Arjton Bakaj ne programin Perputhen( foto personale)
Artjon Bakaj u evidentua në programin televiziv ‘Përputhen’, në Top Channel, një program i cili në fokus ka emocionet dhe ndjenjat. Natyra e tij realiste dhe empatike bëri që të binte në sy edhe për shumë vlera të tjera që Artjoni ka dhe i shfaq në shoqëri. Profesioni i tij i parë është parukeria, të cilin e ushtron në qytetin e tij të lindjes, Fier. Përpos angazhimeve të shumta të ditës, Artjoni nuk shkëputet nga roli i opinionistit duke dhënë zë në çështje të ndryshme sociale.
CMG: Artjon të pëlqen të jesh në qendër të vëmendjes dhe mediave?
Artjon Bakaj: Në fakt po, sepse është zgjedhje e imja personale dhe mua më ka pëlqyer gjithnjë. Jo vetëm që të jap opinionin tim për çështje të ndryshme, por e gjithë bota e medias kam menduar se më shërben si një mundësi komunikimi për gjëra të cilat unë dua t’i flas dhe këtë gjë e kam bërë gjithmonë. Jam rezervuar aty ku duhet, por edhe e kam tejkaluar, duke pasur një pretendim të vetëm, i cili është ‘Dhënia e mesazheve për të gjithë ata që na ndjekin’
CMG: Je rritur në familje me shumë dashuri, sa krenarë janë ata për ty?
Artjon Bakaj: Për mua familja është gjithçka. Fuqia më e madhe dhe guximi më i madh është familja. Prindërit kanë qenë pak kundër sepse nuk kanë dashur që unë të isha pjesë e programeve televizive as për show. Këshilla e tyre ka qenë gjithmonë vetëm puna, pasi vetëm ajo të nxjerr në dritë. Ndonëse unë asnjëherë nuk e kam tejkaluar punën time dhe i kam bërë të gjitha gjërat paralel. Por, tashmë janë shumë të lumtur dhe krenarë për mua. Ata më kanë njohur në një format që nuk do më kishin njohur kurrë dhe ndoshta as unë vetë nuk do kisha pasur mundësi t’iu tregoja rreth vetes kaq shumë. Ajo që unë ndjej kur përmenden familjarët është një ndjesi mbrojtjeje. Ndihem i pathyer nga askush edhe asgjë për aq kohë sa kam familjen kaq të shëndetshme.
Arjton Bakaj ( foto personale)
CMG: Po ti vetë a e ke njohur veten për shumë tipare që nuk i kishe shfaqur më herët?
Artjon Bakaj: Po e kam njohur më tepër. Vitin e kaluar kur isha pjesë e programit ‘Përputhen’, njëkohësisht kisha edhe shumë probleme personale të cilat nuk lidheshin me shëndetin, por kasha probleme në jetën time dhe kur arrita t’i tejkaloja të gjitha nga pak dhe të tregoja atë lloj fuqie për të cilën dyshoja se e kasha, atëherë mendoj se njeriu e kupton dhe njeh veten në rrethana të caktuara dhe shumë të ndryshme.
CMG: A ke pasur imunitet ndaj komenteve të ndryshme ndaj teje?
Artjon Bakaj: Po, mendoj dhe kjo falë karakterit tim sepse unë besoj fort që përveç familjes, të cilët mund të më prekin me opinionet e tyre, asgje tjetër atje jashtë nuk më intereson. Jam shumë natyrë e sinqertë dhe shpesh gjërat i them siç janë, por ajo që më intereson dhe më ka interesuar gjithmonë janë vetëm mendimet e familjes sime. Angazhimi im më ka vlejtur si njeri në rradhë të parë dhe jam ndjerë më gati për shumë gjëra të tjera. Mendoj se jam në një pikë që mund të bëj shumë gjëra. Unë vazhdimisht kam arritur shumë dhe kam investuar tek vetja ime. Më pëlqen të jem i përfshirë dhe të jem kudo. Jam natyrë që dua të provoj gjithmonë gjëra të reja.
CMG: Ke luajtur edhe futboll për një kohë të gjatë në Spanjë apo jo?
Artjon Bakaj: Kjo është ëndrra ime e prerë në mes sepse pata probleme me shëndetin. Isha mirë, çdo gjë po ecte mirë, familja kishte investuar shumë që unë të isha aty ku kisha arritur, por shfaqja e problemeve të mesit bëri që të shkëputesha nga futbolli.
Arjton Bakaj ( foto personale)
CMG: Më pas si e gjete tek vetja pasionin për parukerinë?
Artjon Bakaj: Parukerinë e kam gjetur në ditet e mia më të vështira emocionale, pasi kisha hequr dorë nga futbolli. Patjetër që kisha filluar të kisha një lloj dëshire për këtë punë edhe më herët, sepse kjo është një punë që duhet të kesh pasion dhe dëshirë për ta bërë, por momenti më i vërtetë dhe vendimtar ka qenë kur unë lashë pas jetën time sportive.
CMG: Pse të pëlqen ky profesion?
Artjon Bakaj: Parukeria nuk është vetëm estetike për mua, jo vetëm të zbukuron por të bën të ndihesh edhe mirë në raport me profesionet e tjera. Ne aty zgjedhim që të bëjmë humor dhe zgjedhim që të jemi vetvetja. Nuk e konceptoj dot jetën time pa ritmin tim të lumturisë dhe argëtimit.
