George Pali duke pikturuar (Foto personale)
George Pali vjen nga një familje me tradita nga Shkodra me lidhje kulturore të pasura me letërsinë, pikturën dhe teatrin. Në vitin 1980 George u diplomua për pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe në vitin 1988 shkoi në SHBA për një jetë më të mirë. George në vitin 1991 ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin Shtetëror të Arteve të Bukura në Michigan të SHBA-së. Ai ka marrë pjesë në disa ekspozita personale dhe kolektive në SHBA dhe Shqipëri dhe punimet e tij në pikturë janë pritur mjaft mirë nga artashësit e arteve figurative. Në një intervistë për Radio Ejani George Pali tregon rrugërimin e tij me pikturën, jetën në SHBA dhe planet.
CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj me pikturën në Shqipëri?
George Pali: Piktura është një dashuri e përjetëshme, dhe duket sikur kam lindur për këtë punë. Fillimet e para me pikturën i kam patur në moshën 5-6 vjeçare kur isha në kopësht dhe dëshira shumë e madhe ishin orët e vizatimit. Atëhere kopështi ishte 4-5 orë dhe gjithmonë në orën 10 ishte koha e vizatimit. Nuk e harroj kurrë sepse edukatorja ishte tezja e shokut tim, piktorit Mikel Gurashi, që jeton në Itali. Dëshira më e madhe ishte të pikturoja, dhe mezi prisja orën e vizatimit. Madje ekspozita ime e parë zyrtarisht ka qenë në moshën gjashtë vjeçare, ku morën vizatime dhe i vendosën në bulevard, në një stendë të kinemasë verore në qytetin e Shkodrës. Në këto stenda vendosnin vizatime nga kopshtet dhe aty kishin marrë dhe vizatimet e mia nga kopshti “Tre heronjtë” në Shkodër. Unë kisha thirrë dy vëllezërit e mi për të parë vizaimin tim. Unë vizatimet e mia i realizova në Shirokë, ku pikturoja njerëzit me çadrat e plazhit. Kjo ishte ekspozita e parë dhe puna e parë që mbaj mend si piktor.
CMG: Më pas vijove studimet në degën e pikturës?
George Pali: Babai im Zef Pali, i cili ka shkruar tekstin e këngës “Luleborë” kishte miqësi me kompozitorët sepse shkruante tekste këngësh dhe më dërguan në shkollën e muzikës. Kam bërë tetë vjet violinë në shkollën e muzikës në Shkodër, pa harruar kurrë që te kaseta e violinës futja letra vizatimi, ngjyra dhe lapsa bojërash. Pavarësisht se mua më drejtuan prindërit tek muzika, unë e çova veten prapë aty ku ishte dëshira ime dhe ku besoja se e gjeja veten te artet figurative. Mësuesi i violinës e dinte që unë e neglizhoja muzikën. Ai i thotë babait tim që unë kisha lindur për pikturë. Më vonë pata një fat të jashtëzakonshëm në mesin e viteve 70-të, ku Shkodra kishte Ismail Lulanin dhe Danish Jukniun, dy artistë shumë të njohur, të cilët kanë vlera shumë të mëdha në artet figurative, në themelimin e një arti, i cili mori një drejtim profesional. Ata ishin njerëz me shumë vlera në historinë e artit shqiptar. Unë kisha fat shumë të madh që kontaktova me ta, nga njohja e babait tim si shkrimtar dhe poet. Kështu që orientimi i tyre dhe njohja me ta ka qenë një kyç jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe vendimtar, për të shkuar në një rrugë të drejtë.
Problemi në artet figurative për të shkuar në rrugë të drejtë nuk është i thjeshtë, por është e komplikuar, shumë profesionale dhe do punë të madhe, si dhe kërkon drejtim të rëndësishëm. Unë kam qenë me shumë fat në Shkodër në mesin e viteve 70-të deri në fund të viteve 80-të, që kam qenë në atë ambjent në Shqipëri. Shkodra kishte një bërthamë të mirë artistësh dhe ka patur një traditë jashtëzakonisht të mirë në atë fushë.
George Pali me Adrian Paci dhe Zef Paci (Foto personale)
CMG: Si vazhdoi më tej pasioni juaj për pikturën kur u largove për në SHBA?
George Pali: Unë erdha i formuar në SHBA, sepse nga Shqipëria ika në moshën 31 vjeçare. Gjithashtu isha dhe i afirmuar në atë periudhë në rrethin artistik, si në Shkodër ashtu dhe në rang kombëtar. Unë në atë periudhë mbarova shkollën në Institutin e Arteve. Kur erdha në SHBA ishte patjetër një problem i madh, sepse këtu u ndesha me shkollën e Nju Jorkut, ku ishte diçka krejt e re për mua, një shok i madh kulturor dhe po e shihja veten se ku hyja unë në këtë grupim. Megjithatë Amerika ka një të mire sepse është një vend i hapur dhe pranon çdo ide.
Unë sapo erdha në SHBA, pas një viti jam inkuadruar në programin master të Universitetit të Miçiganit. Ai ishte ndodhta veprimi më i mirë që bëra, pra rishkollimi dhe riformimi im, pa humbur atë që kisha marrë nga Shqipëria, por duke i shtuar atë që më novojitej këtu. Kolektivi pedagogjik ishin njerëz jashtëzakonisht të aftë, të mirë dhe shumë të hapur. Shkolla kishte 200 vjet që ishte hapur dhe unë isha shqiptari i parë që u regjistrova në programin master. Shkolla ishte e hapur 24 orë, dhe ti mund të shkoje në shkollë në çdo kohë për të punuar, vizatuar dhe pikturuar, apo për të shkuar në laborator.
