen e tyre financiare në mënyrë të përgjegjshme.”- tha Sejko.

Gjatë kësaj kohe është punuar për të mbledhur të dhëna të nevojshme që ndihmojë në njohjen e fenomenit.

Gent Sejko (Foto Banka e Shqipërisë)

Gent Sejko (Foto Banka e Shqipërisë)

“Gjatë dekadës së fundit, së pari në rang ndërkombëtar, por edhe në vendin tonë, ka pasur një rritje të konsiderueshme të kërkimit akademik mbi edukimin dhe përfshirjen financiare. Këto të fundit, të nxitura në masë të madhe nga përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të mbledhur të dhëna dhe për të njohur fenomenet. Rezultatet e këtij kërkimi janë përdorur edhe si bazë për zhvillimin e politikave institucionale që i përgjigjen kërkesave të kohës. Sot, kemi gjithashtu një pasuri informacioni që na lejon të kuptojmë më mirë faktorët që ndikojnë në nivelet e kulturës financiare te të rinjtë dhe tek të gjitha shtresat e shoqërisë, duke përfshirë rrethanat ekonomike, edukimin, punësimin, qasjen në internet dhe ndikimin prindëror.”

Ngjarjet e viteve të fundit, si pandemia, lufta dhe ndryshimet klimatike nënvizuan rëndësinë e marrjes së vendimeve financiare bazuar në njohuritë e duhura dhe instrumentet e sigurta. 

“Kjo rezultoi e rëndësishme jo vetëm për shëndetin financiar personal, por edhe për stabilitetin e sistemit financiar. Digjitalizimi i shpejtë dhe sfidat urgjente që paraqet ndryshimi i klimës, po transformojnë mënyrën se si konceptohen instrumentet dhe si angazhohemi në marrëdhëniet financiare. Të rinjtë kanë mundësinë të përdorin burimet e tyre si një forcë për ndryshim pozitiv në shoqëri dhe mjedis. Edhe për këtë qëllim Banka e Shqipërisë, ka ndërmarrë dhe po zbaton dy strategji të rëndësishme për klimën dhe edukimin e përfshirjen financiare.”- u shpreh Sejko.

Sipas Bankës së Shqipërisë fushatën e  Javës së Parasë e kanë përqafuar në rang botëror mbi 40.000 organizata qeveritare e jo qeveritare të cilat, ku vetëm vitin e kaluar, kanë organizuar aktivitete që kanë prekur rreth 120 milionë individë në 176 vende të globit. Këto shifra, dhe trendi rritës i pjesëmarrjes së nxënësve dhe studentëve shqiptar na nxit e na motivon për të ofruar për herë e më shumë aktivitete, konkurse, leksione e orë mësimore, si dhe për të rritur e intensifikuar bashkëpunimin me ju, bankierë, arsimtarë, studentë e nxënës.