Modeli Eni Tare
Eni Tare është një djalë i ri nga Tirana, që i ka pëlqyer gjithmonë bota e televizionit dhe modelingu që kur ishte fëmijë. Ai ka provuar disa eksperienca televizive, ndër to pjesëmarrja në “Big Brother Vip” në televizionin Top Channel. Eni është një djalë i sjellshëm dhe i kulturuar dhe çdo gjë e ka arritur falë punës dhe përkushtimit. Ai studion në Universitetin e Sporteve, por merret edhe me modeling, një pasion i hershëm i tij. Aktualisht Eni punon si menaxher dhe është imazhi i Santana Club, ku poston në rrjetet sociale foto dhe video të këngëtarëve që performojnë në këtë club. Ka provuar aktrimin në filmin “Tryeza e Zezë” dhe së shpejti do ta shohim në një film tjetër. Për Radio Ejani Eni tregon pasionin e tij për modelingun, eksperiencat televizive dhe projektet.
Eni Tare
CMG: Si lindi pasioni për t’u marrë me botën e televizionit?
Eni Tare: Për të qenë pjesë e televizionit ka qenë ëndrra ime që në fëmijëri. Duke parë sesi erdhi jeta nuk e mendoja se do të isha një ditë pjesë e televizionit, apo të merresha me reklama dhe modeling. Me shumë punë, sakrificë dhe guxim, arrita të punoj fort me veten dhe të jem ky që jam sot.
CMG: Besoj se të ka ndihmuar gjatësia që ke dhe kritere të tjera që kërkohen për të qenë pjesë e modelingut?
Eni Tare: Ajo që unë bëra për të qenë pjesë e modelingut ishte që të dobësohesha, sepse kam qenë pak i shëndoshë dhe ja arrita. Kriteret e tjera përsa i përket gjatësisë apo flokut të gjatë dhe paraqitjes nuk më mungojnë dhe kjo ishte e vetmja gjë që duhet të bëja për të qenë pjesë e modelingut.
CMG: Ke qenë pjesë e spektaklit mjaft të ndjekur “Big Brother Vip Albania” në Top Channel. Si ka qenë kjo si eksperiencë dhe sa të ka ndihmuar për të qenë më gjerësisht në botën e televizionit?
Eni Tare: “Big Brother Vip” është eksperienca e jetës dhe kjo ka qenë një dëshirë e imja e fëmijërisë, kam dashur gjithmonë të jem pjesë e “Big Brother”. Kur shikoja “Big Brother” dhe ish banorët që ishin pjesë e tij, mendoja që sikur të isha dhe unë një ditë aty. Kështu që punova, luftova për të arritur të jem pjesë e atij formati, që është eksperienca më e bukur që mund t’i ndodhë çdokujt. Nuk mund të them se ja ka vlejtur në aspektin profesional, por ja ka vlejtur përsa i përket dashurisë së njerëzve të zakonshëm në qytetin ku unë jetoj, Tiranë. Pas një viti e tre muaj që unë isha pjesë e atij formati vazhdoj të kem të njëjtën dashuri dhe respekt nga njerëzit. Mendoj se për këtë gjë ja ka vlejtur absolutisht shumë.
Eni Tare gjate xhirimeve te filmit
CMG: Kur hyre në “Big Brother” besoj se kishe një qëllim të caktuar pasi të dilje prej andej?
Eni Tare: Padiskutim që e kisha dhe unë një qëllim, që të rritesha profesionalisht, të prezantoja veten si model, por dhe të jepja një anë njerëzore të mirë timen. Mirëpo nuk arrita dot që të marr benefitet për të prezantuar veten më shumë kur dola, sepse nuk kam pasur ofertat që kam kërkuar. Mendoj se tregu këtu në Shqipëri është pak i vakë dhe nuk mund të marrësh gjithmonë atë që kërkon, ose aq shumë sa ti kërkon.
CMG: Ka qenë e lehtë për ty karriera si model në Shqipëri?
Eni Tare: Në fillimet e mia e shikoja modelingun si një trampolinë shumë të madhe këtu në Shqipëri dhe thoja se kjo është puna që dua dhe që të sjell shumë të ardhura. Mirëpo sot kam arritur në atë pike, që mendoj se modelingu në Shqipëri është i vakët dhe për mua është humje kohe, duke pretenduar që të bësh më të mirën për modelingun. Mendoj se modelingu në çdo vend të botës ia vlen, nëse ti je i plotësuar fizikisht dhe profesionalisht. Padiskutim që jashtë shtetit do ia vlente më shumë.
CMG: Përveçse në pasarela, në jetën e përditshme e ndjek modën?
Eni Tare: Përpiqem që ta ndjek modën dhe në jetën e përditshme dhe deri tani nuk kam dëgjuar që të thonë që vishem keq. Mundohem që të vishem bukur me mundësitë që kam, por nuk e kam problem që çfarëdolloj rrobe të vesh më shkon se kam fizikun.
CMG: Cila është ana juaj më e fortë në jetë?
Eni Tare: Mendoj se është sinqeriteti dhe respekti që transmetoj tek njerëzit. Gjithashtu dashamirësia ime dhe disa pika të tjera që njerëzit duan të rrinë me mua.
