Forcat prodhuese cilësore në Kinë nxisin kompanitë shumëkombëshe
2024-03-28 10:43:46


Foto nga VCG

Fokusimi i Kinës në avancimin e sektorit të prodhimit të nivelit të lartë dhe nxitjen e forcave të reja prodhuese cilësore synon të gjenerojë pika të reja rritjeje për korporatat shumëkombëshe, duke e bërë ekonominë globale dhe zinxhirët e furnizimit edhe më të gjelbër dhe të larmishme, thanë drejtuesit kryesorë të konglomerateve të huaja industriale dhe teknologjike.

Në Forumin e Zhvillimit të Kinës, i cili u mbajt në Pekin, ata vunë në dukje se në kontekstin e një ekonomie globale që ndryshon me shpejtësi, industritë e gjelbra dhe strategjike në zhvillim janë gati të mbështesin forcat e reja prodhuese cilësore dhe të nxisin inovacionin. Këto industri shihen si tregues kyç të drejtimit të revolucionit të fundit teknologjik dhe transformimit industrial.

Forcat e reja prodhuese cilësore i referohen produktivitetit të avancuar të çliruar nga mënyrat tradicionale të rritjes ekonomike dhe shtigjet e zhvillimit të produktivitetit, duke përmbajtur teknologji të lartë, efikasitet të lartë dhe cilësi të lartë, në përputhje me filozofinë e re të zhvillimit.

Foto nga VCG

Duke theksuar se koncepti i forcave të reja prodhuese cilësore është plotësisht në përputhje me strategjinë e rritjes së grupit të tij, Roland Busch, president dhe drejtor ekzekutiv i “Siemens AG”, tha se kompania gjermane do të përfundojë një projekt zgjerimi të fabrikës së saj digjitale në Chengdu, në provincën Sichuan, deri në fund të vitit.

“Investitorët janë gjithmonë në kërkim të tregjeve që janë në krye të inovacionit dhe ku përparimi është i shpejtë. Kina është një treg i tillë”,- tha Busch, duke shtuar se bizneset në Kinë po adoptojnë me shpejtësi teknologji të reja për të ruajtur avantazhin e tyre konkurrues në tregje të ndryshme, duke tejkaluar shpesh ritmin e homologëve të tyre gjetkë. Kjo e bën vendin një treg shumë dinamik.

Pikëpamje të ngjashme ndan edhe Kim Fausing, president dhe drejtor ekzekutiv i konglomeratit danez të teknologjisë dhe inxhinierisë “Danfoss Group”.

“Për të kapur mundësitë e biznesit në tranzicionin e gjelbër të Kinës, ne kemi investuar vazhdimisht në vend, veçanërisht në prodhim dhe inovacion të zgjuar”,- tha Fausing.

Përveç ndërtimit të një impianti të modulit gjysmëpërçues IGBT në Nanjing, në provincën Jiangsu, me një investim prej 100 milionë euro (108 milionë dollarë), “Danfoss” do të nisë në prill ndërtimin e fazës së dytë të bazës së tij më të madhe të prodhimit dhe inovacionit në Haiyan, në provincën Zhejiang. Pas përfundimit, ky zgjerim do të forcojë operacionet e “Danfoss” jo vetëm në Kinë, por edhe në shkallë globale.

“Kampusi i ri në Haiyan do të jetë një nga vendet më të mëdha të prodhimit në historinë globale të kompanisë. Ndërsa Kina ndërmerr më shumë hapa për të përmbushur angazhimin e saj për hapjen e mëtejshme, tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e besimit, ne presim një bashkëpunim më të ngushtë me partnerët tanë vendas për të përshpejtuar formimin e forcave të reja prodhuese cilësore, si dhe për të thelluar përfshirjen tonë në vend”,- tha Fausing.

Për të zgjeruar aksesin në treg për investimet e huaja, Kina synon të heqë kufizimet për pjesëmarrjen e huaj në sektorin e prodhimit dhe të vazhdojë të rrisë hapjen në sektorë të tillë si telekomunikacioni dhe kujdesi shëndetësor, sipas një plani veprimi të publikuar nga Zyra e Përgjithshme e Këshillit të Shtetit, javën e shkuar.

Foto nga VCG

Duke theksuar se transformimi i gjelbër i vazhdueshëm i Kinës ka krijuar mundësi biznesi për kompanitë e huaja që operojnë në vend, Miguel Lopez, drejtor ekzekutiv i “Thyssenkrupp AG”, tha se firma gjermane do të zgjerojë ekspertizën e saj në sektorët e prodhimit miqësor ndaj mjedisit, duke përfshirë energjinë e erës, automjetet, hidrogjenin e gjelbër, kimikatet, çimenton dhe çelikun në vitet e ardhshme.

Të dhënat nga Ministria e Tregtisë tregojnë se investimet e huaja direkte në sektorin e prodhimit të teknologjisë së lartë në Kinë patën një rritje vjetore prej 10.1 për qind në 28.27 miliardë juanë (3.92 miliardë dollarë) në dy muajt e parë të vitit.