CMG: Itali, Spanjë, Shqipëri, në këto tre vende ke jetuar, cili të ka vjedhur zemrën?
Artjon Bakaj: Kam jetuar kudo dhe kam punuar dhe kam pasur pafund fasilitete, por zemra ka qëndruar gjithnjë në Shqipëri.
CMG: Cili është synimi i jetës tënde?
Artjon Bakaj: Mendoj dhe kërkoj të krijoj një habitat ku unë të jetoj i lumtur me njerëzit që mi do zemra. Për mua paratë apo çdo gjë tjetër që matet me sasi e humbet vlerën. Cilësia për mua është kryesore dhe njeriu duhet të bëjë një jetë cilësore për të qenë i lumtur. Unë kam pasur pafund mundësi në jetën time madje edhe gjëra që mund të më jepnin më shumë, por kam zgjedhur rehatinë dhe lumturinë.
Arjton Bakaj ( foto personale)
CMG: Cilat janë mendimet që të zgjojnë çdo mëngjes?
Artjon Bakaj: Mëngjesi është momenti më i rëndëishëm i ditës dhe çdo njeri duhet të jetë i gatshëm për të menduar se si atë ditë mund të bëhet një njeri më i mirë dhe i duhur për shoqërinë. Kam shumë ëndrra që dua t’i dërgoj përpara, andaj mendimet e çdo mëngjesi lidhen me to.
CMG: A ke pasur momente të vështira në jetë dhe si të kanë shërbyer ato?
Artjon Bakaj: Ka momente shumë, të cilat mund t’i cilësoja si të vështira, por vetë futja në botën televizive më ka bërë edhe më kompleks me jetën time të përditshme në fillimet e mia. Më ka shërbyer momenti i sprovës për të gëzuar kënaqësitë që marr tani. Një nga njerëzit të cilit do t’i jem gjithmonë mirënjohës dhe do ta vlerësoj gjithë jetën është vëllai im i madh. Ai më ka qëndruar pranë në të gjitha momentet e vështira dhe të bukura, ka ditur se si me sjelljen e tij të butë dhe të duhur të më bëjë të kuptoj kur e kam pasur mirë dhe kur e kam pasur gabim. Gjërat në familjen tonë gjithmonë për mua i ka zgjidhur vëllai im dhe jo babai, pasi që gjërat të shkonin deri tek figura e babait duhet të ishin shumë serioze, një rol prindi ka marrë përherë vëllai im. Ai ma do dhe ja dua të mirën si askush tjetër. Një gjë që dua t’i “vjedh” vëllait tim është gjykimi që ka për jetën.
Kam një familje të shenjtë, kemi kaluar vështirësi por asgjë s’na ka munguar. Kujtoj një episod të jetës sime. Dikur fëmijët kur iknin në shkollë, prindërit ju jepnin para me vete aq sa atë të blinin diçka në pushimin e madh. Kur babai apo nëna ime nuk më jepnin shpesh i gjeja pas derës së klasës me lekë në duar vetëm që unë të mos ndihesha i diferencuar. Ky moment për mua flet dhe tregon shumë për mënyrën se si ata dy prindër më kanë rritur.
CMG: Cili është tipari që të karakterizon?
Artjon Bakaj: Unë dal çdo ditë nga shtëpia me një synim dhe nëse une nuk e realizoj nuk jam vetëvetja. Dua që të dërgoj deri në fund gjithçka që nis.
Arjton Bakaj ( foto personale)
CMG: Televizioni apo parukeria, ku anon peshorja për ty?
Artjon Bakaj: Për të qenë i mirë dhe perfekt duhet t’i bësh të dyja në jetë. Njeriu duhet të ndërtojë një balancë. Televizioni më ofron një dëshirë të hershme timen, të takoj njerëz që mund të më mësojnë edhe më shumë nga gjërat e jetës.
CMG: Çfarë rëndësie ka miqësia për ty?
Artjon Bakaj: Të kesh një shok më të mirë se vetja është vlerë shumë e madhe e jetës. Unë kam shumë miq që nuk janë pjesë e televizonit, por do të jenë gjithmonë për mua dhe ndihem me fat për ta.
CMG: A u ndërtua ndonjë miqësi e bukur në formatin televiziv ‘Përputhen’?
Artjon Bakaj: E vërteta është që në atë format nuk ndodhin miqësi të sinqerta sepse ne kemi të gjithë të njëjtin qëllim, të gjejmë dashurinë dhe jo miqësinë.
CMG: A ke pasur ndonjë histori të bukur dashurie brenda atij formati?
Artjon Bakaj: Nuk mendoj që kishte dashuri sepse kjo e fundit duhet të vijë nga të dyja palët. Kishte pëlqim por, gjërat nuk vijuan më jashtë për arsye nga më të ndryshmet.
CMG: Cili do të ishte mesazhi që do të doje të jepje për të rinjtë?
Artjon Bakaj: Do dëshiroja të mos largoheshin nga vendi i tyre. Shohim shumë ikje dhe kjo të ofron një ndjesi keqardhjeje, e cila na shfaqet çdo ditë. Do t’i këshilloja të rinjtë të veprojnë me zemër, sepse ajo nuk gabon kurrë.
Intervistoi :Megi Latifi