“Skulpturë”, ekspozita e tretë personale e skulptorit Pjerin Kolnikaj
2024-03-27 11:04:28

Skulptori Pjerin Kolnikaj - foto Liberale.al

Skulptori Pjerin Kolnikaj - foto Liberale.al

Hapja e një ekspozite me vepra arti është një ngjarje e bukur për kryeqytetin. Edhe pwr skulptorin Pjerin Kolnikaj, hapja e një ekspozite personale merr një vlerë të madhe. Skulptori Kolnikaj këtë herë në ekspozitën e tij, ka prezantuar punimet e tij në tre sallat e galerisë FAB, ku të githa punimet janë realizuar në materiale dhe teknika të ndryshme. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës “Skulpturë” në galerinë FAB ishin të pranishëm miq, kolegë artistë e dashamirës të artit. Veprat e skulptorit Kolnikaj janë mirëpritur nga publiku dhe vlerësuar, si brenda vendit, ashtu dhe jashtë. Kjo ekspozitë është e treta në karrierën e skulptorit. Ekspozita në galerinë FAB përmban njëzet punime të cilat janë një përzgjedhje ndër vite, punë që nisin që nga viti 1995 e deri tani. Publiku ka ndjekur me vëmendje punimet e Kolnikaj, ku në një sallë të galerisë FAB janë ekspozuar skulpturat e tij në gur, në sallën e dytë punimet prej bronxi dhe në sallën e tretë punimet të punuara me material hekuri.  E megjithë ndarjes formale, sa i takon materialeve të punës, koncepti është i njëjtë. Në FAB janë 20 punë  dhe të gjitha janë skulptura abstrakte.

Ekspozita e skulptorit Pjerin Kolnikaj - foto ATSH

Ekspozita e skulptorit Pjerin Kolnikaj - foto ATSH

Një ndër profesionistët që ka bërë rolin e kritikut për ekspozitën e Kolnikaj, është piktori Vladimir Myrtezai, e cili e vlerëson Kolnikaj si një artist të rëndësishëm të pas viteve ’90. “Sa herë e sjell në vëmendje, Pjerin Kolnikaj më ndërlidhet me disa livadhe të munguara në peizazhin e artit, ku në një formë apo në një tjetër presim të lulëzojnë trajtat parake të pavetëdijes, që në të shumtë kanë diçka nga adoleshenti që rreket të vendosë një rend të ri estetik”, komenton ai. Nëse në të gjitha ëndrrat e artistëve të ndryshëm janë qendrat dhe institucionet me emër, në tekstin e katalogut Myrtezaj thotë se për Pjerinin periferitë janë e do të bëhen medoemos qendër. Sipas tij, shumë nga punët e Kolnikaj janë embrionale, me një trajektore parashikimi të hershëm, si një ëndërr që nuk dorëzohet në një territor të pamundur mundësish kur bëhet fjalë për ta aplikuar në hapësirë. “Në fakt, sa herë që dua të zhvendosem nga një mjedis i mbingopur e toksik ndërgjegjesh të pleksura ballkanike, arratisem në periferi, në livadhet e lira të Kolnikaj për të ridimensionuar shijen e një jete me cilësi, qoftë edhe si një gjë e rrallë jashtë realitetit; një lloj oksigjenimi që e marrim nga njerëz të lindur të lirë, me një mendje të pakushtëzuar e bredharake, në një qetësi që të jep takimi bazik me gjërat primare”, shprehet Myrtezai.

Promivimi i ekspozites- foto ATSH

Promivimi i ekspozites- foto ATSH

Ekspozita te galeria FAB në Tiranë është gjithashtu dhe një ftesë që publiku të shohë nga afër krijimet e skulptorit të njohur Pjerin Kolnikaj, si dhe bëhet pjesë e jetës artistike këtë kohë.

Kolnikaj është një artist i rëndësishëm i pasnëntëdhjetës, në një lidhje organike me misionin e tij si artist dhe si njeri; në një prirje të hapur në vlerë të atij kontributi që quhet përputhshmëri me vokacionin që e kultivoi.

I lindur në Shkodër në vitin 1963, Pjerin Kolnikaj u diplomua në Akademinë e Arteve në vitin 1989. I specializuar në skulpturë, aktualisht është autor dhe mjeshtër i mbi 150 skulpturave në atelienë e tij, duke përdorur materiale si druri, hekuri, qeramika, alumini dhe bronzi.

Nga punimet e autorit - foto Sot.al

Duke studiuar në klasat dhe atelietë e artistëve më të talentuar të Shqipërisë, Kolnikaj ka ekspozuar punën e tij brenda dhe jashtë vendit. Ai përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen e Ankarasë në vitin 1990 dhe ka prezantuar veprat e tij në ekspozita të ndryshme, personalisht ose në grup, në Austri, Holandë dhe Zvicër. Në dy ekspozitat vetjake pararendase ai prezantoi rreth 60 punime mbi teknikat e gdhendjes, modelimit dhe përpunimit të hekurit. Punimet e tij janë pjesë e koleksionit të përhershëm të Galerisë Kombëtare të Tiranës. Kolnikaj ka fituar çmime kombëtare si Monumenti Kombëtar i Poetit, At Gjergj Fishta në Shkodër në vitin 1996 dhe Konkursi Kombëtar i mbajtur në Prishtinë me rastin e 600 vjetorit të Gjergj Kastrioti Skënderbeut; Portreti i heroit.

Pjesë e koleksionit të punëve të piktorit Pjerin Kolnikaj janë edhe monumentet e Nënë Terezës e Dedë Gjo Lulit, që mbajnë vulën e punës së tij dhe që janë pjesë e koleksionit të përhershëm të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Pjerin Kolnikaj ka qenë kryetar i jurisë së konkursit ndërkombëtar “Onufri” si dhe anëtar jurie në garat kombëtare. Që nga viti 1998 është mësues në Universitetin e Arteve, në Atelienë e Skulpturës. Ekspozita “Skulpturë” do të qëndrojë në FAB deri në datën 2 të muajit që vjen.

Neritana Kraja