Investohen 390 milionë euro për portin e ri në Porto Romano
2024-03-26 10:43:45

Studimi i fizibilitetit të Portit të ri (Foto ATSH)

Studimi i fizibilitetit të Portit të ri (Foto ATSH)

Më 21 mars, Shqipëria miratoi Aktin Normativ për Buxhetin e vitit 2024. Ky akt jep për nisjen e ndërtimit të portit të ri tregtar të vendit në Porto Romano rreth 39.2 miliardë lekë, ose 390 milionë euro. Këto fonde do të jepen 94 milionë euro këtë vit, 143 milionë euro në vitin 2025 dhe po 143 milionë euro në vitin 2026.

Fondet do të përdoren për  një basen të ri në port, një kanal hyrës të ri, kalata të reja portuale për kontejnerët dhe terminal të ri kontejnerësh, bashkë me ndërlidhjen me hekurudhën dhe rrugën automobilistike.

Porti i ri tregtar do të ofrojë kapacitete me herë më të larta nga porti aktual në qytetin e Durrësit. Ai do të ketë kapacitete përpunimi më të mëdha, thellësi më të madhe në radë dhe parkim anijesh të kalibrit më të madh, duke sjellë të ardhura shumëfish më të larta, nga sa nxjerr sot porti në zemër të Durrësit.

Aktualisht, Porti i Durrësit është i rrethuar nga qyteti. Shpesh herë, qyteti pengon portin në zhvillimin e ndërsjelltë, duke i krijuar shumë problematika, që nga mjedisi por edhe trafiku, siguria dhe të gjithë elementët që përbëjnë një port me standarde evropiane.

Në Porto Romano ka një hapësirë të konsiderueshme për zhvillim. Ka disa qindra hektarë tokë, që do të vihen në dispozicion të projektit, të hartuar nga një studjo hollandeze, ndër më të mirat në botë, në projektimin e porteve tregtare. 

Hapësirat e mëdha në Porto Romano përbëjnë mundësi për terminale logjistike, për zhvillimin e dhjetëra zonave ekonomike, me veprimtari prodhuese, që sot nuk kemi mundësi t’i zhvillojmë në portin aktual.

Prandaj dhe porti tregtar 2700 vjeçar i qytetit të Durrësit duhet te zhvendoset, për këto tre arësye themelore. Së pari, porti i sotëm tregtar nuk ka asnjë hapësirë të lirë për t’u zgjeruar, pse ndodhet në zemër të qytetit. Një port modern ka nevojë për qindra hektarë mjedise ku të ketë vende parkimi për mjetet e rënda të transportit dhe një nyje hekurrudhore të gjerë.

Këto qindra hektarë porti i sotëm tregtar nuk ka ku t’i gjejë, pse është i rrethuar me pallate banimi, qendra tregtare dhe mjedise të tjera urbane, vetëm pak metra larg perimetrit të tij.

Së dyti, një aktivitet i shtuar ngarkim-shkarkimi dhe transporti në port do të sillte shumë më tepër ndotje për të gjithë qytetin e Durrësit, pasi do të zhvillohej vetëm pak dhjetra metra larg mjediseve ku banorët e tij jetojnë. Edhe në gjendjen që është sot, porti me aktivitetin e tij e ndot shumë Durrësin.

Së treti, zhurmat, ndotja akustike do të rritej me shtimin e aktivitetit dhe porti do të dëmtonte, më shumë se sa do ta nxiste, jetën normale të qytetit bregdetar.

Në të kundërt, çfarë Durrësi po përjeton sot, është rritja e çmimit mesatar për metër katror të apartamenteve dhe mjediseve të tjera të tij, pikërisht nga perspektiva e qendrës së tij turistike që po ndërtohet me projektin 2 miliardë euro.

Belida Balluku theksoi se:“Përsa i përket portit turistik, Marinës së Durrësit, ky është projekti më transparent dhe më i detajuar që Shqipëria ka bërë. Aty ka një ndërmarrje të përbashkët midis investitorit të huaj dhe shtetit.

“Shqipëria aty gëzon 33% të aksioneve dhe sigurisht do të jetë një nga portet turistike më të rëndësishme të Mesdheut dhe nuk përjashton dhe as nuk vë në risk pasjen e një porti tjetër komercial dhe militar në zonën e Porto Romanos.

Kini parasysh që kostot e portit të Porto Romanos, siç e kemi deklaruar dhe siç janë të shprehura dhe në aktin normativ, janë 390 milionë euro, kjo kosto pa tvsh, të ardhura të parashikuara nga dy projekte portuale.

Në Durrës janë 280 milionë euro të ardhura direkte nga marina e Durrësit si divident, ndërkohë që do të jenë 1 miliardë euro të ardhura nga tatimet, taksat dhe kontributet që sjell ky projekt, pra projekti i Marinës së Durrësit.

Porti i ri që do të ndërtohet në Porto Romano, porti i ri, i cili është dizenjuar nga një nga kompanitë e ekselencës, nga Royal Haskoning, kompania holandeze, parashikon që të ketë dyfishin e thellësisë të porteve që ne kemi pasur deri më sot në Republikën e Shqipërisë,  duke krijuar kështu një pol të ri ndërkombëtar të industrisë detare.

Një port të ri ndërkombëtar i cili parashikon që të dyfishojë volumet të cilat përpunohen sot në portin e Durrësit duke rritur kështu të ardhurat direkte dhe indirekte në ekonominë shqiptare” tha Balluku

Një aset i rëndësishëm i Porto Romanos dhe pjesë përbërëse e investimit janë dhe dy terminalet logjistike, portet e thata në Strugë dhe Prishtinë. Këto dy qendra të mëdha përpunimi kontejnerësh në tokë(prandaj quhen porte të thata) e bëjnë edhe më të dobishëm dhe me përfitim investimin e vendit në Porto Romano. 

Masterplani i Portit të ri Tregtar të Durrësit (Foto Panorama)

Masterplani i Portit të ri Tregtar të Durrësit (Foto Panorama)

Aktualisht, 30 përqind e mallrave që përpunohen në Portin e Durrësit janë ose në drejtim të Kosovës, ose vijnë për eksport nga Kosova drejt vendeve të tjera.

Tani, Porti i Durrësit ka dy klientë kryesorë, që janë Tirana dhe Prishtina. Pra, mallrat që përpunohen në Portin e Durrësit, qoftë në import apo eksport, kanë si destinacion kryesor Tiranën dhe aktivitetin industrial dhe ekonomik në Tiranë dhe Prishtinë. E gjithë industria, dhe jo vetëm ajo logjistike, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, por e gjithë industria e tyre e transportit, ajo rrugore dhe hekurudhore, e kanë mirëpritur si lajm ndërtimin e portit të ri kryesor tregtar të Shqipërisë në Porto Romano.

Strategjia për ndërtimin e portave të reja hyrëse detare për vendin tonë është afatgjatë. Ajo u miratua në vitin 2020. Ajo nuk përfshin vetëm portin e ri tregtar në Porto Romano, që është investimi themelor në të ardhmen e trafikut tonë detar civil, por ka nisur të zbatohet dhe në Vlorë, me një port të ri tregtar në Triport.

Fatos Çoçoli