Nga shfaqja Lule Sajza (Foto nga instagrami i TKEKS)
Në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” u shfaq një premierë në formën e teatrit dokumentar e titulluar “Lule Sajza”, me regji nga Endri Çela. Në skenë u ngjitën aktoret Rajmonda Bulku, Adriana Tolkën dhe në rolin e ‘Sajzës’ Valentina Myteveli. Në qendër të veprës janë historitë personale, dëshmi të të mbijetuarve të kampit të Tepelenës në regjimin e kaluar. Në intervistë për Radio Ejani, regjizori Endri Çela flet për realizimin e kësaj vepre teatrore
Regjisori Endri Çela (Foto personale)
CMG: Si u prit nga publiku kjo shfaqje?
Endri Çela: Pritje e shkëlqyer do të thoja. Jam shumë i kënaqur që publiku shqiptar ka arritur ta përthithë këtë shfaqje, ka arritur të reflektojë. Ne kemi folur për disa plagë shqiptare, kemi folur për një histori që na përket të gjithëve, sepse pa njohur të shkuarën nuk mund të kemi një të ardhme më të mirë. Kam parë publikun që ka dalë mjaft i emocionuar nga shfaqja, më kanë përqafuar me lot në sy, më kanë thënë se si kjo shfaqje nuk kanë parë. Unë ndjehem krenar që kam arritur të përcjell këto emocione dhe që është krijuar një vepër artistike, që është një lloj respekti që i kushtohet atyre viktimave, atyre njerëzve që kanë përjetuar gjithçka, atyre njerëzve të persekutuar.
Historitë që ne kemi përzgjedhur janë vërtetë rrëngjethëse, deri diku në kufi me legjendën. Ka qenë vërtetë e vështirë për mua që t’i përzgjedh këto pjesë, që të marr copëza nga këto histori rrënqethëse dhe të krijoja një strukturë deri diku teatri, sepse nuk është një pjesë dramaturgjike. Këto janë thjesht dëshmi të mbledhura dhe të strukturara në atë mënyrë që t’i ngjasojë një vepre teatri.
Rajmonad Bulku (Foto nga instagrami)
CMG: Për ty si regjisor, si erdhi përzgjedhja e personazheve për këtë teatër dokumentar?
Endri Çela: “Lule Sajza” është një projekt teatror në formën e një teatri dokumentar dhe si i tillë mbështetet tek dëshmitë. Për gati dy muaj unë kam mundur të lexoj dhjetë botimet e zërave të kujtesës, botime këto të realizuar nëpërmjet Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Falë ndihmesës së institutit, pas gati dy muajve kam arritur të përzgjedh mes dhjetra copëzave, gjërat më pikante, të cilat, unë mendoj se do të ishte mirë që të shkonin tek publiku shqiptar.
Të gjitha janë histori që kanë nevojë për më shumë veshë për t’u dëgjuar, por në pamundësi për t’i vendosur të gjitha, kam arritur të përzgjedh dy historitë nga dy dëshmitë nga Klora Mirakaj dhe Asije Habili. Këto dy personazhe të mbijetuara që në atë kohë kanë qenë njëra 16 dhe tjetra 11-12 vjeçe kur kanë nisur këtë kalvar vuajtjeje drejt kampit të Tepelenës. Këto personazhe vijnë në interpretimin mjeshtëror të aktores Rajmonda Bulku, që ndjej detyrën ta falenderoj për mbështetjen e madhe që më ka dhënë për këtë projekt. Gjithashtu kam pasur kënaqësi që e kisha pjesë të projektit edhe aktoren e mirënjohur Adriana Tolka, që është e disata herë që bashkëpunojmë. Kam edhe një personazh artistik që e kam të trilluar, që është “Sajza”.
Me frymëzim nga shkrimet artistike të Agron Tufës kam arritur që të krijoj një personazh që herë është vazja 8 vjeçare që ka vdekur dhe që kërkon të mbijë si një lule dhe here- herë është ai personazhi i gjallë në mendjen e këtyre dy aktoreve, kujtimet e së shkuarës. Është një personazh që vërtitet në këtë kamp. Kampi i Tepelenës ka qenë një kamp kryesisht i populluar nga gratë dhe fëmijët dhe për këtë arsye janë përzgjedhur dy personazhe femra Rajmonda Bulku dhe Adriana Tolka dhe Valentina Myteveli në rolin e Sajzës, si dhe në rolin e kujtesës së asaj vajze të pafajshme, që na ngjall edhe një herë kujtimet e së shkuarës, dhe plagët e historisë, që mos të përsëriten më.
Adriana Tolka (Foto nga instagrami)
CMG: Ke vënë në skenë shumë shfaqje këto kohë në Teatrin Eksperimental, por cilën nga shfaqjet e konsideron si më të rëndësishmin e karrierës tënde artistike?
Endri Çela: Është e vështirë që unë të bëj një veçanti mes krijimeve të mia, sepse krijimet janë si fëmijët e një nëne. Unë në secilën prej tyre kam dhënë maksimumin, jam përpjekur që gjithçka ta bëj me shumë dëshirë sepse së brendshmi këto projekte kanë idetë e mia, janë mendimet e mia, të cilat kam dashur t’i përcjell tek publiku. Në këto krijime e kam të vështirë të përzgjedh vetëm një e të them se më pëlqen më shumë se një tjetër. Secila mbart mendime, mbart pak nga mua, kështu që e kam vëretetë të vështirë t’i veçoj.
Premiera e “Lule Sajza” u vu në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga data 21 mars për katër netë me radhë deri më 24 mars. Kompozimi i pjesës teatrore u realizua nga Rafael Marinaj, skenografia nga Beqo Nanaj, kostumografia nga Sofi Kara, ndriçimi nga Taulant Kotorri dhe videomesazh nga Marjo Cani. “Lule Sajza”, sipas regjisorit Endri Çela do të shfaqet sërish për publikun në muajin maj të këtij viti.
Intervistoi: Sava Lena