Eni Tare te Santana Club
CMG: Prej një viti punon si menaxher i Santana Club. Si ndjehesh në këtë pozicion pune dhe si janë marrëdhëniet me stafin?
Eni Tare: Unë jam pjesë e Santanës prej një viti dhe jam imazh, merrem me marketingun, duke bërë postimet e këngëtarëve që ne ftojmë gjatë fundjavës, por dhe të DJ-ve të ndryshëm që ftojmë gjatë javës. Kjo është puna ime e parë e këtij lloji. Dua të falenderoj pronarin e Santanës, që tashmë e kam dhe shok, Ergys Keta, i cili ma ka mundësuar që unë të jem pjesë e Santanës.
CMG: Gjithashtu ke marrë pjesë si aktor në filmin e fundit të producentit Ergys Keta. Si ka qenë pjesëmarrja në një film aksion?
Eni Tare: Ergys Keta që është producent dhe aktor i filmit bëri të mundur që unë të isha pjesë e filmit “Tryeza e zezë”, një film aksion-dramë, i vetmi në Shqipëri dhe më i veçanti i këtij zhanri. Ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe e para si aktor. Kisha një rol që mu përshtat dhe arrita ta realizoj me sukses. Filmi po ecën shumë mirë.
CMG: Si u ndjetë përkrah aktorëve të famshëm të kinematografisë shqiptare në këtë film?
Eni Tare: Më dukej e pabesueshme kur i shikoja, sepse pa qenë pjesë e televizionit apo e një filmi, i shikoja nga televizori dhe thoja aktorë të mrekullueshëm, do të doja t’i shikoja njëherë nga afër. Kur unë i kisha aq pranë më dukej e pabesueshme, derisa arrita që t’i kisha përballë dhe t’i flisja këtyre aktorëve të mrekullueshëm në atë film. Për mua është një eksperiencë, që nuk do ta harroj kurrë.
CMG: Do dëshironi ta provoni sërish një eksperiencë të tillë në ndonjë projekt filmi në të ardhmen?
Eni Tare: Patjetër që po. Producenti dhe aktori Ergys Keta po realizon filmin “Lugina e djalit 2”, një film horror, i cili do fillojë së shpejti xhirimet. Padiskutim që unë do jem pjesë me një rol në atë film. Besoj se ka për të qenë një eksperiencë ndryshe, duke kaluar nga një zhanër aksion-dramë në një zhanër horror, por edhe pak komedi brenda. Besoj se do jetë një eksperiencë akoma dhe më e bukur.
Eni Tare
CMG: Vazhdoni studimet e larta në Universitetin e Sporteve në Tiranë. Është sporti një pasion tjetër i juaji?
Eni Tare: Futbolli ka qenë ëndrra ime më e madhe. Unë flija dhe zgjohesha me top tek koka e krevatit. Mirëpo për arsye familjare, që tashmë i dinë pjesa më e madhe e shqiptarëve, nuk munda ta vazhdoja. Duke qenë se tashmë jam një personazh publik, mu dha mundësia që të vazhdoja Universitetin e Sporteve. Uroj dhe shpersoj dhe sigurisht që do të punoj fort për ta mbaruar me sukses dhe në një të ardhme të jem mësues fiskulture apo instruktor palestre.
CMG: Ju ka mbetur peng që nuk u bëtë futbollist?
Eni Tare: Ky është pengu më i madh që kam, që nuk arrita të bëhem futbollist. Nëse do ta ktheja kokën pas, do punoja dhe do luftoja shumë për t’u bërë futbollist. Nuk po them se do shkëlqeja, por karakteri im është luftarak dhe punëtor. Do të luftoja fort për të bërë më të mirën time në çdo ndeshje, nëse do isha bërë futbollist.
CMG: Kush ka qenë mbështetja më e madhe për arritjet tuaja të deritanishme?
Eni Tare: Mbështetja ime më e madhe padiskutim që është nëna ime, sepse unë me të kam ndarë gjithçka. Kemi luftuar të dy bashkë për gjithçka, jemi përpjekur dhe unë nuk jam akoma aty ku duhet, por më duhet akoma shumë punë të luftoj dhe të punoj me veten, që të vazhdoj ta bëj krenare nënën time, për gjithë sakrificat që ajo ka bërë për mua dhe për dashurinë që më dhuron çdo ditë.
CMG: Keni menduar ndonjëherë të largoheni nga Shqipëria?
Eni Tare: Dëshira ime më e madhe këto vitet e fundit është që të largohem nga Shqipëria. Normalisht që në një shtet tjetër të krijohen mundësi më të mira, dhe nuk do isha pishman në rast se do ta lija Universitetin e Sporteve për një jetesë më të mirë jashtë shtetit.
CMG: Së fundi një mesazh për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj?
Eni Tare: Buzëqëshni sa më shumë, vazhdoni të punoni me veten, luftoni, falni dashuri dhe mos harroni që familja është gjëja më e shtrenjtë dhe më e bukur në këtë botë. Kështu që punoni për familjen tuaj, punoni për njerëzit tuaj më të dashur, duajini dhe respektojini ata, dhe ecni përpara.
Intervistoi: Gazmend Agaj