Qëndisja Su, një trashëgimi familjare
2024-03-28 09:57:29

Në Muzeun e Artit në Suzhou, në provincën Jiangsu, vizitorët tërhiqen menjëherë nga një vepër arti interesante e varur në mur, duke dhënë përshtypjen sipërfaqësore të një vepre të artit bashkëkohor. Por, kur e vështron nga afër, dallohet se shkëlqimi i linjave të saj vezulluese përcjell zanatin e lashtë të qëndisjes Su, i cili filloi në qytet më shumë se 2000 vjet më parë.

foto nga China Daily

foto nga China Daily

“Me shikim të parë, vizitorët e ngatërrojnë atë me një pikturë vaji. Shpresojmë të mbushim artin tradicional me shprehi bashkëkohore”,- deklaroi Zhang Fan, 48 vjeç, një nga krijuesit e veprës.

Pranë veprës së artit janë dy punime me qëndisje Su që portretizojnë foto abstrakte të marra nga fotografi amerikan Michael Yamashita.

Të gjitha këto vepra janë realizuar nga Zhang dhe nëna e tij, Zhang Meifang, 78 vjeçe, një mjeshtre qëndistare që krijoi veprën në bashkëpunim me fizikantin e njohur Tsung-dao Lee.

Në vitin 2005, Zhang hapi një qendër inovative të qëndisjes, duke aplikuar teknikat e lashta të qëndisjes me fije mëndafshi në një format modern të artit, duke përfshirë piktura vaji, murale, relieve të skalitura dhe foto.

E njohur për teknikat e saj të ndërlikuara, stilin elegant dhe ngjyrat e gjalla, qëndisja Su zakonisht fokusohet te zogjtë dhe lulet, macet, peizazhet dhe figurat. Shumica e qëndistarëve të zonës janë përqendruar në këto tema për shekuj, duke e bërë atë të popullarizuar si nga fisnikëria ashtu edhe nga popullata e përgjithshme për punimet e saj të shkëlqyera të gjilpërave.

Për t'i dhënë artizanatit tradicional një pamje moderne, Zhang Fan dhe nëna e tij shpenzuan dekada për të rinovuar fijet që përdornin, si dhe temat. Ata punuan me artistë të shquar, si Wu Guanzhong, një pionier i artit modern kinez, dhe Chang Shana, një artist dhe studiues i njohur në studimet e afreskeve në Dunhuang, provinca Gansu, si dhe fotografë të huaj.

Bukuria e qëndisjes Su për Zhang Fan qëndron te fijet prej mëndafshi me ngjyra të gjalla, të cilat u japin një shkëlqim modeleve të qepura në pëlhurë.

“Është një art i dritës. Lulet mund të ndryshojnë ngjyrë kur i sheh nga këndvështrime të ndryshme. Duken sikur kërcejnë në ajër”,- thotë Zhang Fan.

Për të arritur një efekt të tillë magjik, ata përdorin fije me trashësi të ndryshme dhe me nuanca të ndryshme të një ngjyre të vetme. Për aplikime të caktuara, ata madje krijojnë fijet e tyre të veçanta të mëndafshit.

Në një murale të gjatë që paraqet një grup hyjnish budiste, Zhang Fan dhe nëna e tij përdorën më shumë se 20 teknika qepjeje, si dhe ngjyra të panumërta të nuancave të ndryshme. U deshën gjashtë vjet për ta përfunduar veprën.

foto nga China Daily

foto nga China Daily

Zhang Fan thotë se nëna e tij është gjithmonë në kërkim të risive dhe kreativitetit. Ajo ishte zëvendësdrejtoreshë e Institutit të Kërkimeve të Qëndisjes së Mëndafshit në Suzhou, ku u trajnuan dhe punuan shumë mjeshtër modernë të qëndisjes Su.