CMG: Si u ambjentove me jetën amerikane ?
George Pali: Amrika ka qenë si një ëndërr e bukur dhe pse në fillim kisha problemin e gjuhës, sepse në shkollë kisha mësuar rusisht dhe këtu duhej gjuha angleze. Më mori pak kohë mësimi i gjuhës, por jo diçka problematike sepse SHBA-ja është vend emigrantësh dhe në përgjithsi 50 për qind e popullsisë ka aksent. Unë nuk pata probleme të kësaj natyre. Gjithashtu unë e kam parë me optimizëm, që më ka ndihmuar shumë. Kështu që nuk kam patur probleme të integrimit apo probleme sociale. Megjithatë ne nuk kemi qenë të përgatitur për të emigruar, se emigrimi ka të tjera gjëra, por nuk mund të them diçka që nuk ekziston. Gjëja më e madhe që më ka munguar shumë kanë qenë shokët, sepse i kam dashur shumë shokët që kam pasur në Shkodër. Gjithashtu më kanë munguar shumë profesorët dhe lagjia ime.
CMG: Flasim për ekspozitat personale dhe ato kolektive tuajat. Si janë pritur punime tuaja në pikturë nga artdashësit?
George Pali: Ekspozitën e parë e kam hapur në Universitetin e Miçiganit, që ishte ekspozita e parë personale. Në përfundimin e programit master në shkollë ishte një ekspozitë, e cila u zhvillua në shkollë, e cila u prit me shumë interes. Jam aktivizuar shumë dhe jam prapë aktiv, sepse jam vetë pronar i galerisë së artit. Gjithmonë objektivi dhe prioriteti im në jetë ka qenë piktura, por dhe të ndihmoj artistët e tjerë. Kështu që organizoj rreth katër deri në pesë ekspozita personale dhe kolektive në Galerinë time GR Art Galeri. Jam shumë aktiv dhe mundohem me shumë rigorozitet dhe seriozitet për ta vazhduar këtë aktivitet dhe për të treguar kulturën tonë, se kush jemi ne shqiptarët. Ne kemi një kulturë e cila është me vlerë, duke na vendosur në një vend të veçantë bashkë me kombet e tjera, sepse arti është një pjesë shumë e rëndësishme.
Hapja e GR art galeri (Foto personale)
Artiste shqiptare ne GR art galeri (Foto personale)
CMG: Ke hapur ekspozitë pikture në Shqipëri?
George Pali: Ekspozitën e parë në Shqipëri e kam hapur në Galerinë Kombëtare në vitin 2013, ku Vladimir Myrtezai ishte kuratori dhe Sadik Spahia seleksionoi ekspozitën. Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe, sepse erdhi dhe kryeministri Edi Rama, që e kam dhe shok fëmijërie. Gjithashtu erdhën dhe të gjithë shokët e mi, sepse ishte ekspozita e parë mbas kthimit tim në Shqipëri. Pas kësaj ekspozite kam hapur dy të tjera tek Zeta Galeri në vitin 2013. Ndërkohë që në vitin 2015 kam hapur një ekspozitë tjetër te Fab Galeri, e cila është galeria e Universitetit të Arteve. Ndoshta këtë vit ose vitin tjetër kam shumë dëshirë të hap një ekspozitë tjetër në Shqipëri. Ekspozitën që hapa në vitin 2015 e kuroi Edi Hila, një artist shumë i njohur në Shqipëri, i cili është mik dhe mentor i imi.
Unë vazhdoj të kem bëshkëpunim dhe shumë diskutime me Zef Pacin, i cili jep lëndën histori arti dhe pikturë në Universitetin e Arteve në Tiranë, por dhe me skulptorin Sadik Spahia dhe gruan e tij, e cila jep lëndën e vizatimit. Kjo marrëdhënie e imja me Shqipërinë është me shumë vlerë dhe e mbaj me shumë kënaqësi. Janë njërëz të aftë dhe shumë të mirë dhe gjithmonë ky bashkëpunim është i frytshëm.
CMG: Cili është zhanri që preferon të pikturosh?
George Pali: Vepra e artit ka shumë komponentë, ku ka problemet e veta artistike dhe ka të bëjë me një punë me cilësi. Vepra e artit figurativ nuk është vetëm një ekzekutim dhe një modelim i ngjyrave, por është kulturë mbartëse. Pra nuk është aktivizëm politik, por një linjë shumë delikate. Piktura ka të bjë me interpretimin dhe me diçka që sjell ti, një mendim të ri, një cilësi të re. Këtu është e gjithë vështirësia dhe bukuria e saj. Pra është individi para një telajoje, i cili interpreton dhe sjell në jetë mesazhin e tij, sesi e sheh realitetin ti, si e interpreton dhe si e nxjerr në telajo. Mbas dy muajsh kam Adriatik Balilin, një artist shqiptar i shkolluar në Tiranë dhe SHBA, piktor shumë i mire, i cili do të hapë ekspozitën e tij në galerinë time. Mundohem ta alternoj, që mos të jetë thjesht një galeri shqiptare, por një galeri me vlera që ka prioritet artet figurative shqiptare dhe me kualitet, një galeri e hapur për artistët e mire, të cilët kanë këtë edukim, afërsisht siç e kam dhe unë.
CMG: Ke në plan të hapësh ndonjë ekspozitë tjerër së afërmi?
George Pali: Kam plan të hap ekspozitë në Shqipëri dhe në SHBA. Besoj se në fund të vitit do të hap ekspozitë në Galerinë GR, por dhe ekspozitë në Tiranë.
Intervistoi: Gazmend Agaj