Pritshmëritë për 14 milionë turistë, sfida e plotësimit së kërkesës me prodhime vendase
2024-03-27 09:37:53

Gatime shqiptare (Foto Freshalb)

Gatime shqiptare (Foto Freshalb)

Objektivi i Shqipërisë këtë vit është për të pritur afro 14 milionë vizitorë dhe për të përmbushur këtë fluks në rritje një komponent shumë i rëndësishëm është edhe furnizimi me ushqimet e duhura dhe prodhimet vendase dhe jo vetëm. Kreu i Shoqatës së Restoranteve Turistike, Kujtim Dervishi thotë se janë marrë masat për të rritur prodhimet vendase nga fermerët.

“Kohët e fundit është ngritur dhe Shoqata e Agroturizmit, e cila bën punë të lavdërueshme. Ne kemi dhe anëtarët tanë që janë pjesë të agroturizmit dhe njerëzit janë ndërgjegjësuar që i drejtuar tokës, sepse aty janë të gjithë prodhimet për të përballuar këtë fluks turizmi. Nga kontaktet që kemi me fermerët mësojmë se ka një rritje të prodhimit dhe sivjet nuk bëhet fjalë të mungojë ushqimi apo prodhimi. I vetmi defekt mund të jetë mungesa e stafit. Tashmë po hapen shumë hotele dhe restorante të rinj, po hapen shumë bujtina, që kanë marrë rëndësi të madhe. Gjithë veriu i Shqipërisë është kthyer në atraktiv, sa i përket bujtinave. Unë mendoj që këtë vit do të ketë vërtetë rritje që do përballohet, përveç ndonjë defekti tek stafet, të cilët mungojnë.”- tha Dervishi.

Sot ngrihet pyetja nëse mundet t’i përballojë Shqipëria me produkte vendase flukset e shtuara të vizitorëve. Kreu i Shoqatës së Restoranteve Turistike thotë se kjo pjesë nuk do të jetë problem.

Kujtim Dervishi (Foto CMG)

Kujtim Dervishi (Foto CMG)

“Po të bëjmë një analizë këtë vit kemi një rritje të çmimeve krahasuar me vitin që kaloi sepse gjithë prodhimet që dalin nga Lushnja për eksport, nëse do ketë kërkesa për në Shqipëri nuk është e nevojshme të shkojnë në eksport. Kështu që mendoj që me një rritje të vogël çmimi sivjet, që është domosdoshmëri sepse janë rritur rrogat, kërkesat apo çmimet e produkteve, do ia dalin dhe nuk besoj që do jetë problem shqetësues për sa i përket turizmit shqiptar sivjet.”

Dervishi, kreu i  Shoqatës së Restoranteve Turistike thotë  për Tv Scan se turizmi ka nevojë të zgjidhen problemet  që janë hasur vitin që shkoi.

“Viti që kaloi ishte mjaft i suksesshëm për turizmin shqiptar. Kjo tashmë u pa me rezultatet e arritura. Mendoj që ky vit që kemi përpara, edhe si pasojë e ndryshimeve që parashikohen do të ketë një rritje më të madhe të prurjes së turistëve tek ne. I del për detyrë gjithë sektorit të turizmit që të nxjerrin defektet dhe problematikat në vitin që lamë pas. Ky vit ka mjaft problem, të cilat duhen zgjidhur në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe pushtetin qendror. Sektori i bujtinave tashmë është bërë qershia mbi tortë, sa i përket turizmit që vizitojnë Shqipërinë sepse ka marka kudo në Evropë. Falë mediave që i kanë bërë publicitet Shqipërisë, duke bërë që të jetë destinacion i kërkuar në Evropë. Kjo na vë përpara përgjegjësisë, në shumë drejtime. Turistët e vizitojnë Shqipërinë për çmimet e ulëta, mikpritjen, apo atraksione që s’ kanë qenë të promovuara deri dje dhe tani janë bërë atraktive.”- tha Dervishi.

Prodhime bulmeti (Foto Monitor)

Prodhime bulmeti (Foto Monitor)

Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e turistëve të huaj vit pas viti, për shkak të plazheve të bukura, pesiazheve malore, klimës si dhe qendrave historike, duke bërë që vitin e kaluar të arrihej një bum turistik prej 10.1 milionë vizitorësh. Ditë pas dite mediat e huaja po i bëjnë jehonë bukurive të ndryshme shqiptare, duke ftuar vizitorët nëpër botë që të fusin në agjendën e destinacioneve të tyre edhe vendin tonë. Çmimet e lira në raport me shtetet europiane si dhe gastronomia e pasur shqiptare janë gjithashtu ndër elementët kryesorë të rritjes së interesit. Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj ka bërë me dije se konsumi pritet të arrijë në 1.2 miliardë dollarë, një shifër domethënëse për këtë industri si dhe përkthehet në rritje të të ardhurave për mijëra familje rurale dhe biznese. Kjo shifër është 220 milionë dollarë apo 24.4 për qind më e lartë se vitin e shkuar, gjatë së cilit vendin e vizituan 10.5 milionë të huaj.Turizmi është një shans i mirë për bujqësinë për shkak të kërkesës në rritje dhe pritet për t’u parë se sa peshë do  të marrë përballë produkteve të importit.