Shekullin e kaluar, qëndistarët nga instituti mësuan stilin e realizimit nga perëndimi dhe e përzien në veprat e tyre, duke u mundësuar atyre të prodhojnë vepra fotorealiste.

Zhang Meifang drejtoi ekipin e ngarkuar me zhvillimin e teknikave të reja për qëndisjen Su.

Pasi doli në pension, me ndihmën e të birit, ajo i fokusoi përpjekjet e saj në zhvillimin e zanatit tradicional. Misioni përfundimtar është ta integrojë atë me shijet artistike mbizotëruese të njerëzve.

Ata kanë punuar me artistë anembanë globit dhe veprat e tyre janë mbledhur nga muzetë dhe institucionet e artit brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa familja Zhang përpiqet të eksplorojë një shprehje moderne artistike të zanatit shekullor, brezi i ri, si Guo Zizhou, 27 vjeç, po përdor një metodë popullore për t'i prezantuar të rinjtë me qëndisjen Su.

Lindur në një familje ku të gjitha gratë janë të mira në qëndisjet Su, në vitin 2019, Guo hapi një kafene me temë në Suzhou. Guo shfaq shumë nga punimet e qëndisjes së nënës së tij në kafene dhe, ndonjëherë, ata mbajnë klasa mësimi për qëndisjen Su dhe ftojnë klientët të provojnë teknikat e qepjes.

Guo tani po mëson qëndisjen Su nga nëna e tij, Zou Yingzi, veprat e së cilës janë mbledhur nga institucione të njohura, duke përfshirë Muzeun Britanik. Tradicionalisht, qëndisja Su mësohet nga gratë dhe transmetohet midis anëtarëve femra të një familjeje. Guo është një nga përjashtimet e pakta meshkuj.

“Të gjithë miqtë e mi mendojnë se ajo që bëj është elegante dhe e lezetshme”,- thotë Guo përpara një stendë qëndistarie, duke lëvizur gjilpërën magjishëm nëpër një copë me motive peizazhi.

Guo mësoi dizajnin e brendshëm në Britani dhe mori titullin master në art në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm pasi u kthye në Kinë, ai vendosi të trashëgonte zanatin e qëndisjes Su nga nëna e tij.

Që nga fëmijëria, gjilpëra ka qenë një send i zakonshëm në jetën e tij. Çdo ditë ai shihte gjyshen, mamanë dhe mikeshat e saj të zhytura në qëndisjen Su.

“Kur isha i vogël, shpohesha shpesh me gjilpërat. Ndërsa tani është bërë një mjet për të vazhduar misionin artistik të familjes sime. Më duket e pabesueshme”,- thotë Guo.

Vitet e fundit, Guo ka marrë pjesë në ekipin e nënës së tij për të realizuar vepra të qëndisjes Su në shkallë të gjerë, dy prej të cilave u mblodhën nga Arkivi Kombëtar i Publikimeve dhe Kulturës së Kinës.

foto nga China Daily

foto nga China Daily

Çdo punim është mbi 3 metra e lartë dhe 1 metër e gjatë, duke paraqitur feitian (hyjnitë fluturuese) dhe një ndërtesë tradicionale me sutra budiste, që rrjedhin nga muralet në shpellat Mogao në Dunhuang.

Guo ndihmoi nënën e tij për të përfunduar dy veprat e artit, për të cilat punuan mbi 100 qëndistarë në gati muaj punë.

“Pa ndihmën e tij, nuk mund t'i kisha përfunduar dy pjesët e mëdha. Jam krenare për djalin tim. Ai shpesh më jep ide të reja dhe interesante për të krijuar punime novatore të qëndisjes Su”,- thotë Zou.

I biri shton se idetë e tij shpesh përplasen me ato të nënës së tij.

“Shpresoj se zanati mund të integrohet më shumë në jetën e përditshme të njerëzve, në vend që të shfaqet thjesht si një dekorim apo vepër arti”,- thotë Guo.