Më 24 e 25 mars u mbajt në Pekin Forumi i Zhvillimit të Kinës (CDF) 2024. Tema kryesore e forumit ishte "Zhvillimi i vazhdueshëm i Kinës". Ajo pasqyroi vëmendjen dhe pritjen e gjerë për zhvillimin afatgjatë, të qëndrueshëm dhe me cilësi të lartë të ekonomisë kineze.
Që nga fillimi i vitit 2024, ekonomia kineze ka ruajtur zhvillimin e qëndrueshëm të shpejtë. Ekspertët ekonomikë dhe sipërmarrësit që morën pjesë në forum, shprehën optimizmin e tyre për zhvillimin e Kinës.
"Rritja ekonomike e Kinës është e paparë në historinë njerëzore. Me zgjerimin e përmasave ekonomike kineze, po rritet edhe ndikimi i Kinës," tha Evan G. Greenberg, bashkëkryetar i CDF 2024 dhe President i Kompanisë së Sigurimeve Chubb.
Masatsugu Asakawa, President i Bankës Aziatike për Zhvillim, tha se është i inkurajuar nga përparimi i Kinës në anën e zhvillimit.
"Duke shikuar të ardhmen, ne parashikojmë se në vitin 2024, ekonomia kineze do të ruajë një rritje të qëndrueshme, brenda kufirit të objektivit të shpallur nga qeveria kineze," tha Asakawa.
Foto nga CFP
Në raportin e punës të qeverisë, Kina publikoi një objektiv prej rreth 5% rritje ekonomike për këtë vit. Lidhur me këtë, Jack Chan, President i “EY Kinë” u shpreh se ky objektiv është pragmatik dhe frymëzues.
“Pavarësisht sfidave të shumta në rritjen globale, nuk ka ndryshuar baza e fortë për rritjen afatgjatë të ekonomisë kineze, siç shfaqet në vitin 2023. Ne kemi besim për zhvillimin e vazhdueshëm me cilësi të lartë të vendit”, theksoi Jack Chan.
Edhe ekzekutivët e kompanive kryesore ndërshtetërore, shpresojnë të ndiejnë gjallërinë e rritjes së tregut kinez nga inovacioni.
"Kina mund të ofrojë shumë për mjekësinë globale, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshmërisë," tha Pascal Soriot, CEO i gjigantit britanik biofarmaceutik AstraZeneca, duke shtuar se kompania e tij është krenare, që po luan një rol të rëndësishëm në sjelljen e ilaçeve të reja për pacientët kinezë.
Nga ana e tij, Nicolas Hieronimus, CEO i gjigantit kozmetik francez “L'Oreal”, tha se CDF 2024 është një platformë e nivelit të lartë, që ka pasqyruar vendosmërinë e Kinës për përqafimin e një epoke të re të zhvillimit me cilësi të lartë.
Sipas tij, kohët e fundit, “L'Oreal” ka investuar dy qendra të reja të logjistikës, në Suzhou dhe Nantong të Kinës Lindore, për të mbështetur sektorin e tregtisë elektronike në rritje të shpejtë në Kinë.
"L'Oreal do të vazhdojë të investojë, sepse ne besojmë se investimi në Kinë do të thotë investim për të ardhmen," tha Nicolas Hieronimus. (Fani)