Libri shqip në Panairin e Leipzigut
2024-03-25 10:35:57

Kendi i diskutimeve shqip - foto Stefan Capaliku

Publiku i huaj i interesuar per librat shqip - foto Stefan Capaliku FB

U mbyll në Leipzig të Gjermanisë një ndër aktivitetet më të rëndësishme kushtuar librit, Panairi Ndërkombëtar i Librit, ku mori pjesë edhe vendi ynë. Panairi u mbajt nga 21-24 mars, duke e kthyer qytetin gjerman, si çdo vit, në kryeqendrën botërore të librit.

Shqipëria u prezantua me një stendën e saj, duke tërhequr vëmendjen e lexuesve të huaj.

Motoja e Panairit të Leipzig-ut për vitin 2024 është “Kush lexon ende?”, (Who’s still reading?) ndërsa vetë motoja e stendës së Shqipërisë është “Mos vështro pas” (Don’t look back), një reflektim mbi historinë, të shkuarën por edhe të ardhmen nën një koncept filozofik përmes leximit.

Panaire të këtij lloji në Evropë ku bëhen bashkë lexues, autorë, përkthyes, shtëpi botuese e kritikë letrarë, mbërrijnë si formë komunikimi mes kulturave të ndryshme, por edhe si mundësi prezantimi për t’u përcjellë letërsia shqipe në disa gjuhë të botës.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në këtë ngjarje të madhe të librit botëror, ka një program të mbushur me aktivitete dhe diskutime mbi librin shqip në kontekste më të gjera hapësirash dhe letërsinë bashkëkohore shqipe, traditën, gjuhën si dhe përkthimin. Shqipëria ka stendën e saj në këtë panair, një traditë tashmë, falë bashkëpunimit me rrjetin Traduki dhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ditën e parë u mbajt takimi i parë me shkrimtaren dhe poeten Rita Petro për librin e saj “Vrima”, të përkthyer në gjuhën gjermane. Takimi u moderua nga studiuesja Loreta Schillock.

Aktivitetet vijuan me një ditë më pas, kur nën titullin “A Brave New World”, shkrimtarët e rinj, Suad Arilla, Brajan Sukaj dhe Dionis Prifti, Flogerta Krypi, nën moderimin e drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, diskutuan në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Lajpcig të Gjermanisë, mbi sfidat që ata përballen si shkrimtarë të rinj dhe mbi identitetin e kufijtë letrarë, mbi promovimin e emrave të rinj në larminë e qindra mijëra titujve që zënë stendat e janë emra të konsoliduar në letërsinë europiane e atë botërore. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit përgjatë ditëve të panairit synon ndërtimin e disa paneleve diskutimi me shkrimtarë të rinj dhe të konfirmuar. E ardhmja përmes librit vijon në refleksionet e autorëve të rinj shqiptarë, përballë një audience të gjerë.

Më tej u vazhdua me takimin e radhës me temë: “Tirana, një ëndërr e shkurtër me Stefan Çapaliku” nën moderimin e Shqipe Sylejmani .

Autori Stefan Capaliku ne Panairin e Leipzigut - foto Stefan Capaliku FB

Vetë autori  Stefan Çapaliku u prezantua me librin “Mbyllur për pushime”, përkthyer nga shqipja në gjermanisht prej Zuzana Finger, si pjesë e projektit Traduki, projekt i cili me anë të librave, përkthimeve dhe projekteve letrare, lidh Europën Juglindore me letërsinë e vendeve gjermanishtfolëse, si dhe letërsinë e vendeve të Europës Juglindore mes njëri-tjetrit.

Duke qenë se Panairi i Librit në Lajpcig është edhe një formë komunikimi mes kulturave të ndryshme, një tjetër panel diskutimi trajtoi temën e kufijve letrarë.

Nën titullin Beyond Borders – Përtej Kufijve, shkrimtarë dhe studiues si Mimoza Hysa, Rita Petro, Beqë Cufaj, Mladen Veskoviç, u bënë protagonistë të diskutimit mbi letërsinë si një pikëtakim kulturor mes të ndryshmëve, një udhë e ndërmjetme që na vë të diskutojmë, të dialogojmë e të njohim tjetrin.
Letërsia shqipe në Gjermani ishte një tjetër tematikë që u diskutua në Panairin e Librit në Leipzig.

Një diskutim tjetër për këtë erdhi nën titullin “Kuteli dhe Agolli në gjermanisht” ku ndanë idetë e tyre autorja austriake Andrea Grill, si dhe studiuesja Loreta Schillock, e njohur në kulturën dhe në letërsinë shqiptare si përkthyese nga gjuha shqipe në gjermanisht dhe nga gjermanishtja në shqip, nën moderimin e studiueses Mimoza Hysa.
Një tjetër diskutim me titullin “Letërsia shqipe në Gjermani” bëri bashkë drejtoren e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli dhe Fazli Gajraku, me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, të cilët diskutuan mbi veprat e autorëve shqiptarë të përkthyer në gjuhën gjermane dhe nevojën që ka letërsia shqipe për t’u përkthyer në gjuhë e kultura të tjera.

Miq te nderuar ne Panair - foto QKLL

Autore te rinj dhe perkthyes ne prezantimin e librit shqip ne Panairin e Leipzing-ut - Foto QKLL

Krahas panairit, u mbajt edhe festivali i leximit “Leipzig liest”(Leilzig-u lexon), që jo vetëm nxit te fëmijët dhe të rinjtë marrëdhënien me librin, por ofron platforma frymëzuese dhe e kthen qytetin në festë duke përfshirë, libraritë, kinematë, muzetë dhe galeritë që hapin dyert në mbrëmje për të përqafuar letërsinë.
Stenda e Shqipërisë u vizitua nga Ministri për Kulturë dhe Shoqëri të Liechtenstein Z.Manuel Frick. Falë programeve tē përbashkëta me @traduki dhe @meki.gov.al letërsia shqipe është më e pranishme në gjuhën gjermane mes përkthimeve të ndryshme.
Prej vitit 1994, Panairi i Leipzig-ut ndan dhe vlerësime për pjesëmarrësit. Çmimi i Librit Leipzig për Kuptimin Evropian është një nga çmimet më prestigjioze të letërsisë në Gjermani. Ai jepet çdo vit me vlerën prej 20 000 eurosh.

Shqipëria u bë pjesë e Panairit të Leipzigu-t për herë të parë në vitin 2015.

Neritana Kraja